NË MAQEDONI MË LIRË! Çmimi i taksive në kryeqytetet e rajonit

    Sa mund qytetarët e kryeqyteteve të rajonit t’ia lejojnë vetës transportin me taksi? Ku janë këto shërbime më të shtrenjta, e ku më të lira? Këtyre pyetjeve u japin përgjigje në vazhdim duke i krahasuar çmimet zyrtare aktuale të taksistëve në Shkup, Beograd, Sarajevë, Podgoricë, Prishtinë dhe Tiranë duke i marr parasysh kushtet normale në komunikacion, pa pritje të gjata.

    STARTI NË SHKUP PËR 0.65 EURO

    Tarifa startuese e taksistëve të licencuar në Shkup, fillon nga 0,65 euro (40 denarë) dhe 0,40 euro (25 denarë) për çdo kilometër të kaluar. Deri pak kohë më parë një pjesë e kompanive ofronin shërbime me 20 për qind zbritje, megjithatë shtrenjtimi i derivateve solli deri te shfuqizimi i kësaj oferte. Çmimorja e taksive në Shkup, nuk është ndryshuar për 11 vite. Kërkesë zyrtare për rritjen e çmimeve të taksive në Shkup, zyrtarisht nga Shoqata e taksi transportuesve nuk ka. Taksistët e licencuar vlerësojnë se gjobitja e atyre të cilët nuk janë të regjistruar dhe nuk paguajnë tatime në masë të madhe do të kontribuojë të mos rriten çmimet. Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut janë të regjistruar afërsisht 3 mijë taksi makina.

    TREFISHË MË SHTRENJTË NË BEOGRAD

    Çmimi i taksi transportuesve në Beograd, kohë më parë pësoi rritje. Në kryeqytetin e Serbisë, ekzistojnë tre lloje të tarifave të taksi transportuesve. Nisja është e njëjtë në të trija rastet 1.8 euro (220 dinarë). Çmimi për një kilometër në tarifën e parë është 0,68 euro (80 dinarë), në të dytën 0.85 euro (100 dinarë), dhe në tarifën e tretë 1,36 euro (160 dinarë). Ndërkohë, çmimi i pritjes për një orë në të trija tarifat është 7,67 euro (900 dinarë). Tarifa e parë zbatohet nga ora 7 deri në orën 22, e dyta nga ora 22 deri në orën 6, si dhe të dielën dhe gjatë festave shtetërore. Përderisa e tarifa e tretë zbatohet jashtë pikave të qytetit të shënuara në Gazetën Zyrtare.

    NJË EURO STARTI PARALAJMËROHET NË SARAJEVË

    Çmimorja aktuale e taksistëve në Sarajevë është 0,97 euro (1,9 marka konvertibile) për nisjen e vozitjes dhe 0.67 euro (1.2 marka konvertibile) për çdo kilometër të kaluar. Çmimi i pritjes për një orë është 6.14 euro (12 marka konvertibile). Mirëpo, paralajmërimet e fundit të Shoqatës së taksistëve në Kantonin e Sarajevës, thonë se do të kërkojnë shtrenjtimin e taksi – transportit. Qëndrimi i tyre është se çmimet duhet të jenë 1.28 euro (2.5 marka konvertibile) për start dhe 0.77 euro (1.5 marka konvertibile) për çdo kilometër të kaluar. Në arsyetimin për shtrenjtimin e taksi-transportit ata e theksojnë rritjen e çmimit të derivateve.

    TAKSISTËT NË PODGORICË FITUAN BENEFITE

    Ngjashëm si në Beograd, edhe në kryeqytetin e Malit të Zi, në Podgoricë, ekzistojnë tre lloje të tarifave të taksi-transportit. Çmimi i tarifës së parë që vlen nga ora 7 e deri në orën 22 varojnë nga 0.50 deri në 0.70 cent për kilometër. Tarifa e dytë që vlen nga ora 22 e deri në orën 6 kushton nga deri 0.60 deri më 1 euro për kilometër, ndërkohë faza e tretë e cila ndërlidhet me vozitjen jashtë qytetit kushton nga 0.40 deri në 1 euro për kilometër. Nisja në të trija tarifat kushton 0,50 euro për kilometër. Taksistë në Podgoricë, tre muaj më parë u dorëhoqën nga kërkesa e tyre për shtrenjtimin e çmimeve për shkak se Qeveria solli vendim t’ju kthehen një pjesë e harxhimeve për akcizë të derivateve, të cilët i kanë taksistët.

    TAKSISTË NË PRISHTINË E TIRANË ME ÇMIME TË REJA

    Çmimet aktuale të taksistëve në Prishtinë u ndryshuan tre muaj më parë. Fillimi i vozitjes në kryeqytetin e Kosovës, tashmë kushton 2 euro, gjegjësisht 0.50 euro më shtrenjtë se tre muaj më parë kur ishte 1.5 euro. Çmimi për një kilometër është 0.65 euro, ndërsa një orë pritje kushton 3 euro. Edhe në Tiranë, në mars të këtij viti u ndryshua çmimi i taksive. Tarifa e mbrëmjes tashmë zbatohet edhe gjatë ditës. Çmimi aktual i nisjes në Tiranë është 2.5 euro (300 lekë) dhe me këtë çmim voziteni deri në 1.5 kilometër. Pesëdhjetë lekë më tepër paguhet nëse keni bagazh. Në 5 kilometrat e radhës në Tiranë, paguhet nga 1 euro. Më pas vijon tarifa e dytë e cila kushton 0.80 euro (95 lekë) dhe tarifa e tretë mbi 16.5 kilometër kushton 0.67 euro (80 lekë). (TRTBalkan)

    Lajmi Paraprak

    36 vjeçari i cili u paraqit si përfaqësues i një shoqate humanitare, i merr 2.700 euro në këmbim të një banese

    Lajmi i rradhës

    “JO” propozimit francez, “PO” gjuhës së urrejtjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë