Motra Nina rrëfen jetën si murgeshë në Manastirin e Kërçovës (Video)

    Të jetosh si murgeshë është padyshim një mënyrë jo e zakonshme. Ato kanë një jetë të thjeshtë dhe e gjithë qenia e tyre i dedikohet lutjeve dhe Zotit.

    Motër Nina për TV21 rrëfen historinë e saj dhe të 6 motrave tjera se si e kalojnë ditën në manastirin Preçista të Kërçovës. Dita e tyre fillon me lutjet e mëngjesit e më pas kanë një përditshmëri më angazhime dhe punë.

    Motra Nina bashkë me 6 të tjera në vitin 2017 nga një manastir tjetër u vendosën në manastirin Preçista dhe që atëherë ata po jetojnë këtu dhe gjatë gjithë ditës kanë detyra të caktuara se çfarë duhet të bëjnë.

    “Përditshmëria jonë fillon në orën 5:30 të mëngjesit me fillimin e shërbimit të bekimit më pas pason liturgjia. Liturgjisë i shërbejnë murgashët nga manastiri i Bigorit. Pas liturgjisë, vazhdon tryeza. Gjatë kohës së tavolinës lexohen një pjesë e jetëve të shenjtorëve. Pas tavolinës gjithsecila nga motrat ka punën e saj, njëra është e obliguar për oborrin, tjetra në kuzhinë, tjetra qep dhe ndihmohemi njëra me tjetrën”- thotë motra Nina.

    Ato thonë se mund të dalin me nevojë jashtë manastirit, ndërsa të afërmit e tyre mund të vijnë t’i vizitojnë kur të duan. Nuk ndjehen të robëruara sepse këtë siç tha motër Nina e bëjnë me dëshirë dhe dashuri.

    Shumë nga ne pyesim vetën se si jetojnë atje dhe me çka ushqehen, meqë nuk marrin as rrogë, e këtë pjesë e shpjegon motër Nina e cila thotë se kanë blegtori nga të cilat prodhojnë produkte qumështi dhe më pas i shesin.

    “Ka hapësirë ideale për mbajtjen e kopeve, nga lopët dhe delet tona prodhojmë djathë të cilin secili mund ta blejë në shitoren e Manastirit”- shton ajo.

    Manastiri Shën Bogorodica- Preçista është një nga manastiret më të vjetra në Kërçovës dhe më i madhi në Maqedoni. Ai është në një lartësi mbidetare 930 metra.

    Ky manastir ka filluar të ndërtohet në vitin 1316 e deri në vitin 1320  dhe është djegur tri herë pas çka është ndërtuar sërish.

    Për ndërtimin e manastirit në këtë pjesë të Kërçovës ekziston një histori e veçantë të cilën e rrëfen motra Nina, ajo thotë se historia e manastirit lidhet me ardhjen e kësaj ikone.

     “Ikona në formë të hapur ka ardhur në manastir, këtu i gjithë rrethi ka qenë moçale, qytetarët janë munduar ikonën ta dërgojnë në një vend tjetër më poshtë ku nuk kishte ujë, me qëllim që atje ta ndërtojnë manastirin, megjithatë ikona sërish ka ardhur këtu dhe ajo ka ndodhur disa herë dhe kështu njerëzit e kuptojnë se vullneti i hyjnores së shenjtë është ky vend për tu ndërtuar manastiri”- tregon motra Nina.

    Manastiri Preçista në pjesën e dytë të shekullit 20 është bërë manastir për murgesha femra, sepse deri atëherë ka funksionuar si murg herë për femra herë për meshkuj. Manastiri është i hapur edhe për vizitorët, ndërsa brenda tij  ka histori të ndryshme, si ekzistimi i një shkolle, ikona e cila ka ardhur vetë disa herë në manastir, etj.

    Lajmi Paraprak

    A mund të ndodhë që Ronaldo dhe Messi të luajnë bashkë?

    Lajmi i rradhës

    Antiglobalistët, antivakserët dhe teoricienët e konspiracionit po përhapin lajmin se Maqedonia po proteston kundër sanksioneve të Rusisë (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë