Mishi, produkt i papërballueshëm për pjesën më të madhe të popullsisë në RMV

    Nëse mishi konsiderohet si një nga pjatat kryesore tradicionale të tryezës për një pjesë të mirë të ballkanasve, rritja e drastike e çmimeve po e kthen këtë produkt në një luks, të papërballueshëm për pjesën më të madhe të popullsisë. Jo vetëm rritja e çmimit prej 200 deri në 300 denarë më shumë gjatë një viti, por edhe të dhënat statistikore tregojnë se popullsia e Maqedonisë së Veriut, ose mbi 36 për qind, nuk mund të jenë më konsumatorë të rregullt të mishit dhe nënprodukteve të tij.

    Një raport i Eurostat-it, zyrës evropiane të statistikës, tregon se Maqedonia e Veriut, si dhe Shqipëria kryesojnë në gjithë kontinentin evropian, për nga numri i popullsisë që nuk mund të përballojnë konsumimin e mishit rregullisht.

    Rreth 36.5 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut, sipas raportit, nuk mund të përballojnë një vakt me mish të kuq, pulë ose peshk çdo të dytën ditë. Menjëherë pas vjen Shqipëria me 34.3 për qind të popullsisë në pamundësi për të siguruar një vakt me mish çdo të dytën ditë.

    Inflacioni, si pasojë e krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë, ka prekur të gjitha fushat, përfshirë edhe industrinë e mishit. Çmimi për një kilogram mish gjedhi në supermarketet e Ballkanit varion nga 8 dhe 10 euro. Në disa vende, si Shqipëri dhe Mal të Zi, çmimet janë më të lira, nga 8 dhe 8.5 euro respektivisht, ndërsa më shtrenjtë 1 kilogram mish gjedhi paguhet në Serbi dhe Kosovë, 10 dhe 9.5 euro respektivisht. Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina janë rreth mesatares prej 9 euro për një kilogram mish. Duke iu referuar edhe pagave mujore, në raport me çmimet në rritje, nuk është e çuditshme që një pjesë e madhe e qytetarëve nuk mund të përballojnë konsum të rregullt të mishit.

    Paga mesatare neto në Ballkan është mes 400 dhe 700 euro gjatë këtij viti. Në Maqedoninë e Veriut me pagën mesatare mujore (517 euro) llogaritet se mund të blihet rreth 57 kilogramë mish në muaj. Pagat më të larta janë në Mal të Zi, me mesatare 710 euro neto. Pas saj vijnë Serbia me 622 euro pagë mesatare neto dhe Bosnja e Hercegovina me 575 euro pagë mesatare neto. Shqipëria ka pagat më të ulta në rajon, me një mesatare prej 427 euro neto në muaj. Ajo ndiqet nga Kosova (432 euro).

    Të dhënat e Eurostat i takojnë vitit të kaluar, që sidoqoftë ishte më i lirë, në aspektin ekonomik në periudhën e fundit, mes pandemisë dhe krizës energjetike. Këto çmime, si shumica e prodhimeve ushqimore, janë shumë më të larta në krahasim me vitin e kaluar. Sa i takon vendeve të tjera të rajonit, si Bullgaria, një e katërta e popullsisë nuk mund të shtrojë mish në tryezë çdo të dytën ditë. Në Serbi dhe Mal të Zi vetëm 14.9 respektivisht 14.5 për qind e popullsisë kanë problem të përballojnë konsumin e rregullt të mishit. Për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, Eurostat nuk ka të dhëna për këtë temë. Në Kroaci, problem me përballimin e mishit kanë vetëm 7.9 për qind e popullsisë, që është më pak se mesatarja e Bashkimit Evropian ku kjo kategori e qytetarëve përbën 8.1 për qind të popullsisë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Ulet numri i fuqisë punëtore aktive në Maqedoni

    Lajmi i rradhës

    MBARON DEBATI NË BDI | Ahmeti tregon nëse është i kënaqur me punët e ministrave dhe mbetet e paqartë nëse do të ketë ndryshime të ministrave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë