Rama nuk tërhiqet: BE-ja duhet ta dënojë sulmin në Banjskë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Brukseli është i zhgënjyer me Shqipërinë, e cila kërkon një deklaratë të re nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, por sërish nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj.

    “Kemi kërkuar që deklarata që u publikua dje, të përfshinte edhe zhvillimet e fundit në Banjskë, ku u vra një punonjës policie nga një grup kriminal. Miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur diçka e tillë pasi deklarata që u publikua ishte konfirmuar nga blloku i vendeve anëtare. Na u kërkua linjëzimi, por përgjigja jonë ishte negative”, tha Rama në një konferencë për media të enjten.

    Ai shtoi se Shqipëria do të jetë gati të vihet në një linjë me një deklaratë të re të Bashkimit Evropian që duhet të përfshijë dënimin për veprimet dhe mosveprimet e Serbisë.

    Rama tha se doli para mediave për të shprehur shqetësimin serioz si asnjëherë më parë në 10 vjet për rrezikshmërinë e lartë në veriun e Kosovës.

    Kryeministri i Shqipërisë tha se nuk e kupton se çfarë pret Bashkimi Evropian për të dalë me një deklaratë të tillë.

    “Zëdhënësi i BE-së tha dje se nuk do të ketë deklaratë tjetër pa u zbardhur hetimet se si ndodhi ngjarja në Banjskë. Edhe mund të ishim dakord nëse Serbia do të distancohej nga grupi kriminal e do të ishte deklaruar menjëherë hapjen e një hetimi serioz e të pavarur. Por, në vend të kësaj, Serbia zgjodhi nderimin për të vrarët”, deklaroi Rama.

    Ai tha se ka rezervat e tij për liderët kosovarë dhe qëndrimin e tyre sa i takon procesit të dialogut, por në këtë rast, Shqipëria është në krah të Kosovës.

    “Udhëheqja e Kosovës ka kusuret e veta në procesin e dialogut, por asnjë prej tyre nuk e relativizon peshën e këtyre zhvillimeve të rënda, që nuk krahasohen me asgjë të keqe të ndodhur prej fundit të luftës së vitit 1999. Jemi para derdhjes së gjakut të pafajshëm, është gjaku i një efektivi të policisë së shtetit të Kosovës. U vra nga njerëz të veshur ushtarakisht e të armatosur rëndë, që për Beogradin janë të denjë për të ulur në gjysmështizë flamurin. Ky është një karshillëk, sa nga ana e grupit kriminal, ashtu edhe nga institucionet e Serbisë. Nuk ka nevojë për hetim, por kërkon dënim”, theksoi kryeministri shqiptar.

    Duke sjellë në vëmendje një deklaratë të mëhershme të tij, se nevojitet një konferencë ndërkombëtare për Kosovë, Rama tha se formati i dialogut duhet të ndryshojë menjëherë.

    “Formati i dialogut duhet ngritur në një nivel konference, ndërsa përfaqësimi i BE-së dhe i komunitetit euroatlantik, duhet ngritur në nivelin më të lartë, me Francën dhe Gjermaninë në nivelin e presidentit dhe kancelarit. Formati i derisotëm, ku takohen dy burra, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Më vjen mirë që këtë tashmë e kërkon edhe Kosova, Ashtu siç më vjen mirë që Vjosa Osmani ka kërkuar pjesëmarrjen e SHBA-së për hartimin e një drafti për Asociacionin. Është një hap më në fund në drejtimin e duhur”, u shpreh Rama.

    Ai tha se nëse kjo nuk ndodh, stokut të marrëveshjeve mund t’i shtohet edhe një stok viktimash.

    Rama tha se një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të jetë sipas Kushtetutës së Kosovës. Duke iu referuar edhe propozimit të tij për një draft-statut për Asociacionin, Rama theksoi se nuk ka rëndësi kush e shkruan, por çfarë sjell për dy vendet.

    Kryeministri Rama tha se Kosova, sot, më shumë se sa para se të ndodhte tragjedia, duhet të kërkojë dialogun dhe t’i besojë atij. Plani franko-gjerman, sipas Ramës, është ende në tryezë, andaj Prishtina duhet të refketojë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kurti: Nëse Serbia kalon e pandëshkuar, ajo do ta përsërisë krimin

    Lajmi i rradhës

    Gjermani, kërkohet siguri bazë për fëmijët refugjatë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë