Ulet numri i fuqisë punëtore aktive në Maqedoni

    Ulje të madhe të fuqisë punëtore aktive apo të punësuar në total në Maqedoni, tregojnë të dhënat e Entit të Statistikës. Krahasimi i të dhënëve të statistikës tregon se në muajin shtator të këtij viti në vend kanë qenë të punësuar 694.376 punëtorë. Nga ana tjetër, në muajin shtator të vitit 2019, në vend kanë qenë të punësuar 794.283 persona, që nënkupton se tre vite më vonë shënon ulje numri i të punësuarve për afër 100 mijë punëtorë.

    Të dhënat statistikore tregojnë rënie të madhe të punësuarve në fabrika nga 156.625 punëtorë në vitin 2019 në 131.197 punëtorë në vitin 2022. Rënie shënon edhe numri i të punësuarve në ndërtimtari që për tre vite është zvogëluar nga 57 830 punëtorë në 47.817 punëtorë. Përskaj këtyre sektorëve më një rëndësi të madhe për çdo ekonomi nacionale, ulje po shënon edhe numri i të punësuarve në bujqësi nga 113.318 punëtorë në 68.229 punëtorë. Rënie shënon edhe numri i punonjësve në transport nga 40.256 në vitin 2019 në 32.727 në vitin 2022 si dhe numri i të punësuarve në sektorin e përgatitjes së ushqimit dhe akomodimit prej 37.914 në 24.434 të punësuar.

    Rritje e butë e të punësuarve është shënuar në tregti nga 106.184 të punësuar në 109.242 të punësuar, dhe në xehetari nga 6505 në 7360 të punësuar.

    Vlerësohet se një pjesë e konsiderueshme e fuqisë punëtore nga rajoni si zanatlinj, por edhe me kualifikime më të larta për çdo vit ikin nga Ballkani në perëndim në kërkim të një jetesë më të mirë.

    Nga Banka Qendrore thonë se trende të tilla të uljes së fuqisë punëtorë vërehen jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. “Rajoni po përballet me rënie të shkallës së popullsisë të aftë për punë, e cila është pasqyrim i tendencave të pafavorshme demografike, por edhe i emigrimit. Duke pasur parasysh vlerësimet se në disa vende rreth 1/3 e emigracionit janë persona me kualifikim të lartë, këto tendenca ndikojnë negativisht jo vetëm në vëllimin , por edhe në cilësinë e fuqisë punëtore. Andaj reformat strukturore janë kyçe për rritjen e potencialit për rritje dhe afrimin më të shpejtë me të ardhurat e ekonomive të zhvilluara në BE”, thotë guvernatorja e Bankës Popullore të Maqedonisë, Anita Angellovska Bezhovska.

    Edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore janë konstatuar trendet negative në tregun e punës në vend. “Rimëkëmbja e tregut të punës është e ngadalshme dhe e brishtë, përkundër mbështetjes së qeverisë. Pas publikimit të të dhënave të regjistrimit të vitit 2021 që zbuluan një rënie të popullsisë prej afërsisht 9 për qind dhe një fuqi punëtore më të vogël, shkalla e aktivitetit ra në 55.3 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti e shtyrë nga një shkallë e ulët e aktivitetit femëror nga 44.5 për qind”, tregojnë analizat e Bankës Botërore.

    Nga atje shtojnë se në të njëjtën kohë, shkalla e punësimit mbeti nën kulmin e saj para pandemisë në 47.3 për qind. Shkalla e papunësisë u ul në 14.5 për qind, por shkalla e papunësisë tek të rinjtë mbeti e lartë në 30.9 për qind pavarësisht politikave aktive të tregut të punës që synonin punësimin e kuadrit të ri. Gjithashtu rritja e pasigurisë ekonomike ka ulur pjesëmarrjen e kontratave me afat të caktuar në 60 për qind të të gjitha kontratave të reja të punës, konstaton Banka Botërore.

    Në ndërkohë, zëvendës kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytuqi thotë se mbi 90 për qind e të papunëve në vend janë funksionalisht analfabetë ose jo funksionalisht të shkolluar dhe 63 për qind e tyre nuk kanë arsim fillor ose të paplotë. Kjo është gjendja aktuale, ky është kuadri që tregu i etur i punës nuk mund të thithë sepse është i pamjaftueshëm.

    “Duhet të flasim për këtë, sepse ky është një problem dhjetëvjeçar dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm. Koncepti i të mësuarit gjatë gjithë jetës, dhe rikualifikimit, ndryshimit të shprehive për punë është një realitet që të gjithë duhet ta pranojnë. Kjo mund të jetë e vështirë, duke pasur parasysh sistemin nga dolëm, por kanë kaluar tre dekada dhe është koha për të kapur hapin. Duhet t’i drejtohemi punësueshmërisë, të matim personelin me kualifikimet e nevojshme për tregun modern të punës që nuk nënkupton më industrinë e rëndë, por robotikën, megatronikën dhe inteligjencën artificiale”, shton Bytyqi.

    Sipas tij, punë ka si dhe kërkesë për fuqi punëtore, por politikat e gabuara për 30 vjet nuk dhanë rezultat, domethënë ato prodhuan një fuqi punëtore që nuk përputhet me tregun e punës. Një shqetësim shtesë nga raportet e fundit, është se përqindja e atyre që emigrojnë tani në krahasim me ata që kanë emigruar 20 ose 25 vjet më parë është me strukturë më të mirë arsimore, që do të thotë me një arsim të lartë dhe jo, siç ishte 25 ose 30 vjet më parë, ku ata që emigruan ata kishin një arsim më të ulët, shton ai.

    Në ndërkohë, analizat e Bankës Botërore tregojnë se tregu i punës në Maqedoni me vite po përballet me një sërë vështirësish, si mospërputhje dhe boshllëqe në ofertë dhe kërkesë për sa i përket kualifikimeve, nivelit dhe llojit të arsimit, pagës së pritshme dhe të ofruar të punëtorëve, gjë që çon në shfrytëzimin e pamjaftueshëm të burimeve njerëzore, për shkak të së cilës, para së gjithash, mungon rritja e ekonomisë dhe lindin shumë probleme të tjera, mbi të gjitha, sociale.

    Por gjërat nuk janë të volitshme as në strategjinë kombëtare, të konfirmuar nga Banka Botërore nga ku thonë se kompanitë në vendin tonë kanë një shkallë të ndryshme produktiviteti, prandaj rekomandohet orientimi i resurseve ndaj aktiviteteve më produktive. Firmat duhet të rrisin kapacitetet menaxheriale dhe organizative dhe të fokusohen në adoptimin e teknologjive të reja.

    Sipas Bankës Botërore, punëtorët që largohen nga vendi për të punuar në një vend tjetër janë më produktivë atje sesa në Maqedoni dhe aftësitë që posedojnë janë të njëjta që mund të përdoren edhe në vend. Angel Dimitrov, kryetar i Kuvendit të Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, thotë se pa resurse përkatëse njerëzore nuk ekziston as mundësia edhe për rritje më të lartë ekonomike. Problemi qëndron në hendekun e madh ndërmjet nevojave për kuadër të kualifikuar dhe ofertës në tregun e punës.

    Prej vitesh theksohet se të rinjtë shmangin shkollat profesionale apo zanatet dhe pjesa më e madhe zgjedhin shkencat shoqërore dhe vijojnë universitetin. Në arsimin fillor nuk kemi asnjë orientim në karrierë dhe një numër i madh i maturantëve pa kriter regjistrohen kudo që munden në atë moment”, shpjegon Dimitrov. Sipas tij, për shkak të potencialit të dobët njerëzor, vendi ynë nuk është interesant për investitorët më të mëdhenj të huaj, sepse ne nuk mund t’u ofrojmë atyre një numër të madh të punëtorëve dhe inxhinierëve të kualifikuar me nivel të mjaftueshëm njohurish, prandaj reformat në arsim janë të nevojshme për të ndaluar këtë proces dhe për harmonizimin e nevojave me ofertës në tregun e punës.

    Ndryshe, në vitet e fundit biznesi ankohet se hapja e dyerve të tregut evropian të punës për punëtorët nga Maqedonia rrezikon ekonominë vendore. Afaristët ankohen se përkundër shpalljeve të shumta për punëtorë në sektorë të ndryshëm si ndërtimtaria, tregtia, hoteleria e kështu me radhë, ato kanë probleme të mëdha të gjejnë kuadër të nevojshëm për nevojat e tyre. Shpërngulja e madhe e fuqisë punëtorë të aftë për punë qoftë për punë sezonale apo edhe për periudhë më të gjatë kohore, po shkakton mungesë të fuqisë punëtorë në tërë Maqedoninë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia rënditet në vendin e 63-të sipas “Indeksit për Sundimin e Ligjit”

    Lajmi i rradhës

    Mishi, produkt i papërballueshëm për pjesën më të madhe të popullsisë në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë