Mori pjesë në takim me Vuçiqin, suspendohet kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.

    Vendimi u bë i ditur përmes një komunikate nga KGJK.

    Suspendimi i Stevanoviq vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim.

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), gjatë të mërkurës, kishte reaguar pas raportimeve se Stevanoviq,  ka marrë pjesë në takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Ky reagim i KGJK-së, erdhi pasi ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, i bëri thirrje KGJK-së, që të ndërmarrë masa në raport me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stefanoviq.

    Sipas nenit 7, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përcaktohet që nëse vërtetohet se gjyqtarët apo prokurorët kanë bërë shkelje disiplinore, ndaj tyre mund të shqiptohet këto masa disiplinore: Vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit, transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët apo masa më e rëndë, propozim për shkarkim.

    Ndryshe, më 22 mars në Beograd, presidenti serb, Vuçiq u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës, me të cilët bisedoi për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

    Më 3 prill, Serbia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare dhe serbët e Kosovës, sipas Vuçiq, do të votojnë në komunat në Serbinë Qendrore. 

    Lajmi Paraprak

    NATO ia zgjat mandatin Stoltenbergut për shkak të luftës së Rusisë

    Lajmi i rradhës

    “Qytetarët e RMV-së paguajnë energji elektrike më të shtrenjtë në rajon”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë