Ndihmat familjare penalizojnë studentët

    Të dielën përfundoi afati për aplikim në subvencionet ushqimore për studentët, por tashmë një numër i madh i tyre kanë mbetur jashtë për shkak të mënyrës se si janë interpretuar të dhënat për të ardhurat nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP). Sipas ankesave të studentëve, shumë aplikime janë refuzuar sepse DAP ka marrë parasysh çdo prurje në llogarinë bankare, edhe ato që nuk përbëjnë të ardhura reale, duke e bërë të pamundur përfitimin e subvencionit.

    Trupi Kombëtar Studentor reagoi ndaj kësaj praktike duke theksuar se kriteret që po përdoren aktualisht janë të paqarta dhe po shkaktojnë përjashtime të padrejta. Në reagimin e tyre, ata nënvizojnë se institucionet përkatëse duhet të kuptojnë se “të ardhurat” dhe “prurjet” në llogaritë bankare nuk janë e njëjta gjë dhe se për këtë arsye shumë studentë janë dëmtuar nga mënyra e përllogaritjes së të dhënave. “Institucionet duhet të bëjnë dallim të qartë midis ‘të ardhurës’ dhe ‘prurjeve’ në llogaritë studentore, në mënyrë që të parandalohet refuzimi i padrejtë i studentëve për këtë masë. DAP do të dërgojë në Ministrinë e Arsimit vetëm të dhëna që përfshijnë të ardhura të mirëfillta, si paga, honorarë apo veprimtari të pavarura, ndërsa çdo transferim tjetër, si ndihmat familjare apo pagesat jo fiskale, nuk duhet të llogaritet si e ardhur. Përndryshe, sistemi i aplikimit i penalizon studentët që nuk kanë të ardhura, por që pranojnë ndihmë familjare apo mbështetje të rastësishme financiare”, theksojnë nga Trupi Kombëtar Studentor.

    Nga Trupi Kombëtar Studentor deklarojnë se në përputhje me nenin 9, paragrafi 1 i Ligjit për ushqimin e subvencionuar të studentëve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 31/20, 150/21, 251/22, 91/23, 30/24 dhe 74/25), përfituesit e së drejtës për ushqim të subvencionuar të studentëve janë studentët me kohë të plotë të regjistruar në ciklin e parë, përkatësisht ciklin e dytë të studimeve, si dhe në studime të integruara në universitete shtetërore dhe private, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe që nuk kanë të ardhura mujore mbi asnjë bazë më të larta se paga minimale neto për vitin aktual.

    Ata kërkojnë gjithashtu që MASH-i ta harmonizojë metodologjinë e kontrollit të të ardhurave me përkufizimin ligjor të termit “të ardhura” në Ligjin për subvencionimin e ushqimit studentor. “Kjo kërkesë synon të sigurojë zbatim të barabartë dhe të drejtë të Ligjit, i cili nuk do të diskriminojë studentët që nuk fitojnë të ardhura reale, por përkundrazi marrin mbështetje financiare familjare ose jofiskale. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar një aplikim të drejtë dhe të barabartë të ligjit, pa diskriminim ndaj studentëve që realisht janë në nevojë”, thuhet më tej në reagim.

    Ndërkohë, shumë studentë thonë se janë njoftuar për refuzimin e aplikimeve vetëm disa ditë pas përfundimit të afatit, ndërsa, disa prej tyre shprehen se nuk kanë asnjë të ardhur personale dhe se prurjet në llogaritë e tyre janë ndihma të vogla nga familjarët apo miqtë. Ndryshe, studentët kërkojnë që MASH-i të reagojë urgjentisht dhe të rishqyrtojë rastet e refuzuara, duke u bazuar në të dhëna reale e jo në interpretime formale të sistemit fiskal. Përndryshe, siç theksojnë ata, një masë që është krijuar për të ndihmuar studentët në nevojë, po i përjashton pikërisht ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Nga viti i ardhshëm regjistrim plotësisht i automatizuar i fëmijëve të sapolindur

    Lajmi i rradhës

    Çmimet që po ndryshojnë tregun çdo ditë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë