Disa rrugë në qytetin e Tetovës dhe jo vetëm, vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme dhe me përplot gropa. Gjendja më e rëndë paraqitet në një pjesë të lagjes përballë spitalit të Tetovës e cila lidhet me bulevardin “Bllagoja Toska”.
Gropat në rrugët e Tetovës janë të zakonshme ndërsa gjithnjë shfaqen në këtë periudhë të vitit, pas ngricave dhe reshjeve të borës, të cilët edhe më shumë i dëmtojnë këto rrugë. Edhe krahas intervenimeve dhe sanimeve që janë bërë ndër vite, megjithatë mos mirëmbajtja e tyre dhe kushtet klimatike e kanë bërë të veten duke i dëmtuar të njëjtat.
Kryesisht problemet me gropat shfaqen në rrugët kryesore por edhe në rrugët dytësore. Nga pushteti lokal në Tetovë thonë se tenderi për sanimin e gropave pritet të hapet këtyre ditëve dhe më pas do të fillojë sanimi i gropave. Nga Komuna e Tetovës paralajmërojnë se edhe këtë vit janë ndarë 10 milionë denarë për sanimin e gropave, ku pjesa dërmuese e mjeteve janë nga pushteti qendror.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet që këtyre ditëve të hapet tenderi për sanimin e gropave. Pas përmbylljes së procedurës, kompania që do të përzgjidhet do të fillojë më punë. Nga pushteti qendror, brenda vitit ndahen rreth 7.5 milionë denarë, ndërsa 2.5 milionë denarë i siguron komuna. Pra, gjithë tenderi kap vlerën prej 10 milionë denarë. Mjetet që ndahen nga pushteti qendror janë në bazë të numrit të automjeteve të regjistruara”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Tetovës.
Ndërkaq, që rrugët të jenë gjithnjë të dëmtuara dhe me përplot gropa i ndihmojnë edhe defektet e shpeshta që ndodhin në rrjetin e ujësjellësit ose kanalizimit. Situata aspak nuk është e mirë edhe në rrugët perferike, kurse në disa rrugë që janë asfaltuar kohëve të fundit gjendja është e mirë, por sa do të jenë në këtë gjendje nuk dihet, sepse përvoja me rrugët tjera tregon se qëndrueshmëria e një rruge të asfaltuar nuk shkon më shumë se dy ose tre vite. Nga ana tjetër, ka edhe rrugë të tjera që dëmtohen shumë shpesh edhe pse brenda 15 viteve janë asfaltuar dy ose tre herë.
Nga ana tjetër, deri më tani askush nuk dënuar se pse ka prerë asfaltin për kyçje në kanalizimin fekal ose atmosferik. Kjo formë e veprimit në Tetovë është e zakonshme, sepse qytetarët gjatë lidhjes në rrjetet e ujësjellësit ose kanalizimeve, prenë asfaltin dhe më pas nuk e kthejnë në gjendjen e mëparshme. /Koha/