Sa fëmijët e mërgimtarëve e njohin gjuhën amtare?!

    Fotografia: Nistori

    Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje këtë vit është masive. Pas dy viteve pandemi në vitet 2020 dhe 2021 ishte numri i ulët i mërgimtarëve që pushimet i kaluan në Dibër, por këtë vit si nga SHBA ashtu edhe nga shtet të Unionit Evropian shënohet një ardhje e madhe e tyre në vendlindje. Normalisht gëzimi është i madh, por në të gjithë këtë gëzim paraqitet edhe një shqetësim. Fëmijët e mërgimtarëve në pjesën më të madhe rëndë komunikojnë me të moshuarit në familjet e tyre në Dibër. Të pakët janë fëmijët që flasin gjuhën e tyre shqipe. Fëmijët shqetësojnë edhe të afërmit e tyre në Dibër. Kjo dukuri vërehet në shumë familje dibrane.

    Në familjet dibrane por edhe në rrugët e qytetit këto ditë kur është në pyetje frekuenca e fëmijëve dhe të rinjve dominon gjuha angleze. Komunikimi bëhet në gjuhën angleze edhe pse fëmijët dhe të rinjtë janë shqiptar. Të moshuarit mërgimtar thonë se në diasporë fëmijët e tyre sidomos viteve të fundit shumë pak flasin gjuhën e bukur shqipe. Kështu është në diasporën shqiptare në SHBA por edhe në mërgim në shtete të Evropës. Shaban. Z . 73 vjeçar nga Dibra tha se është shumë i gëzuar që fëmija e tij që jeton në SHBA ka ardhur në vendlindje së bashku me dy nipërit e tij. Por siç thotë ai, ka shumë problem në komunikimin me nipërit.

    “Ata flasin anglisht kurse unë nuk kuptoj atë gjuhë. Diçka na përkthejnë nusja dhe djali. Kjo nuk është një situatë e mirë, fëmijët edhe në mërgim duhet së pari ta njohin gjuhën e nënës”, thotë Shabani dhe shton se për fat të keq kjo është një situatë që është prezente tek shumë familje dibrane që jetojnë jashtë vendlindjes.

    Ankimimet janë të shumta. Në lidhje me këtë problem biseduam edhe me Emine.Sh. 58 vjeçare nga Dibra. Ajo na thotë se ardhja e vajzës së saj e martuar për një dibran në Nju Jork pas shtat viteve i ka sjell një gëzim të madh. Por mbesa e saj 6 vjeçare nuk flet gjuhën shqipe.

    “Kjo nuk është mirë. Bisedova me vajzën time dhe e qortova. Fëmijët tanë që jetojnë në diasporë patjetër duhet që të bëjnë diçka që fëmijët e tyre së pari ta mësojnë gjuhën shqipe e më pas edhe gjuhën e vendit ku jetojnë”, thotë Eminja.

    Shoqatat të mërgimtarëve sidomos ato që mbulojnë aktivitetet të diasporës dibrane në SHBA vitin e kaluar organizuan një kurs për gjuhën dhe historinë shqiptare gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje. Ata edhe për këtë vit paralajmërojnë aktivitete të këtilla meqë janë të shqetësuar për dukurin në fjalë. Reagime rreth kësaj dukurie negative kanë edhe tek shoqatat dibrane që janë themeluar në Itali, Zvicër, Austri etj. Për këtë vit janë paraparë aktivitete të disa shoqatave qytetare që në vendlindje të debatohet rreth situatës.

    Aktivisti i shoqatës “1 dollar për Dibrën”, Dritan Lleshi thotë se familjet dibrane duhet maksimalisht të angazhohen në diasporë që fëmijët e tyre ta njohin, ta flasin gjuhën e bukur shqipe. Sipas tij ka nevojë për një angazhim më të madh të institucioneve por edhe shoqatave në diasporë.

    Por, në të gjithë këtë problem gjatë prezencës së fëmijëve nga diaspora në vendlindjen e prindërve të tyre paraqitet edhe një fenomen pozitiv. Në shumë familje dibrane për shkak të edukimit të fuqishëm të fëmijëve nëpërmjet internetit, fëmijët dibran flasin gjuhën anglishte qysh në vitet e para të tyre. Kjo situatë ka sjell që fëmijët nga diaspora dhe fëmijët nga vendlindja të komunikojë dhe të merren vesh por jo në gjuhën e tyre amnore, por në gjuhën anglishte. Arsim. M nga Dibra thotë se dy fëmijët e tij të moshave 4 dhe 6 vjeçare këto ditë në shtëpinë e tij komunikojnë pa probleme me fëmijët të vëllait të tij që jeton në Bruksel në gjuhën anglishte meqë në gjuhën shqipe nuk mund të komunikojnë nga që atë nuk e njohin. Është një paradoks i kohës në të cilën jetojmë, thotë ai. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dimitrov: “Poshtëruese” që kërkohet përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë

    Lajmi i rradhës

    PROPOZIMI FRANCEZ | Rreferendumi, i panevojshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë