“M’u ndërprenë ëndrrat, sepse u ndërpre ilaçi” | Flora nuk e di se çfarë do të ndodh me fatin e saj (Video)

    Pasi iu sigurua ilaçi, gjendja e 21-vjeçares Flora Gashi, menjëherë u përmirësua. Ajo vuan nga sëmundja e rrallë fibroza cistike. Një javë pas konsumimit të terapisë Kalydeco (Ivacaftor) ajo u lirua nga aparati i rëndë i oksigjenit i cili e shoqëron çdo herë. Nisi një jetë normale, por gëzimi i zgjati shkurt. Tani Flora sërish na flet nga spitali, ku është e shtruar, sepse i përfunduan barnat dhe gjendja iu përkeqësua.

    Ditën kur e mora ilaçin kam qenë shumë e gëzuar, edhe psiqikisht ka ndikuar mirë, edhe fizikisht kam qenë shumë mirë. Pas një jave nisi ta bëj efektin e vet dhe nuk kam përdorur as oksigjen asgjë tjetër. Kam mund të eci, kam ushtruar, kam kryer obligimet e mia që i kam pasur, gjëra që nuk i kam bërë kurrë më herët, në 5 vitet e fundit domethënë. Për një moment u gëzova, thash gjithçka po nis nga fillimi, mirëpo për një moment të gjitha ëndrrat mu ndërprenë, sepse ilaçi u ndal.” – thotw Flora Gashi, paciente me Fibrozë Cistike.

    Me ndërprerjen e Ilaçit, Flora nuk e di se çfarë do të ndodh me fatin e saj.

    “Ka 10 ditë që nuk e përdori ilaçin dhe unë vetëm se përfundova në spital dje. Dy ditë e fundit kam qenë shumë keq fizikisht, nuk kam mundur të marr as frymë, kam qenë tepër keq. Dje edhe psiqikisht kam qenë shumë keq, kam rënë shumë.” – shprehet Flora Gashi, paciente me Fibrozë Cistike.

    Flora ilaçin po e kërkon tashmë pesë vite. Fondi për Sigurim Shëndetësor ia siguroi terapinë në mars por vetëm për dy muaj, sa për ta testuar efikasitetin mbi pacientët me këtë sëmundje. Meqë ilaçi ka dhënë efekt pozitiv, Ministria e Shëndetësisë obligohet që t’ia sigurojë terapinë e përhershme, Florës dhe dy pacientëve të tjerë me fibrozë cistike. TV21 pyeti Ministrinë e Shëndetësisë se kur do të vijë ilaçi?

    “Ministria e Shëndetësisë i dërgoi informacion Qeverisë së RMV-së në mënyrë që të sigurojë aktivitetet e nevojshme të radhës për prokurimin e barit.” – thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Po siç mësoi TV21 në Qeveri nuk kishte arritur asnjë kërkesë. E pyetëm edhe Ministrin Venko Filipçe nëse ilaçi mund të sigurohet në një afat më të shkurtër kohor, mirëpo as ai nuk na dha ndonjë afat konkret.

    “Ka mjete, ne po e prisnim raportin e ekspertëve se a ka te këta fëmijët efekt ose jo, është mirë që ka efekt të shkëlqyeshëm dhe me të vërtetë këta fëmijë janë shumë më mirë sesa më herët. Dokumentin që e prisnim e morëm dhe do ta nisim procedurën. Shpresoj që do të përfundojë në një afat sa më të shkurt, ndërkohë do të mundohemi të sigurojmë donacion që ta tejkalojmë periudhën nga përfundimi i marrjes së terapisë, deri sa të përfundojë procedura në Ministri.”- deklaroi Ministri Venko Filipçe.

    Deri sa të vijë ilaçi, Flora përsëri do të jetë e lidhur për aparatin e oksigjenit, e shtrirë në spital duke marrë vazhdimisht terapi. Ndonëse ka luftuar shumë për barin Ivacaftor, tani ajo flet me pesimizëm se i janë ndërprerë ëndrrat për një të ardhme më të mirë.

    Lajmi Paraprak

    Ahmeti për ditën e çlirimit të Kosovës: Gjeneratat e reja kanë përgjegjësi ta avancojnë republikën

    Lajmi i rradhës

    Futbollisti danez, Eriksen shpëton nga vdekja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë