NDRYSHIMET NË KUSHTETUTË | Bullgarët para “shqipes”!

    LSDM nuk ka përgjigje konkrete nëse mbështet zëvendësimin e fjalës “gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve” me termin “gjuha shqipe”, pasi partneri i koalicionit Aleanca për Shqiptarët propozoi që kjo temë të shqyrtohet në grupin punues të sapoformuar për ndryshimet kushtetuese. ASH paraprakisht u bëri thirrje të gjitha partive që të marrin pjesë në grupin e punës të Ministrisë së Drejtësisë dhe siç thonë ata të korrigjojnë padrejtësinë rreth emërtimit të gjuhës. BDI-ja theksoi se do të japë mbështetje, por thonë se duhet pasur kujdes me këtë çështje, që të mos përdoret si alibi gjatë procesit të votimit të ndryshimeve kushtetuese. Qëndrim të ngjashëm me BDI-në kanë edhe socialdemokratët, të cilët thonë se në këtë moment prioritet i vetëm është futja e komuniteteve.

    “Ne jemi të hapur për të diskutuar të gjitha çështjet, por prioritet i rëndësishëm janë ndryshimet kushtetuese në fushën e futjes së bullgarëve, malazezëve dhe kroatëve, sepse është e rëndësishme, është parakusht për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian”, deklaroi Darko Kaevski, deputet i LSDM-së.

    Paraprakisht, mbështetje për ndryshimin e formulimit kishte edhe presidenti Stevo Pendarovski, sipas të cilit identiteti etnik nuk duhet të fshihet pas numrave. Për momentin është e pasigurt nëse tema do të jetë në tryezën e ekspertëve që do t’i hartojnë ndryshimet kushtetuese.

    Ndërsa kundër gjuhës shqipe, kanë dal edhe shumë media maqedonase ku shkruajnë se pavarësisht njoftimeve se në këtë moment nuk është mirë të diskutohen ndryshime të tjera të Kushtetutës në pjesën e kërkesës së komunitetit etnik shqiptar, kjo nuk duhet të përjashtohet sepse në përpjekjet për të siguruar një shumicë prej dy të tretash, çdo votë do të jetë e rëndësishme dhe e mësuar nga praktika maqedonase, çdo votë ka çmimin e vet, kështu që çmimi mund të jetë ndryshime shtesë në Kushtetutë në një paketë me përfshirjen e bullgarëve.

    Edhe pse u paralajmëruar për në fund të javës së kaluar, nga Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Krenar Lloga nga Aleanca për Shqiptarët, thonë se këto ditë do të publikojnë emrat e ekspertëve të së drejtës kushtetuese që janë ftuar të marrin pjesë. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se për momentin është herët për takimin e parë, pasi grupi i punës ende nuk është kompletuar. Janë publikuar vetëm emrat e ekspertëve të propozuar nga partitë parlamentare edhe atë vetëm nga koalicioni qeverisës, pasi asnjë parti opozitare nuk ka vendosur të marrë pjesë.

    Ndryshe, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski gjatë takimit me zëvendësministrin për Çështje Evropiane të Suedisë, Christian Danielson dhe drejtorin e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Torbjorn Solstorm folën për problemet aktuale me të cilat ballafaqohet Maqedonisë, ndërsa kreu i VMRO-së theksoi se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar. Nga kjo parti njoftojnë se Mickoski në takim ka potencuar se kjo përbërje parlamentare nuk ka mandat nga qytetarët për të marrë pjesë në një proces të tillë. “VMRO-DPMNE angazhohet që Maqedonia të jetë anëtare e barabartë e Bashkimit Evropian. Maqedonia duhet të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane”, u shpreh Mickoski në takim.

    Gjithashtu në takim u tha se Maqedonia me këtë Qeveri po fundoset në krim dhe korrupsion dhe se Qeveria e, siç thonë nga kjo parti, e BDI-së e mbështetur nga LSDM thellon krizën ekonomike dhe i varfërojnë qytetarët. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Për dy vite, 10 mijë dhen më pak në RMV!

    Lajmi i rradhës

    Trençevska: Kam qenë dëshmitare e dhunës në familje, kam raportuar dhe gruaja e ka mohuar në polici

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë