MVL sot e kuptoi njoftimin e Kasamit për shpërbërjen e këshillit komunal të Tetovës

    Fotografia: Nistori

    Edhe pse Komuna e Tetovës dorëzoi te Ministria e Vetëqeverisjes Lokale (MVL) me 28 prill njoftimin për plotësimin e kushtit për shpërbërjen e Këshillit, MVL vetëm sot e pranoi shkresën, kjo erdhi pas pyetjeve të vazhdueshme të Portalb.mk se a e kanë pranuar të njëjtën dhe përgjigjeve të vazhdueshme se jo. Nga ministria njoftuan se arkivi në vend se ta përcjell shkresën te ato, të njëjtën e kishin dërguar te Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale. Ministria ka afat shtatë ditë nga sot që t’i propozojë Qeverisë për shpërbërje të këtij këshilli. Më pas Qeveria vendos për fatin e këtij këshilli sipas fuqisë ligjore, shkruan Portalb.mk.

    Qeveria këtë javë për Portalb.mk disa herë konfirmoi se njoftimi zyrtar nga Komuna e Tetovës për shpërbërje të këshillit nuk ka arritur në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Kurse nga Komuna e Tetovës thonin të kundërtën. Sot pas sigurimit të dëshmisë nga Komuna e Tetovës, të njëjtën e përcollëm edhe te Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe nga atje njoftuan se ka pasur lëshim teknik, pasi e njëjta ishte dorëzuar në vend të gabuar.

    Foto: Komuna e Tetovës
    Foto: Komuna e Tetovës

    Shkresa nga komuna e Tetovës në zyrën e arkivit është dorëzuar më 28 prill, por në vend të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale është dorëzuar në Inspektoratin Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale. Pas intervenimit të Ministrisë, shkresa nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale është dorëzuar sot në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Menjëherë pas pranimit, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale do të inicojë procedurën dhe do ta informojë Qeverinë brenda afatit ligjor”, thanë nga MVL për Portalb.mk.

    Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal. Arsye për këtë është fakti se këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

    Kryetari i Komunës së Tetovës e ka shkelur nenin 33 të  Ligjit për financim të pushtetit lokal, pasi nuk e ka dorëzuar projektligjin vjetor për miratim në Këshillin e Komunës, më së voni deri më 28 shkurt. Nga ku më pas Këshilli është dashur ta miratojë llogarinë vjetore për vitin paraprak më së voni deri më 15 mars dhe të ja dorëzon Ministrisë së Financave më së voni deri më 31 mars të këtij viti.

    Pika e miratimit të llogarisë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Tetovës për vitin 2021, në vend se të mbahet më 31 mars, kur është afati i fundit ligjor, atë ditë vetëm u lajmërua se kjo pikë së pari herë në rend dite do të jetë në seancën e nëntë e cila u mbajt me 7 prill 2021.

    Më 7 prill, e njëjta pikë nuk u miratua në këshill pasi këshilltarët kërkuan sqarime shtesë për të. Të përmbajtur votuan edhe këshilltarët e Lëvizjes Besa, së bashku me ASH-në, VMRO-në, dhe Më mirë për Tetovën, ndërsa pika u përkrah nga këshilltarët e BDI-së dhe LSDM-së.

    Në seancën e fundit, të dhjetën, me  27 prill, seanca dështoi, andaj dhe kjo pikë sërish nuk arriti të miratohet.

    Referuar këtyre ndodhive, sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, nenit 75 – pika 4, “këshilli mund të shpërbëhet nëse nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri në 31 mars të vitit vijues.

    Kasami nuk e respektoi afatin ligjor, topin e hedh te këshilltarët.

    I pyetur nga Portalb.mk se përse nuk e dorëzoi në këshill pikën e llogarisë përfundimtare në përputhje me afatet  ligjore por më vonë, Kasami tha se kanë qenë në negociata me këshilltarët e shumicës për të miratuar llogarinë përfundimtare.

    “Ne kur me 23 mars nuk arritëm të sigurojmë këtë shumicë ne u detyruam pa pasur marrëveshje me këshilltarët e shumicës ta çojmë në këshill, me 7 prill ajo u refuzua dhe sot jemi në këtë faze”, tha Kasami.

    Por edhe me 7 prill, ishin pikërisht edhe këshilltarët e Lëvizjes Besa së bashku me ASH-në, VMRO-në, dhe Më mirë për Tetovën,  të cilët votuan të përmbajtur që kjo pikë mos të kalojë, dhe të lihet për seancë tjetër. Edhe Kasami vetë kërkoi një pika e njëjtë të caktohet në një seancë të veçantë.

    Nëse këshilltarët e Lëvizjes Besa do kishin votuar pro me 7 prill, llogaria do ishte miratuar. Por për këtë Kasami u arsyetua kështu:

    “Nëse do votonim, do e prishnim shumicën. Ne kemi qenë të shantazhuar nga disa këshilltarë të shumicës që nëse nuk pranohen kërkesat e tyre do të shkohet në zgjedhje.”

    Ai shtoi se tendenca për zgjedhje është nga këshilltarët  pa përmendur emra, duke thënë se nga konstituimi i këshillit të Komunës së Tetovës kanë pasur një shumicë të brishtë, e cila ka qenë me probleme më shumë brenda shumicës se sa me opozitën në të cilën në të shumtën e rasteve kërkoheshin llogari të ndryshme. Referuar ngjarjeve në Këshill, Kasami fjalën e ka për këshilltarët e “Më mirë për Tetovën”. Ai madje tha se ka pasur edhe shantazhime nga disa këshilltarë të shumicës.

    “Disa nga këshilltarët e shumicës në këtë rast kanë bërë kalkulime të cilat ne i pamë edhe në opinion për të shantazhuar shumicën, që nëse nuk pranohen këshillat e tyre pa diskutim ata mund ta çojnë në krizë komunën, këtë rast këshillin në zgjedhje”, tha sot Kasami.

    Këshilltarja Elmedina Abdullai nga “Më mirë për Tetovën” tha se nuk janë të informuar në lidhje me negociata të kësaj natyre.

    “Kryetari Bilall Kasami do të duhet të qartësoj për çfarë negociata bëhet fjalë dhe cilët janë ata këshilltarë të shumicës që kanë kundërshtuar. Informata e fundit që kemi në këtë drejtim, dhe që mund të verifikohet publikisht nga evidenca arkivore dhe inçizimet e mbledhjeve të këshillit, është se arsyeja për shpërbërjen e këshillit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja është mosrespektimi dhe shkelja e afateve ligjore nga udhëheqësia komunale. Tani, si rezultat i papërgjegjsisë të udhëheqësisë Komunale, Këshilli i Komunës detyrohet të shkojë në zgjedhje”, tha Abdullai.

    Këshilltari komunal opozitar nga LSDMIlija Dimitrievski u është drejtuar dy institucioneve që të kryejnë inspektim të jashtëzakonshëm për të përcaktuar gjendjen në Komunë.

    “Për të përcaktuar qartë gjendjen faktike me gjendjen e re për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës dhe për të hequr çdo dyshim se Këshilli i Komunës së Tetovës me veprimet e tij ka çuar në shpërbërjen dhe ka kontribuar në organizimin e zgjedhjet e reja lokale për Këshillin, si qytetar i jam drejtuar me shkrim institucioneve kompetente, Inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale dhe Inspektoratit Financiar në sektorin publik, me kërkesë për kryerjen e inspektimit të jashtëzakonshëm në Komunën e Tetovës për të përcaktuar gjendjen faktike.Kërkesat i parashtroj publikisht në media”, tha Dimitrievski.

    Kërkesat e tij mund ti shihni më poshtë:Foto: Ilija DimitrievskiFoto: Ilija Dimitrievski

    Për rastin në fjalë, sipas dispozitave ligjore, ministri Goran Milevski tha se qëndrimi i ministrisë lidhur me Këshillin e Komunës së Tetovës është i qartë dhe është në përputhje me ligjin. Kjo ministri në afat prej shtatë ditëve nga sot pasi pranoi njoftimin e Komunës së Tetovës do duhet t’i paraqesë propozimin Qeverisë së RMV-së për shpërbërje të këtij këshilli.

    Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në afat prej një muaj nga dita e pranimit të propozimit duhet të sjell vendim për shpërndarjen e këshillit sipas fuqisë ligjore, të cilin e shpall në “Gazetën Zyrtare të RMV-së”. Ndërsa për periudhën e mbetur zgjedhore do të shpallen zgjedhje të reja për këshill në përputhje me Ligjin për zgjedhje lokale.

    Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) thonë se sipas nenit 16 dhe 159 të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e mundshme të parakohshme për Këshillin e Komunës së Tetovës shpallen pas plotësimit të kushteve të përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

    “Në pajtim me nenin 12 paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor, aktin për shpalljen e zgjedhjeve e miraton Kryetari i Kuvendit dhe me të caktohet dita kur fillojnë të rrjedhin afatet për kryerjen e aktiviteteve zgjedhore dhe dita e zgjedhjeve. Për këtë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miraton orarin në të cilin përcaktohen të gjitha afatet për kryerjen e veprimtarive zgjedhore për mbajtjen e zgjedhjeve. Për procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve në listën e kandidatëve për anëtarë të këshillit, zbatohen dispozitat e nenit 62 dhe nenit 63 të Kodit Zgjedhor, pas shpalljes së zgjedhjeve për anëtarë të këshillit dhe miratimit të orarit të zhvillimit të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhje nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve”, sqaruan nga KSHZ.

    Përgjigje e KSHZ-së
    Përgjigje e KSHZ-së
    Përgjigje e KSHZ-së
    Përgjigje e KSHZ-së

    Ndryshe, rrjedhja e këtij procesi varret nga ajo se çfarë do të vendos Qeveria më tej për Këshillin e Komunës së Tetovës.

    Ndryshe, Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë. Nëntë nga BDI (në fillim u ishin dhjetë, por më pas një kaloi në Lëvizjen Besa), nëntë nga Lëvizja Besa (në fillim ishin tetë, por më pas një nga BDI kaloi në LB), katër VMRO-DPMNE, dy ASH, dy LSDM, dy Më mirë për Tetovën, dy PDSH dhe një Alternativa. Për momentin Këshilli ka 30 këshilltarë, pasi një nga Lëvizja Besa u tërhoq për të marrë funksionin e shefit të urbanizmit në komunë, ndërsa këshilltarit të ri në seancën e fundit me 27 prill nuk arriti t’i verifikohet mandati pasi seanca dështoi.

    Lajmi Paraprak

    Kasami kërkon nga Prokuroria që të hetojë rastin e Teuta Arifit për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Lajmi i rradhës

    Cilat produkte bëni gabim të qëroni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë