Mjedisi në RMV nën kthetrat e ndotjes

    Fotografia: Ilustruese

    Në Maqedoninë e Veriut, ndër vite qytetarët po përballen me hedhurinat e bollshme dhe deponi të egra pothuajse në tërë territorin e saj, e që kjo ka sjellë edhe në ndotjen e ajrit të vendit në vazhdimësi. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror për Statistikë, në vitin 2021, sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të grumbulluara në Republikën e Maqedonisë së Veriut është gjithsej 632.087 ton. Krahasuar me vitin 2020, sasia e përgjithshme e mbeturinave të grumbulluara komunale në 2021 shënon rritje për 0.3 për qind. Sasi më të madhe të mbeturinave të grumbulluara komunale është shënuar në Rajonin e Shkupit me gjithsej 176.917 ton ose 28.0 për qind nga sasia e përgjithshme e grumbulluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nga sasia e përgjithshme e mbeturinave të grumbulluara komunale, 528.261 ton ose 84 për qind, prej ku janë grumbulluar nga amvisëritë, ndërsa pjesa e mbetur, prej 16 për qind prej personave fizik dhe juridik (mbeturina komerciale).

    Nga Qyteti i Shkupit për KOHA deklarojnë se pastrimi i deponive dhe hedhurinave të gjithanshme në qytet ka filluar intenzivisht eliminimin e tyre. “Qyteti i Shkupit vazhdon me pastrimin e deponive, këtë herë përveç deponive publike njëkohësisht bëhet edhe pastrimi i atyre private. Ligji për menaxhimin e mbetjeve parasheh dënime për pronarët të cilët lejojnë apo mundësojnë krijimin e deponive të reja, ndërkaq nga ana tjetër inspektorati obligon që ata të i pastrojnë ato. Në rast se pronarët nuk reagojnë atëherë obligohet që higjiena komunale t’i kryejë pastrimet në barrën e pronarit që ka lejuar krijimin dhe mbledhjen e hedhurinave në pronësinë e tyre”, thonë nga Qyteti Shkupit. Ata apelojnë te secili qytetarë të përkujdeset për ambientin dhe hapësirat e qytetit duke mos lejuar të krijohen deponi të egra, si në ato publike ashtu edhe në ato private, pasi që kjo po ndikon në dëmtimin e shëndetin tonë etj.

    Sipas llojeve të mbeturinave dhe deponive, sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara janë mbeturinat e përziera komunale me 522.914 ton ose 82.7 për qind dhe sasia më e vogël janë mbeturinat e gomës me 1598 ton ose 0.3 për qind të sasisë së përgjithshme të mbeturinave të grumbulluara komunale. Sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të krijuar në vitin 2021 është 896.066 ton. Sasia vjetore e mbeturinave komunale të krijuara për kokë banori në vitin 2021 është 452 kg. Sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara komunale (99.8 për qind) hidhen nëpër deponi. Aktivistët dhe ambientalistët në vend vazhdojnë të kritikojnë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut duke akuzuar se ajo po e diskriminon dhe dëmton në vazhdimësi buxhetin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, duke i shkaktuar kështu probleme luftës kundër ndotjes së mjedisit në nivel kombëtar. Ndërkaq në vendet anëtare të BE-së sasia e mbetjeve të përzgjedhura rritet nga viti në vit, por edhe sasia e plehrave që hidhen nëpër deponi. Në nivel të BE-së, vetëm rreth gjysma e totalit të mbetjeve të gjeneruara përfundon në deponi, ndërkohë pjesa e mbetur riciklohet, kompostohet ose digjet në inceneratorë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Ndërtimi i rrugëve në vendbanimet rurale, mundëson zhvillimin e fshatrave

    Lajmi i rradhës

    Çerdhet nisin punën, mësimdhënësit vazhdojnë grevën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë