Mickoski i gatshëm të bisedojë për heqjen e përkufizimit “20 për qind”

    Partia më e madhe opozitare maqedonase është po ashtu e gatshme të bisedojë për heqjen e përkufizimit “20 përqind” nga Kushtetuta, bashkë edhe me kategori të tjera kushtetuese që buruan nga Marrëveshja e Ohrit.

    Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, në intervistë për emisionin “Rruga drejt”, në Alsat, e deklaroi këtë ekskluzivisht duke shtuar se është koha për ndërtimin e një shteti qytetar, pa kuota përfaqësimi në baza etnike.

    “Jam i gatshëm të flasim për gjithçka, edhe për një njësi zgjedhore, për heqjen e përqindjeve në Kushtetutë, për heqjen e Badenterit, për heqjen e balancuesit, dhe të ndërtojmë një shtet qytetarë i cili do të bazohet në vlerat e vërteta. Unë dua ta shoh Maqedoninë si shtet të qytetarëve të barabartë për të gjithë ku nuk do të garohet për shkak të kuotës ose përqindjeve por për njohuri, aftësi dhe kompetenca”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Deklarata e Mickoskit është përgjigje e prononcimeve të ditëve të fundit të partive të tjera. Kryeministri Dimitar Kovaçevski beson se shteti ka miratuar ligje dhe ka ndërtuar një Kushtetutë e cila ka ngritur në piedestalin më të lartë të drejtat e bashkësive jo shumicë. Megjithatë, vlerëson se debati për heqjen e përkufizimit “20 përqind” nga Kushtetuta, mund të fillojë.

    “Atë mund ta komentojmë vetëm kur të hapet një temë e tillë. Për atë është e nevojshme 2/3 e votave që nënkupton se është i nevojshëm konsensus nacional. Është legjitime që të fillohet proces për ndryshime kushtetuese dhe ashtu si të rrjedhë procesi në të cilin do të marrin pjesë edhe parti politike por edhe ekspertë, të gjendet zgjidhje nga e cila do të përfitojnë të gjithë qytetarët e vendit”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ditë më parë, deklaroi se “20 përqindëshi” si përkufizim i vendosur në periudhën e arritjes së Marrëveshjes së Ohrit ka qenë kompromis i përkohshëm për të mos u rrezikuar i tërë ai proces.

    “Ne kemi bërë një kompromis dhe kemi qenë shumë të sigurt se me kalimin e kohës, kjo çështje, kur të vijë momenti më i mirë do të ndryshohet. Ka vullnet të mirë prej të gjitha palëve që në momentin e parë që të hapet Kushtetuta për ndryshime të tjera, për avancime të tjera, ky moment do të rregullohet”, theksoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Edhe partitë e tjera shqiptare kërkojnë largimin e përkufizimit “20 përqind” kurse koha më e afërt kur të hapet Kushtetuta pritet të jetë për përfshirjen e bullgarëve dhe malazezve në radhët e pakicave që jetojnë në vend.

    Marrëveshja e Ohrit solli ndryshimet kushtetuese me cilat gjuha tjetër të cilën e flasin të paktën 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj, po ashtu, është gjuhë zyrtare, në rastet siç e përcakton Kushtetuta. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Tupançevski shpëton me një vërejtje, në radhë Fatime Fetai

    Lajmi i rradhës

    Der Lejen i kujton Petkovit se RMV-së dhe Shqipërisë u janë premtuar negociata

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë