Ndërmarrjet publike të Ohrit në vështirësi financiare

    Ndërmarrjet Publike në Ohër janë në gjendje të vështirë financiare, ndërsa shtrenjtimi i rrymës po i çon drejt kolapsit. Faturat e energjisë elektrike janë rritur jashtëzakonisht. Janë pesë deri në gjashtë herë më të larta se vitin e kaluar. Nga vetëqeverisja lokale thonë se plani i Qeverisë për kursim do të zbatohet, por gjendja e vështirë financiare do të jetë problem serioz dhe do të vë në pikëpyetje funksionimin normal. Kryetari i Komunës së Ohrit Kirill Pecakov shprehet se këto ndërmarrje i gjeti në gjendje të vështirë financiare.

     “Në vetëqeverisjen lokale, veçanërisht në ndërmarrjet publike, situata është më se kaotike, një ndërmarrje siç është  Ujësjellësi nuk ka aspak të ardhme të ndritur, kështu siç po shkojnë punët. Fatura e fundit e rrymës në Ndërmarrjen Ujësjellësi është 14 milionë denarë, ndërsa të ardhurat janë rreth 10,5 milionë denarë, paga për punëtorët është nga 8,5 deri në 9 milionë denarë me rritje të pagës minimale. As rroga nuk mund të paguajmë, as energjinë, kjo është rrëmujë totale”, tha Kirill Pecakov, kryetar i komunës së Ohrit.

    Kërkohet një zgjidhje që ndërmarrjet publike që merren me furnizimin me ujë të pijshëm të jenë në një treg të rregulluar në mënyrë që të përballojnë presionet. Ndryshe vihet në pikëpyetje ofrimi i shërbimeve për qytetarët. Pecakov thotë se Qeveria nuk është gati për të ndihmuar në këtë aspekt.

     “Vetëqeverisja lokale ka mbajtur takim me qeverinë dhe kontaktet private që kemi pasur, i lusim që të gjejmë një mënyrë që të paktën Ndërmarrjet Publike ata që merren me ujin, kryesisht që e sigurojnë ujin deri tek shtëpitë e qytetarëve tanë, të jenë në treg të rregulluar dhe me këtë të mundemi ta përballojmë gjithë këtë presion, megjithatë Qeveria nuk është gati për këtë thirrje, nuk ka si t’i sigurojë ato fonde me një treg të rregulluar dhe problemet do të vazhdojnë”, deklaroi Kirill Pecakov, kryetar i komunës së Ohrit.

    Kryetari i Ohrit paralajmëroi mbajtjen e një mbledhjeje në kuvendin e Vetëqeverisjes Lokale për tejkalimin e këtyre situatave, në të kundërtën rrezikohet kolaps i plotë financiar i komunës. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Bien çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare

    Lajmi i rradhës

    A do të zhvillohet mësimi online në ditët e ftohta të dimrit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë