Të jetosh si fëmijë i braktisur në RMV!

    Në moshën katër vjeçare së bashku me dy vëllezërit e saj u braktis nga të dy prindërit dhe u rrit në SOS Fshatin e Fëmijëve në Shkup.

    Tashmë 25 vjeçare, E.B jeton me SOS nënën Remka e cila e rriti atë për 21 vite dhe nuk hoqi dorë as kur u pensionua. Sot, edhe pas shtatë viteve nga dalja e saj prej SOS Fshatit të Fëmijëve, E.B rrëfen me emocion të madh për kujtimet e fëmijërisë që i ka kaluar në këtë qendër dhe thotë që dashurinë, përkrahjen, besimin dhe përqafimet i ka gjetur në krahët e stafit të kësaj qendre për fëmijë. “Stafi i SOS Fshatit të Fëmijëve ku unë dhe dy vëllezërit e mi u rritëm, së bashku me nënë Remka na e kanë mësuar se çka do të thotë dashuria dhe si është të jesh fëmija i dikujt. Ditët në këtë qendër i kemi kaluar duke luajtur me të gjithë fëmijët e tjerë, duke mësuar dhe kryer obligimet që i kishim secili rreth shtëpisë ku jetonim. Ata na kanë mësuar se si të mbajmë higjienën, si duhet të gatuajmë ushqim, na kanë edukuar si të sillemi me njerëzit, pra në parim, si të jemi sa më të edukuar”, thotë E.B.

    “Tezja”, “gjyshja”, “daja”, E. B i thërret familjarët e nënës Remka, të cilët, siç shprehet ajo, i kanë plotësuar zbrazëtirën shpirtërore që kishte ajo për një familje të sajën. “Kur jetonim në SOS Fshatin, nëna Remka na çonte për vizitë tek familja e saj të cilët ne i quajmë teze, gjyshe, dajë sepse na kanë trajtuar si nipërit e tyre. Çdo festë dhe ditëlindje ende i festojmë së bashku. Kur nëna u pensionua nga qendra, ajo na mori të treve në shtëpinë e sajë sepse lidhja emocionale që kishim krijuar sa ishim pjesë e qendrës, ishte shumë e fortë dhe nuk kemi mundur të ndaheshim. Kjo familje që kam tani, përkujdesen për ne edhe financiarisht”, shton ajo.

    Në moshën 15 vjeçare, banorët e SOS Fshatit transferohen në të ashtuquajturat “shtëpi e rinisë”, në të cilën E. jetoi edhe për tri vite të tjera, deri në punësimin e saj por mbas pesë vitesh ajo u detyrua ta lërë punën për shkak të rrogës së pamjaftueshme e cila ishte nën minimalen dhe pa sigurim social.

    “Për pesë vite kam punuar punë administrative në kuadër të një projekti, për 15.000 denarë pa vendim pune dhe pa sigurim. Pas përfundimit të shkollës së mesme u regjistrova në fakultetin e Juridikut ‘Justiniani i Parë’ në Shkup, mirëpo pas përfundimit të vitit të parë u detyrova t’i ndërpres studimet shkaku i kushteve financiare sepse paga që e merrja në punë nuk ishte e mjaftueshme t’i mbuloja shpenzimet e studimeve”, rrëfen E.B

    Sipas Raportit për Mbrojtjen sociale të fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve për vitet 2013-2014 të Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2013 janë regjistruar 1094 fëmijë pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore, 43 prindërve u është hequr e drejta prindërore ndërsa 345 prindër janë penguar në kryerjen e detyrës prindërore.

    Numri i fëmijëve që aktualisht ndodhen në kompleksin prej 10 familjesh kujdestare në SOS Fshatin e fëmijëve në Shkup është nga 2 deri në 14 vjeç dhe në 4 lokacione të tjera në Shkup ka edhe 28 të rinj pa përkujdesje prindërore deri në moshën 18 vjeçare. Nëpërmjet SOS Fshatit, Qendra për Mbështetjen e Familjeve Birësuese ofron mbështetje për 140 fëmijë të cilët janë në 70 familje kujdestare në rajonin e Shkupit, Vardarit dhe rajonit Juglindor.

    Në SOS Fshatin e fëmijëve në Shkup thonë se kanë edhe një program për jetesë gjysmë të pavarur në kuadër të të cilit vlerësohen në thellësi nevojat, interesat dhe potenciali i çdo të riu, krijohet një plan zhvillimor për pavarësi, punohet për përfshirje aktive sociale të të rinjve përmes aktiviteteve të ndryshme dhe ekziston iniciativë për forcimin e tyre, si dhe punohet me të rinjtë për të krijuar një profesion, strehim dhe punësim.

    “Në këtë fushë, bashkëpunimi që kemi me Agjencinë e Punësimit, Qendrat e Punës Sociale, partneritetet me kompanitë përgjegjëse sociale, përmes të cilave hartohen mundësitë e punësimit është i rëndësishëm. Përveç kësaj mbështetjeje, shteti ka edhe një sërë masash mbështetëse (pra të drejta dhe shërbime) që mund t’i arrijnë të rinjtë. Këtu do të përmendja të drejtën për të ardhura minimale të garantuara, por edhe strehim për personat që deri në moshën 18 vjeç kishin statusin e fëmijës pa prindër dhe kujdes prindëror, të cilët nuk kanë të ardhura dhe pasuri nga e cila mund të ushqehen, derisa të arrijë moshën 26 vjeç. Shuma e ndihmës financiare llogaritet sipas rregullave dhe vendimeve që Qeveria merr çdo vit përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale”, thonë SOS Fshati i Fëmijëve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ndotja e ajrit nuk do të zhduket me 50 mijë automjete të reja, aq sa janë sjellë në Shkup në dhjetëvjeçarin e fundit (Inforgrafik)

    Lajmi i rradhës

    Riciklimi, mundësi e mirë përfitimi për pronarët e restoranteve në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë