Nataliteti dhe numri i të punësuarve rëndojnë sistemin pensional në RMV

    Sistemi pensional në Maqedoninë e Veriut përballet me sfida serioze për shkak të plakjes së popullsisë dhe përkeqësimit të raportit ndërmjet të punësuarve dhe pensionistëve. Aktualisht, ky raport është 1.64 të punësuar për një pensionist, krahasuar me 1.86 sa ishte një dekadë më parë, çka sinjalizon presion në rritje mbi qëndrueshmërinë e sistemit. Analiza e Entit Shtetëror të Revizionit tregon se, ndonëse pensionet paguhen në kohë, sistemi përballet me rreziqe afatgjata për shkak të trendeve demografike të pafavorshme, normave të ulëta të kontributeve dhe rritjeve të pensioneve që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me rritjen e pagave dhe punësimit. Deficiti në shtyllën e parë të sistemit mbulohet kryesisht nga buxheti i shtetit. Vetëm në vitin 2024, transfertat arritën në rreth 690 milionë euro, ndërsa për vitin 2025 pritet të kalojnë 800 milionë euro. Ky trend në rritje vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit.

    REFORMAT, NEVOJË URGJENTE

    Auditorët paralajmërojnë se, në mungesë të reformave strukturore dhe të koordinuara, sistemi i pensioneve dhe mbrojtjes sociale mund të mos jetë në gjendje t’i përgjigjet plakjes së përshpejtuar të popullsisë. Ndër masat e rekomanduara janë: rritja e moshës së pensionimit, rregullimi i normave të kontributeve, rishikimi i formulës për llogaritjen e pensioneve, diversifikimi i investimeve në shtyllën e dytë dhe zgjerimi i shërbimeve për të moshuarit.

    Drejtori i Fondit të Pensioneve, Nikola Memov, megjithatë siguron se sistemi nuk rrezikon kolaps. Ai thekson se pagesa e pensioneve garantohet nga shteti dhe çdo mungesë mbulohet përmes buxhetit.

    “Qytetarët duhet të jenë të qetë dhe të sigurt se pensionet do të paguhen për sa kohë ekziston shteti”, deklaroi Memov, duke shtuar se modele të ndryshme funksionojnë në vende të ndryshme dhe nuk ka një formulë universale. Ai nënvizon se pothuajse të gjitha vendet e BE-së përballen me deficite në fondet pensionale dhe mbështeten në financim buxhetor. Megjithatë, edhe FMN ka rekomanduar shqyrtimin e reformave në vend.

    RREZIK DEMOGRAFIK DHE FISKAL

    Sipas projeksioneve, deri në vitin 2055 çdo i treti banor në vend do të jetë mbi 65 vjeç. Në të njëjtën kohë, popullsia në moshë pune pritet të ulet me rreth 470 mijë persona, duke rritur presionin mbi financat publike dhe sistemin pensional. Transfertat buxhetore për pensione mund të arrijnë deri në 7.4% të PBB-së në vitin 2057, duke krijuar një barrë të konsiderueshme për shtetin. Ndërkohë, mosha mesatare e popullsisë është rritur ndjeshëm – nga 32.3 vjeç në vitin 2000 në 41.8 vjeç në vitin 2024. Rënia e lindjeve dhe emigrimi mbeten faktorët kryesorë të kësaj tendence.

    SFIDAT TË NGJASHME ME BE-në

    Sipas studimit evropian “FutureRes”, vendet e BE-së përballen me probleme të ngjashme – jetëgjatësi më të lartë dhe norma të ulëta lindjeje, që krijojnë çekuilibër mes kontribuuesve dhe përfituesve të pensioneve. Ekspertët sugjerojnë një qasje të kombinuar reformash: rritje e pensioneve minimale për mbrojtjen e grupeve vulnerabël, model progresiv për uljen e pabarazive, rritje e moshës së pensionimit, forcim i shtyllave private të kursimeve. Megjithatë, nuk ekziston një zgjidhje universale dhe çdo vend duhet të përshtatë politikat sipas realitetit të vet.

    Raporti i Revizionit evidenton mangësi serioze në kujdesin për të moshuarit. Pas vitit 2020, vendi nuk ka një strategji gjithëpërfshirëse për këtë kategori. Shërbimet sociale janë të kufizuara – kujdesi në shtëpi është i disponueshëm për më pak se 1% të personave mbi 65 vjeç dhe mungon në shumë komuna. Pjesa më e madhe e kujdesit mbetet barrë e familjeve. Gjithashtu, investimet e fondeve pensionale janë të përqendruara kryesisht në obligacione shtetërore, duke kufizuar kthimin real të investimeve për shkak të inflacionit.

    RRITJE PENSIONESH, POR JO QËNDRUESHMËRI

    Pensionet janë rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit dhe në tetor 2025 arritën mesatarisht rreth 27.143 denarë. Megjithatë, kjo rritje nuk është shoqëruar me rritje të kontributeve apo numrit të të punësuarve, duke e bërë sistemin gjithnjë e më të varur nga buxheti i shtetit. Raporti përfundon se, megjithëse institucionet kanë ndërmarrë disa masa, ato nuk janë të mjaftueshme për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë. Pa reforma të thella dhe të koordinuara, sistemi pensional rrezikon të përballet me presione të papërballueshme në të ardhmen, si pasojë e plakjes së popullsisë dhe uljes së fuqisë punëtore. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Akuza për presion mbi drejtësinë | Letra në BE dhe akuza për “autoritarizëm”

    Lajmi i rradhës

    Mbi 800 familje në Dibër me probleme sociale, fondet sociale mbeten të pashfrytëzuara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë