Kajsi të prodhimit vendor nuk do të kemi as për ilaç këtë vit, ndërsa qershitë e vendit do të shitën me çmim tepër të lartë në treg.
“Shiko këto lulet që kishin çelur, janë tharë të gjitha dhe këtu s’ka më asgjë. Ja cilat kanë mbetur, tjerat janë djegur 80 për qind”, tha Izet Latifi – Kultivues i qershive.
Për shkak të uljes së temperaturave dhe borës së prillit, shumë kultivues që sigurojnë ekzistencën vetëm nga këto dy kultura bujqësore, do të përballën me humbje të mëdha këtë vit.
“Kajsi nuk do të kemi as për ilaçe këtë vit, ja duket që janë djegur tërësisht nga i ftohti. Për qershitë kemi ende shpresa por ama kajsitë janë djegur tërësisht”, tha Izet Latifi – Kultivues i qershive.
” Kemi edhe në vendet tjera dhe janë mbi 1000 rrënjë por të gjitha janë dëmtuar tërësisht. Sa prodhim pritnit të merrni? Nga 1000 rrënjë pritnim të marrim 30 tonë por këtë vit s’do marrim aspak”, shtoi Izet Latifi – Kultivues i qershive.
Lulet e kajsive janë tharë tërësisht nga i ftohti ndërsa ato të qershisë janë dëmtuar pjesërisht, por frika e kultivuesve është se nëse vazhdon edhe më tej i ftohti, atëherë në treg nuk do të kemi as qershi vendore.
“Nëse e konvertojmë dëmin në para, sa dëm është shkaktuar? Për 1,000 pemë, njëqind mijë euro. Si do ia bësh? Këtë vit do rrimë ndërsa vitin tjetër përsëri do të luftojmë të mbijetojmë, çfarë të bësh, ajo është”, tha Izet Latifi – Kultivues i qershive.
“Porosia ime është që të dilet në terren dhe të ndihmohen bujqit sepse nga ajo ekzistojnë dhe të ndihmohen si në çdo shtet tjetër”, shtoi Izet Latifi – Kultivues i qershive.
Përveç kultivuesve të pemëtarisë, edhe shumë bujq tjerë në Maqedoninë e Veriut, kanë pësuar dëme të mëdha nga ulja e temperaturave dhe bora e prillit. Ata kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë që së paku të kompensohen shpenzimet që të mund të vazhdojnë me prodhimtarinë e kulturave bujqësore vendore. /Alsat/