Për dy vite, 10 mijë dhen më pak në RMV!

    Viteve të fundit ngec zhvillimi i blegtorisë në Dibër dhe rajon. Nga viti në vit ka një ulje të numrit të bagëtisë si në komunën e Dibrës ashtu edhe në komunat rurale përreth. Ulet interesimi i blegtorëve për të rritur numrin e kafshëve shtëpiake edhe atë për shkaqe të ndryshme siç janë migrimi, çmimet e ulëta të prodhimeve blegtorale si dhe subvencionimi jo adekuat në sferën e blegtorisë. Pikërisht kjo situatë ndikon në uljen të bagëtisë si në komunën Dibër ashtu edhe në komunën Qendër Zhupë. Në shoqatën të blegtorëve dibran thonë se ulje ka si tek bagëtia e imët ashtu edhe tek bagëtia e trashë. Kryetari i shoqatës “Dashi”, Skënder Ame thotë se tek bagëtia e trashë ulja e numrit të krerëve është afro 80 për qind.

    Shqetësimet tek blegtorët të rajonit të Dibrës për uljen e numrit të bagëtisë nga viti në vit rriten. Për këtë problem këto ditë ka biseduar edhe anëtarësia e shoqatës të blegtorëve të Dibrës dhe rajonit “Dashi”. Kryetari i shoqatës, Skënder Ame thotë se gjatë viteve të fundit ulja e bagëtisë vërehet si tek bagëtia e imët ashtu edhe tek bagëtia e trashë. “Për dy vitet e fundit në Dibër dhe rajon nga 40 mijë krerë dhen, kemi një ulje për 10 mijë krerë dhen, që do të thotë aktualisht kemi 30 mijë krerë dhen në Dibër dhe Qendër Zhupë . Është një ulje e cila shqetëson blegtorët por edhe mbarë popullatën meqë rajoni më perëndimor i vendit ka kushte shumë të volitshme për zhvillimin e blegtorisë. Në këtë rajon pas luftës së Dytë Botërore ka patur afro 100 mijë krerë dhen”, thotë kryetari i shoqatës Skënder Ame.

    Është një problem shumë i madh dhe se situata edhe me bagëtinë e trashë është teje shqetësuese. “Aktualisht sipas të dhënave që posedon shoqata në Dibër dhe Qendër Zhupë ka diçka më shumë se 300 lopë. Kjo do të thotë se ulja e numrit të lopëve është drastike. Për disa dekada ka një ulje për 80 për qind meqë rajoni i Dibrës ka qenë i njohur për numrin e madh për rritjen e bagëtisë së trashë. Poashtu në bisedat që kemi me blegtorët jemi të informuar se do të vazhdoj të ulet numri i krerëve të bagëtisë së trashë. Dekada më parë ka patur në këtë rajon edhe shumë dhi. Por sot në të dy komunat ka afro 200. Edhe në këtë drejtim ulja e bagëtisë është shumë e madhe”, thotë kryetari i shoqatës së blegtorëve dibran.

    Nga kjo shoqatë sqarojnë se një ndikim shumë të madh në lidhje me uljen e bagëtisë ka migrimi i popullatës. Familjet të cilët janë marrë me blegtori, sot kanë ngelur pa gjeneratën e re e cila gjithmonë për në SHBA dhe në Evropë udhëton në një drejtim. Një ndër shkaqet kryesore janë edhe çmimet e ulëta të prodhimeve blegtorale në krahasim me çmimet të produkteve të tjera ushqimore. Një litër qumësht shitet më lirë se sa një kafe në restorant. Edhe produktet tjera blegtorale në tregun e vendit nuk i kanë çmimet të cilët duhet t’i kenë. Subvencionimi i qeverisë për blegtorët është i mirëseardhur por ai nuk është në nivelin e duhur për të stimuluar prodhimtarinë. Nevojitet një subvencionim më i lartë duke vendosur edhe kontrolle më të rrepta se ku përfundojnë mjetet për subvencionime në sferën e bujqësisë dhe blegtorisë, thonë në shoqatën e blegtorëve dibran. Dibra dhe rajoni kanë kushtet shumë të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, por nevojitet një strategji më reale e institucioneve kompetente në këtë sferë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV, kur është koha për logoped?

    Lajmi i rradhës

    NDRYSHIMET NË KUSHTETUTË | Bullgarët para “shqipes”!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë