NDRYSHIMET KUSHTETUESE | LSDM: Bllokadat mund t’i kushtojnë vendit 10 miliardë euro

    Me bllokimin e amendamenteve kushtetuese, VMRO-DPMNE dhe Hristija Mickoski jo vetëm që e largojnë vendin nga rruga evropiane, por edhe ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik, reagon LSDM.

    “BE është partneri ynë kryesor tregtar, me 77.5 për qind të eksporteve të vendit dhe 51 për qind të importeve. Përveç kësaj, BE-ja është mbështetësi ynë financiar, donatori dhe kreditori më i madh në të gjitha fushat, na ndihmon në evropianizimin e modelit të biznesit maqedonas. Bllokada nga DPMNE mund t’i kushtojë vendit tonë 10 miliardë euro më pak mjete nga BE-ja”, tha Daniela Nikolova, deputete e LSDM-së, në konferencën e sotme për media.

    Ajo kujtoi se vetëm në procesin aktual të integrimit evropian të vendit, përmes IPA-s, grante për krizën energjetike, ndihma makroekonomike, mbështetje për kompanitë e vogla dhe të mesme, ndihma për zbutjen e pasojave ekonomike të pandemisë, programe arsimore e të tjera, në vend janë mbledhur mbi 1,2 miliardë euro nga fondet evropiane. Në të ardhmen, shtoi Nikolova, duke përshpejtuar integrimin evropian dhe anëtarësimin e plotë, programet dhe fondet e BE-së mund të jenë 11 herë më të larta se sa kemi deri më tani.

    “Por, bllokadat e DPMNE-së dhe Mickoskit mund të çojnë në humbjen e këtyre mundësive të konsiderueshme financiare për shtetin, biznesin dhe qytetarët. Mickoski dhe DPMNE mohojnë gjithashtu mundësinë për rritje të madhe të pagave dhe rritje të standardit jetësor të qytetarëve, duke pasur parasysh faktin se, në pesë vitet e para pas anëtarësimit në BE, rritja e pagave në vendet anëtare të BE-së varionte nga mbi 50 për qind, deri në 100 për qind. Në pesë vitet e para pas anëtarësimit, në mesin e vendeve të BE-së, ritmet e rritjes së PBB-së u rritën nga 80 në 90 për qind, por në rast të ndërprerjes së proceseve integruese, ato ritme mund të mbeten të paarritshme për vendin tonë, ashtu si dhe qasja e kompanive maqedonase në tregun evropian me 500 milionë”, tha Nikolova.

    Përfitimet e anëtarësimit në BE janë të mëdha, tani kemi mundësi unike, një derë të hapur për rrugën evropiane dhe ky shans duhet shfrytëzuar, sepse 80 për qind e qytetarëve janë të vendosur qartë për anëtarësim në BE, janë decid nga partia në pushtet.

    Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mbrëmë në Kërçovë ka përsëritur qëndrimin e partisë se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese nën diktimin bullgar dhe paralajmëroi se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të ndodhin, partia e tij do të bëjë rezultat historik.

    “Sot Evropa dhe bota po bëjnë një strategji për të thyer VMRO-DPMNE-në dhe për t’i kaluar këto 44 amendamente të pabesa kushtetuese në parlament të përshtatura sipas diktateve bullgare. Ne duhet të bashkohemi, të qëndrojmë rreth qëllimit të përbashkët, e kjo është një fitore e madhe në zgjedhjet e ardhshme, reforma të forta dhe Maqedonia ashtu siç e dëshirojmë të gjithë dhe fëmijët tanë të qëndrojnë në shtëpi”, tha Mickoski.

    Ndërkohë, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, nesër (e enjte, 24 gusht 2023) do të vizitojë Shkupin. Eskobar do të jetë në vend edhe të premten (25 gusht), kur janë planifikuar edhe shumica e takimeve me bashkëbiseduesit e tij. Përveç kreut shtetëror-qeveritar, Escobar do të takohet edhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

    Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

    Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

    Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

    Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

    Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

    Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

    Lajmi Paraprak

    Escobar vjen në Shkup, Mickoski: Qeveria e ka thirrë për torturë dhe presion

    Lajmi i rradhës

    Qeveria gjermane pajtohet t’i lehtësojë procedurat për marrje të shtetësisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë