Në Tetovë ekziston vetëm një stacion për matjen e ndotjes së ajrit

    Në Tetovë ekziston vetëm një stacion për matjen e ndotjes së ajrit ambiental dhe ka disa vite që ai gjendet në oborrin e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në pjesën jugore të qytetit. Kur në oborrin e shkollës, aty ku ishte kaldaja për ngrohje qendrore të shkollës, u ndërtua një kopsht për fëmijë, kaldaja u dislokua dhe tani ndodhet vetëm disa metra larg stacionit matës.

    Kjo vë në pikëpyetje saktësinë e të dhënave që i jep stacioni, pasi tashmë nuk i plotëson kriteret bazë për vendndodhjen e tij.

    “Pikë kritike për vendosjen e stacionit matës të monitorimit të ajrit ambiental është pikërisht vendndodhja e tij dhe duhen plotësuar disa kritere. Sipas standardeve botërore dhe tona, stacioni matës duhet të jetë së paku 10 metra larg tehut të trotuarit, si dhe të paktën 25 metra nga udhëkryqi më i afërt. Instrumentet matëse duhet të vendosen në zonën e frymëmarrjes, pra në lartësi prej 1,5 metra deri në 4 metra, e në disa raste deri në 8 metra. Më e rëndësishmja, në afërsi nuk duhet të ketë asnjë burim tjetër ndotjeje. Disa nga këto parametra në rastin e stacionit matës të Tetovës nuk janë respektuar, sepse në afërsi të tij ka një kantier të madh, kurs vetëm pak metra pranë tij ka kaldajë, gjë që është e palejueshme. Prandaj, personalisht mendoj se duhet të fillohet me procedurë ligjore për ndryshimin e vendndodhjes së stacionit automatik për monitorim të ajrit të ambiental në Tetovë”, tha dr. Ratko Davidovski nga Qendra për shëndet publik në Tetovë.

    Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se për momentin nuk planifikojnë dislokimin e stacionit matës. Sipas tyre, të dhënat që i jep stacioni janë relevante pavarësisht se ndodhet pranë kaldajës që përdor naftë për ngrohje.

    “Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk planifikon të dislokojë stacionin automatik për monitorim të cilësisë së ajrit ambiental, i cili gjendet në oborrin e shkollës fillore ‘Kirili dhe Metodi’ në Tetovë. Ky stacion tashmë është zhvendosur një herë në vitin 2013 nga vendndodhja origjinale në oborrin e shkollës së mesme ‘Kiril Pejçinoviq’. Vendndodhja e tanishme e stacionit në Tetovë është ende e relevante përkundër ndërtimit të një objekti të ri (kaldaja) në afërsi, e cila më parë ishte njëqind metra larg edhe në oborrin e shkollës. Kaldaja është montuar para një kohe (afërsisht dy vjet), pa asnjë njoftim nga ai që e ka ndërtuar. Pavarësisht afërsisë së këtij burimi të ndotjes, stacioni i monitorimit ofron të dhëna relevante, si për ndotjen që vjen nga trafiku, ashtu edhe për ndotjen që vjen nga ngrohja e objekteve publike si dhe shtëpitë private”, thonë nga ministria

    Sipas raportit nga shkurti i këtij viti të organizatës jofitimprurëse “Bankwatch Network”, e cila e monitoron ndotjen e ajrit ambiental në qytetet e Ballkanit Perëndimor, Tetova është qyteti i tretë me ajrin më të ndotur me grimca PM10 në Maqedoni. Në vend të parë është Kavadari, pastaj Kërçova, i katërti është Shkupi dhe i pesti Velesi. Kundrejt kësaj, sipas ndotjes me grimcat PM2,5, në vend të parë për nga ndotja është Tetova, pastaj Kumanova, Shkupi dhe Manastiri. /SDK.mk/

    Lajmi Paraprak

    Të mërkurën studentët do të protestojnë ndaj sjelljes së profesoreshës Besiana Mehmedi

    Lajmi i rradhës

    Kontesti RMV – Bullgari | Rajçevski: Së shpejti pritet grupet e punës të arrijnë rezultate konkrete

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë