Në Shqipëri sekuestrohen qindra kamera të vendosura ilegalisht nëpër shtylla

    Policia e Shqipërisë duke hequr kamerat e instaluara në mënyrë të paligjshme. / Fotografia: Jetmir Delia

    Rreth 350 kamera sigurie të vendosura ilegalisht janë sekuestruar nga policia shqiptarë në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Durrës.

    Përmes këtyre kamerave grupet kriminale monitoronin lëvizjet e policisë së shtetit, por edhe të rivalëve të tyre. Kështu theksohet në të gjitha deklaratat për media, të shpërndara nga policia pas aksioneve për sekuestrimin e këtyre kamerave.

    Operacioni i koduar “Fijet” nisi në Shkodër më 25 janar dhe është duke vazhduar. Në njërën nga komunikata për media të policisë, thuhet se kamerat e sigurisë i “shërbenin informimit të kontingjentit kriminal.”

    Aksione të tilla u zhvilluan edhe në Durrës, Vlorë, Krujë, Shijak, Fier, Kukës, Korçë, Pogradec, Dibër dhe Gjirokastër.

    Pjesa më e madhe e tyre, sipas policisë së shtetit, ishin vendosur për të mbikëqyrur policinë dhe grupet rivale kriminale, ndërsa një pjesë e vogël ka qenë “ndërhyrje të padrejtë në jetën private” apo vendosje e kamerave të sigurisë në kundërshtim me ligjin.

    Nuk dihet saktë se kur janë vendosur këto kamera.

    Ekspertët: Policia shqiptare nuk e ka nën kontroll territorin

    Fatjona Mejdini, koordinatore për Ballkanin Perëndimor e Rrjetit “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” tha për Radio Evropa e Lirë se kjo situatë, kur “krimi vëzhgon gjithë vendin, tregon dështimin e policisë”.

    “Ky operacion ka treguar se policia shqiptare nuk e ka nën kontroll territorin. Si mund të vendosen gjithë këto kamera pa u vënë re nga policia? Ky është dështim i policisë, më së paku moskompetencë për ta kryer këtë detyrë, dhe drejtuesit e policisë duhet të mbajnë përgjegjësi, por mund të jetë edhe korrupsion. Situata është shumë serioze, por edhe frikësuese për ne, si qytetarë, kur mëson se policia nuk e ka kontrollin e territorit”, tha Mejdini.

    Edhe eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, tha për Radio Evropa e Lirë se këto kamera nuk mund të vendoseshin pa dijeninë e policisë.

    “Fakti që për një kohë të shkurtër në disa qytete me një shtrirje në gjithë vendin janë hequr dhjetëra kamera, do të thotë se të gjithë e kanë ditur, por nuk kanë dashur të ndërhyjnë. Neglizhencë, apo policia është paguar për të heshtur? Secila është e rëndë dhe duhet një analizë e thellë”, konsideron Muzhaqi.

    Shqipëria në vitin 2016 ka miratuar Ligjin për masat shtesë të sigurisë publike, një ligj që u kundërshtua nga opozita në atë kohë dhe u kthye në Parlament për rishqyrtim nga presidenti (Bujar Nishani), por u rivotua nga pozita.

    Ligji kishte për qëllim “marrjen e masave shtesë të sigurisë publike nga subjektet publike dhe private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë, duke siguruar bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe këtyre subjekteve, me synim mbrojtjen e jetës, pronës dhe garantimin e sigurisë publike”.

    Fatjona Mejdini thotë se është koha të debatohet për legjislacionin e duhur.

    “Biznesi dhe institucionet kanë pretendimet e tyre në lidhje me kamerat e sigurisë, por përfundimi është se po përdoren nga krimi. Kështu që nevojiten rregullimet e duhura ligjore, të jenë kompetencat e ndara dhe të qarta kush mund t’i vendosë, kush duhet t’i kontrollojë, që nuk lënë hapësirë as për cenim të privatësisë, por as për përfitime nga elementë kriminalë”, thotë Mejdini.

    Sipas policisë, që prej nisjes së këtij operacioni rreth një javë më parë janë proceduar 67 raste, por bëhet fjalë vetëm për ata që i kanë instaluar kamerat.

    Sipas autoriteteve policore, pas kësaj faze do të ketë hetime për të zbuluar porositësit e vendosjes së kamerave e gjithashtu edhe një analizë të thellë nëse institucionet mund ta kishin parandaluar këtë situatë.

    Lajmi Paraprak

    12 ushqimet që nuk duhet t’i mbani kurrë në frigorifer

    Lajmi i rradhës

    TI – Shqipërisë: Të dënohen zyrtarë të lartë të korruptuar!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë