Në Dibër rriten lejet e ndërtimit, investimet fokusohen te banesat kolektive

    Gjatë vitit 2025, institucionet kompetente të pushtetit vendor në Dibër informojnë se janë dhënë shumë leje ndërtimi dhe shtojnë se edhe më tej ka interesim të theksuar për ndërtimin e banesave kolektive. Ky vlerësim tregon qartë se investimet më të mëdha në sektorin privat vazhdojnë të orientohen drejt ndërtesave kolektive, pasi interesimi për blerjen e tyre është i madh.

    Nga Sektori për Urbanizëm pranë Komunës së Dibrës informojnë se gjatë vitit të kaluar janë dhënë leje edhe për ndërtimin e objekteve në sferën e infrastrukturës, për ndërtimin e shtëpive individuale, objekteve afariste e të tjera. Gazmend Cami nga Sektori për Urbanizëm thotë se edhe gjatë vitit që kaloi ka pasur kërkesa të theksuara për ndërtim.

    “Të dhënat tregojnë se për një vit janë dhënë mbi 40 leje ndërtimi. Për ndërtimin e objekteve për banim kolektiv janë dhënë 5 leje, ndërsa për banim individual, respektivisht për ndërtimin e shtëpive, 4 leje. 25 leje janë dhënë për objekte në sferën e infrastrukturës, ndërsa për ndërtimin e objekteve afariste 4 leje. Nga 2 leje ndërtimi janë dhënë për objekte ndihmëse dhe për televoltaik”, thotë për gazetën Koha inxhinieri Gazmend Cami.

    Sipas tij, si institucion është tentuar të jepen leje ndërtimi vetëm atje ku janë plotësuar kushtet. Qëndrimi i organit kompetent është që pa plotësimin e kushteve ligjore të mos jepen leje ndërtimi.

    Ndërtimet e objekteve në sferën e infrastrukturës kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugëve, si dhe me ndërtimin e ujësjellësve, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Ndërtimet e objekteve afariste, respektivisht dyqaneve, nga viti në vit janë në rënie. Kjo për faktin se në ndërtesat kolektive ndërtohen edhe hapësira afariste, të cilat nuk evidentohen si objekte të veçanta afariste.

    Sa i përket lejeve për ndërtimin e banesave kolektive, duhet theksuar se objektet janë në fazë ndërtimi. Ndërtesat kolektive ndërtohen në pjesën qendrore të qytetit, si dhe në lagjen e re të Dibrës. Investitorët kanë informuar se ndërtimi do të zgjasë më pak se dy vite.

    Sipas tyre, interesimi për blerjen e banesave kolektive është dominues nga ana e mërgimtarëve dibranë, të cilët jetojnë jo vetëm në shtetet e Evropës, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo tregon se përfitimet në sferën e ndërtimit aktualisht janë të mëdha, pasi vetëm brenda tre viteve është shënuar rritje e konsiderueshme e çmimit për metër katror.

    Në pjesën qendrore të qytetit, çmimi aktualisht është rreth 900 euro për metër katror, ndërsa në pjesët e tjera mbi 650 euro për metër katror. Më herët, këto çmime kanë qenë rreth 30 për qind më të ulëta. Sipas investitorëve, deri tani nuk ka banesa të pashitura. Nga viti në vit, me ardhjen e mërgimtarëve në vendlindje, pothuajse shiten të gjitha banesat e mbetura.

    Edhe gjatë vitit 2026, siç mëson Koha, pritet të rritet numri i kërkesave nga investitorët privatë për ndërtimin e banesave kolektive.

    Lajmi Paraprak

    Stuhitë në Spanjë dhe Portugali, përmbytin qytete dhe shkaktojnë tërmete

    Lajmi i rradhës

    Mickoski: pa garanci nga BE-ja, ndryshimet kushtetuese nuk mund të zbatohen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë