Mitreska: Pabarazia reflektohet edhe në aksesin e grave në financa, kredi dhe pronësi të kompanive

    Zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska, në një intervistë për revistën Prikazna TV u shpreh se Nuk mund të flitet për rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse pa barazi gjinore.

    “Koncepti i mundësive të barabarta dhe shanseve të barabarta është e vetmja mënyrë për të shfrytëzuar potencialin e plotë ekonomik të një vendi. Megjithatë, vetëm gjysma e popullsisë femërore të punës në botë është aktive, në ndryshim nga ajo e meshkujve ku aktiviteti është rreth 75%. Pabarazia reflektohet edhe në aksesin e grave në financa, kredi dhe pronësi të kompanive. Ka disa iniciativa, duke përfshirë edhe Bankën Popullore, për ndryshimin e këtyre situatave në interes të barazisë gjinore dhe zhvillimit të ekonomisë”, tha zëvendësguvernatorja Ana Mitreska.

    Forumi Ekonomik Botëror prodhon një indeks të veçantë global të barazisë gjinore dhe rezultatet e fundit tregojnë se vetëm 68% e hendekut gjinor është mbyllur dhe se me këtë ritëm ndryshimi, do të na duhen edhe 136 vite të tjera për të mbyllur plotësisht hendekun. Të dhënat për vendin tonë janë pak më të mira, 75% e hendekut është mbyllur, por nevoja për përmirësim është e dukshme, duke qenë se nga 156 vende të botës jemi në vendin e 73-të. Nga ana tjetër, indeksi për pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë ekonomike është shumë më i dobët dhe tregon se vetëm 58% e hendekut në botë është mbyllur. Me fjalë të tjera, liria financiare për gratë është shumë më e ulët, për shkak të pjesëmarrjes së ulët në fuqinë totale të punës, pjesëmarrjes më të ulët në poste të larta dhe drejtuese si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, hendekut në paga etj.

    “Në këtë kontekst, rritja e qëndrueshme kërkon gjithashtu një sistem financiar gjithëpërfshirës që ofron shërbime financiare për sa më shumë individë, përfshirë gratë. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se në vendin tonë 80% e femrave kanë llogari, krahasuar me 90% të meshkujve. Në Evropë, në këtë aspekt nuk ka dallim midis popullsisë mashkullore dhe asaj femërore. Dallimet në lidhje me përdorimin e kredive dhe kursimeve janë disi më të vogla. Gratë mund të krahasohen me burrat edhe në fushën e edukimit dhe sjelljes financiare digjitale. Edhe pse hendeku gjinor në fushën e edukimit financiar dhe përfshirjes financiare nuk është aq i madh, ka ende vend për përmirësim”, thotë Mitreska.

    Lajmi Paraprak

    Rama, fushatë me paratë e qytetarëve

    Lajmi i rradhës

    Të rinjtë dibran të interesuar për punë në bregdetin shqiptar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë