Ndotja e ajrit nuk do të zhduket me 50 mijë automjete të reja, aq sa janë sjellë në Shkup në dhjetëvjeçarin e fundit (Inforgrafik)

    Java Evropiane e Lëvizshmërisë përfundon sot, ndërsa këtyre ditëve të fundit nëpër komunat e Maqedonisë u mbajtën manifestime të shumta me biçikleta dhe deklarata të zyrtarëve me udhëzime për shfrytëzimin e transportit alternativ. Por në realitet shifrat zyrtare flasin për një rritje të numrit të automjeteve në vend, ndërkohë që për cilësinë e dobët të ajrit në Shkup këto ditë raportoi edhe Gazeta Gardian, shkruan Meta.mk

    Vitin e kaluar për herë të parë në historinë e tij Shkupi e ka tejkaluar numrin prej 200.000 automjetesh në rrugë, ndërsa në Maqedoni është regjistruar një numër i ri rekord i automjeteve të regjistruara – gjithsej 569.871, prej të cilave 483.482 janë automjete me targa të Maqedonisë. Në të njëjtën kohë shqetësuese janë shifrat për vjetërsinë mesatare të automjeteve, e cila në vitin 2022 ka arritur në 19.5 vjet, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave.

    Numri i automjeteve të regjistruara në Maqedoninë e Veriut. Infografik nga Meta.mk
    Numri i automjeteve të regjistruara në Maqedoninë e Veriut. Infografik nga Meta.mk

    Për vite me radhë shkalla e motorizimit të qytetarëve të Maqedonisë ka shënuar një rritje konstante. Në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, numri i automjeteve të regjistruara në vendin tonë është rritur me gati 120 mijë automjete, ndërsa në pjesën më të madhe kjo është si rezultat i blerjes së automjeteve nga qytetarët.

    Shkupi me rritje të pandalshme të numrit të automjeteve

    Deri më tani numri më i madh i automjeteve është në Shkup. Vitin e kaluar në kryeqytet ka pasur 203.741 automjete, nga të cilat 172.921 automjete të vogla për udhëtarë.

    Numri i veturave të regjistruara në territorin e Qytetit të Shkupit
    Numri i veturave të regjistruara në territorin e Qytetit të Shkupit

    Brenda vetëm një dekade numri i automjeteve në Shkup është rritur për 50.000 automjete. Këto automjete kanë nevojë për hapësirë ​​parkimi, si dhe bulevarde dhe rrugë të zgjeruara që të mund të zbutet rrëmuja që e shkaktojnë ato në komunikacion. Ajo që është më shqetësuese sa  i përket kryeqytetit maqedonas është se ato komuna që kanë probleme më të mëdha me komunikacionin, në fakt kanë edhe shkallë më të lartë të motorizimit të banorëve.

    Kështu, në komunën Qendër të Shkupit, e cila është më e vogla për nga sipërfaqja në Shkup dhe ka problemin më të madh me mungesën e hapësirave për parkim, në vitin 2022 është regjistruar numri më i madh i automjeteve, gjegjësisht 33.556 automjete ose rreth 4.000 më shumë krahasuar me një dekadë më parë.

    Rritje shumë të madhe të automjeteve të regjistruara ka edhe në Komunën e Aerodromit, dhe atë 10.000 automjete brenda një periudhe 10 vjeçare. Në vitin 2012 në këtë komunë të Shkupit ka pasur 19.126 automjete, ndërsa vitin e kaluar janë regjistruar 29.785 automjete. Pas Komunës së Aerodromit vjen Komuna e Karposhit, e cila në vitin 2022 ka pasur 28.081 automjete të regjistruara nga banorët e saj.

    Për dallim nga këto, Komuna e Shuto Orizares është njësia e vetëqeverisjes lokale e cila e ka numrin më të vogël të automjeteve në Shkup – 3.681 automjete në vitin 2022, ndërsa në nivel të kryeqytetit për vite me radhë ka kontributin më të ulët në bllokimin e trafikut, në mungesën e vendparkimeve në Shkup dhe në ndotjen e ajrit.

    Rritet vjetërsia mesatare e automjeteve 

    Përveç rritjes së numrit të automjeteve në rrugët e Maqedonisë, ajo që është më shqetësuese është vetë siguria e automjeteve që qarkullojnë nëpër rrugë për çdo ditë. Të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2022 vjetërsia mesatare e automjeteve vazhdon të rritet.

    Kështu, në vitin 2022 u regjistrua vjetërsia rekord e automjeteve në vend që ishte 19.5 vjet. Sa i përket autobusëve që transportojnë udhëtarë shifrat janë edhe më dramatike. Vjetërsia mesatare e autobusëve vitin e kaluar është rritur në 19.6 vjet. Ndryshim negativ në jetëgjatësinë ka edhe tek kamionët, e kështu vjetërsia mesatare e tyre në vitin 2022 ka qenë 17 vjet.

    Një dekadë më parë, në vitin 2012, mosha mesatare e automjeteve në Maqedoni ka qenë 16.8 vjet, për autobusët ka qenë 16.7 vjet, ndërsa për kamionët ajo ka qenë 14.7 vjet.

    Këto të dhëna statistikore në vendin tonë përkeqësohen me kalimin e çdo viti, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme se pjesëmarrja e transportit në ndotjen e ajrit dhe emetimet e gazrave serrë në Maqedoni po rritet vazhdimisht.

    Meta.mk tashmë për një kohë më të gjatë shkruan për nevojën e ndalimit të importit të automjeteve me standarde të emetimit nën EURO 5, por e gjithë kjo procedurë tashmë tre vite ka ngecur tek institucionet – Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat duhet ta miratojnë një vendim të këtillë.

    E përderisa autoritetet maqedonase janë në pritje të vendimit, Bashkimi Evropian këtë verë njoftoi se do t’i ashpërsojë kriteret për eksportin e automjeteve të përdorura jashtë vendeve anëtare të BE-së. Në dokumentin “Regulation Of The European Parlament And Of The Council on circularity requirements for vehicle design and on management of end-of-life vehicles, amending Regulations ” janë përcaktuar kriteret sipas të cilave automjetet e vjetra nuk do të mund të eksportohen në shtetet anëtare.

    Të ndaluara për eksport jashtë BE-së do të ishin automjetet vlera e shitjes në treg të të cilave  është më e ulët se çmimi për riparimet e nevojshme që duhen bërë për ta sjellë mjetin në gjendjen teknike sipas standardeve të BE-së. Gjithashtu, automjeti do të konsiderohet i papërshtatshëm për eksport në vendet jashtë BE-së, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, nëse një nga komponentat e mëposhtme të automjetit nuk mund të riparohet ose zëvendësohet: gomat, rrotat, timoni, komponentat e kontrollit, karroseria, shasia, sediljet, airbag-ët, elementet për siguri, komponentat strukturore dhe të sigurisë që nuk mund të zëvendësohen, korrozioni i tepërt. Gjithashtu, nëse ndryshohet identiteti origjinal i mjetit, të ndaluara për eksport do jenë edhe automjetet e përdorura që cilave duhet t’u ndërrohet motori, marshi, karroseria apo shasia.

    Komisioni Evropian fillimisht duhet të njoftojë se kur do të fillojë zbatimi i rregullave më të rrepta për eksportin e automjeteve nga vendet anëtare të BE-së, por është pothuajse e sigurt se ato do të kenë ndikim edhe në importin e automjeteve të vjetra në Maqedoni. Për këtë propozim të Komisionit Evropian duhet të vendosin Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian.

    Lajmi Paraprak

    Çdo i treti në Maqedoni ballafaqohet me varfërinë!

    Lajmi i rradhës

    Të jetosh si fëmijë i braktisur në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë