NË KREDI PËR NJË ÇATI MBI KOKË!

    Vitet e fundit, qytetarët e Dibrës kanë shënuar një rritje të dukshme të interesimit për kredi për pasuri të patundshme, veçanërisht për blerjen e banesave. Bankat raportojnë se kërkesat për kredi hipotekare janë në rritje të vazhdueshme, çka tregon një vetëdijesim më të madh të qytetarëve për mundësitë e financimit dhe planifikimit financiar. Sipas të dhënave nga institucionet bankare lokale, gjithnjë e më shumë dibranë po informohen për kushtet e kredive, normat e interesit dhe afatet e shlyerjes, duke krahasuar ofertat e bankave të ndryshme. Kjo qasje më e kujdesshme ndaj financave personale tregon një ndryshim pozitiv në kulturën financiare të qytetarëve.

    Drejtori i filialës së Bankës Ekonomike në Dibër, Roland Pahumi, për gazetën KOHA tha se ka një rritje viteve të fundit nga ana e dibranëve për marrjen e kredive për blerjen e banesave apo shtëpive. ”Kjo rritje ka qenë e theksuar sidomos vitin e kaluar, respektivisht në vitin 2025, si nga banorët e Dibrës ashtu edhe nga vendbanimet rurale. Për shumë familje, blerja e një banese përmes kredisë po shihet si investim i sigurt për të ardhmen, por edhe si mënyrë për të siguruar një strehë më të qëndrueshme për fëmijët e tyre”, tha ai.

    Arben J., 42 vjeç, tregon përvojën e tij. “Pasi në familje na u shtuan anëtarët, meqë edhe vëllai u martua, ishte nevoja që unë me gruan dhe dy fëmijët të gjenim një strehë. Duke siguruar kredi banesore mora një banesë të cilën do ta paguajmë me këste mbi 20 vite. Këstet janë të përballueshme, pasi edhe bashkëshortja punon”, shprehet Arbeni.

    Paralelisht me rritjen e interesit për kredi, në Dibër po rritet edhe numri i përdoruesve të shërbimeve bankare digjitale. Aplikacionet mobile, pagesat online, kontrolli i llogarive përmes telefonit dhe transferet elektronike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në jetën e përditshme të qytetarëve. “Kjo prirje është veçanërisht e theksuar tek të rinjtë, por edhe moshat më të rritura po fillojnë të adoptojnë teknologjinë për lehtësimin e shërbimeve bankare. Përdorimi i shërbimeve digjitale ka sjellë përfitime të shumta për qytetarët e Dibrës. Ata tashmë mund të kryejnë pagesa, të shohin gjendjen e llogarisë, të paguajnë faturat apo të dërgojnë para pa qenë nevoja të shkojnë fizikisht në sportelet e bankave. Kjo jo vetëm që kursen kohë, por edhe ul ngarkesën në bankat lokale, duke i bërë shërbimet më efikase dhe më të shpejta për të gjithë përdoruesit”, shton Pahumi.

    Ekspertët financiarë vlerësojnë se ky zhvillim është rezultat i disa faktorëve: rritjes së qasjes në internet, përdorimit më të madh të telefonave inteligjentë, si dhe fushatave informuese të bankave për promovimin e shërbimeve digjitale. Po ashtu, emigracioni dhe lidhjet me familjarët jashtë vendit kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të transfertave bankare elektronike dhe shërbimeve online. /KOha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë nëse e mbushni makinën larëse më shumë se që duhet?

    Lajmi i rradhës

    Më pak të papunë, më shumë emigrantë në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë