Në Strugë ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm

    Vazhdon agonia e struganëve me ujin e pijshëm. Për shkak të një defekti në tubacionin kryesor të rrjetit të ujësjellësit, është ndaluar sërish përdorimi i ujit nga ujësjellësi i qytetit, kjo për herë të dytë për më pak se një muaj.

    Qendra për Shëndet Publik ka regjistruar turbullirë të shtuar, e cila në një vend ka qenë edhe tetë herë më e lartë se e lejuara. Struganët ankohen se në disa pjesë të qytetit kanë mbetur disa orë pa ujë, ndërsa gastronomët pyesin se kush do t’i kompensojë dëmet që i pësojnë.

    “Nuk mund të bëjmë kafe sepse nuk kemi ujë. Nuk mund të lajmë diçka, nëse nuk kemi ujë. Jemi të lidhur direkt. Pesë orë kur nuk ka ujë, për arsye X, objekti bllokohet dhe nuk mund të punojë. Është e paimagjinueshme të kemi probleme me ujin në Strugë, kur i kemi burimet vetëm pak kilometra larg dhe ku kemi ujë të bollshëm. Komuna duhet ti qaset seriozisht kërkesës për zgjidhjen e problemeve me ndihmën e shtetit”, u shpreh Boro Simjanoski – gastronom nga Struga.

    Pas çdo shiu të madh apo efekt i rrjetit të vjetruar, shfaqen probleme të tilla. Sipas Qendrës për Shëndet Publik, kopshti i fëmijëve dhe instituti i nefrologjisë ku trajtohen pacientët me sëmundje të veshkave kanë mbetur pa ujë.

    “Për pacientët me dializë përdorim ujin teknik, uji filtrohet, përndryshe pa ujë nuk do të mund të bënim dializë. Në rast të defektit të tubit apo ndonjë defekti të madh kemi një rezervuar, respektivisht një cisternë për të paktën një deri në dy ditë, të bëjmë dializa edhe pa ujësjellës qendror”, deklaroi Aco Poposki-Drejtor i Institutit të Nefrologjisë Strugë.

    Uji është i ndaluar të përdoret deri të premten, kur priten rezultatet e analizave të reja. Nga Ujësjellësi thonë se defektet janë për shkak të rrjetit të vjetër, ndërsa për pushteti lokal faji është te hidrocentralet e vogla afër fshatit Belicë e epërme, ku gjenden burimet./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    E diela ditë jopune, vështirë të zbatohet si ligj

    Lajmi i rradhës

    Dimitrov: Tani është shumë vonë për të marrë çfarëdo mase për ta nxjerrë vendin nga kriza energjetike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë