Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të 83-të i miratoi planet për mbajtjen e mësimit në arsimin fillor dhe të mesëm, në pajtim me vendimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) me hapjen e serishme të shkollave në vitin shkollor 2021/2022.
Siç njoftojnë nga Qeveria, ky vendim është marrë pas sugjerimit të Ministrisë së Arsimti dhe Shkencës se shkollat janë me rëndësi thelbësore për arsimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe nxënësve dhe se vendimi për hapjen e serishme të shkollave bëhet me vlerësimin e përgjithshëm paraprak të rreziqeve.
“Më pas janë marrë parasysh faktorët epidemiologjikë, shkalla e vaksinimit të kuadrit mësimor, sistemi arsimor, sistemi shëndetësor dhe kapaciteti i shëndetësisë publike, angazhimi i bashkësisë dhe kapaciteti shtetëror për ruajtjen e mbështetjes sociale dhe ekonomike të më të goditurve”.
“Planet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për fillimin e vitit shkollor 2021/2022 bazohen në nevojën që të fitohen përfitime maksimale për nxënësit, mësimdhënësit dhe të punësuarit në shkolla dhe në bashkësinë më të gjerë, ndërsa njëherësh të mos vijë drejt përhapjes së serishme të KOVID-19 në shtetin tonë, duke e pasur parasysh se një prej të drejtave themelore të njeriut krahas arsimit është edhe e drejta e shëndetit”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Gjithashtu më tej theksohet se planet i shpjegojnë hapat që duhet t’i ndërmarrin shkollat fillore dhe të mesme që t’i sigurojnë masat e nevojshme mbrojtëse dhe me këtë ta zvogëlojnë rrezikun e përhapjes së koronavirusit.