Nga fyerja te tragjedia | Bullizmi që rritet në heshtje në Maqedoninë e Veriut

    *Fotografi ilustruese

    Rasti tragjik i një 13-vjeçari ka rikthyer në vëmendje një problem që shpesh mbetet i fshehur pas dyerve të shkollës dhe familjes, por gjithnjë e më shumë edhe pas ekranit të telefonit – dhunën dhe bullizmin mes fëmijëve. Të dhënat e UNICEF-it tregojnë se fenomeni nuk mund të trajtohet si problem periferik. Sipas një prej të dhënave të publikuara nga organizata, rreth 23 për qind e të rinjve të moshës 13–15 vjeç në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar se janë bullizuar. Një analizë tjetër e UNICEF-it evidenton se 19 për qind e nxënësve të kësaj grupmoshe kanë deklaruar se janë bullizuar të paktën një herë gjatë 30 ditëve të fundit. Dallimi mes shifrave lidhet me metodologjinë dhe periudhën e matur në burimet përkatëse.

    Problemi nuk kufizohet vetëm në shkollë. Sipas të dhënave të UNICEF-it, më shumë se dy në tre fëmijë të moshës 1–14 vjeç në vend përjetojnë forma të disiplinës së dhunshme në shtëpi, përfshirë agresionin psikologjik ose ndëshkimin fizik. Edhe hapësira digjitale është kthyer në një terren ku fëmijët përballen me bullizmin. Në një sondazh të UNICEF-it me më shumë se 400 fëmijë dhe të rinj nga Maqedonia e Veriut, 31 për qind kanë raportuar se kanë përjetuar bullizëm online. Këto shifra nuk nënkuptojnë se një gjeneratë e tërë është bërë e dhunshme. Ato tregojnë, megjithatë, se bullizmi dhe format e tjera të dhunës mes fëmijëve janë probleme që kërkojnë identifikim të hershëm, parandalim dhe reagim institucional.

    Sociologu Naser Rushani thotë se rasti tragjik duhet të shërbejë si alarm për shoqërinë, por paralajmëron se ai nuk duhet të përdoret për stigmatizimin e të gjithë të rinjve.

    Sipas tij, shqetësues është fakti se një konflikt që fillon me fjalë, fyerje apo kërcënime mund të përshkallëzohet në dhunë fizike me pasoja ekstreme. Dhuna që bëhet e dukshme, thotë Rushani, mund të jetë vetëm “maja e ajsbergut”, ndërsa poshtë saj mund të fshihen bullizmi i vazhdueshëm, kërcënimet, poshtërimi, përjashtimi social, presioni i grupit dhe normalizimi i agresivitetit. Një nga faktorët që ai veçon është pikërisht presioni i bashkëmoshatarëve. “Në moshën e adoleshencës, nevoja për t’u pranuar nga bashkëmoshatarët është e fortë dhe, në disa raste, një fëmijë mund të ndiejë nevojën të tregojë forcë ose ‘guxim’ për të ruajtur statusin në grup”, shprehet Rushani. Sipas tij, dhuna në raste të tilla mund të jetë shprehje e pasigurisë dhe jo domosdoshmërisht e fuqisë.

    Një rol të rëndësishëm ka edhe procesi i socializimit. Mënyra se si fëmijët përballen me konfliktin nuk krijohet në vakum, por ndikohet nga familja, shkolla, shoqëria dhe gjithnjë e më shumë nga përmbajtjet dhe komunikimi në hapësirën digjitale.

    “Fëmijët mësojnë se si të reagojnë ndaj konflikteve nga mjedisi ku rriten. Familja, shkolla, shoqëria dhe hapësira digjitale ndikojnë në mënyrën se si ata e kuptojnë respektin, konfliktin dhe dhunën”, thotë Rushani. Përgjegjësia, për këtë arsye, nuk mund t’i lihet vetëm familjes, shkollës apo institucioneve. Familja është mjedisi i parë ku fëmija mëson empatinë, respektin dhe mënyrat e zgjidhjes së konflikteve. Shkolla, ndërkaq, duhet të jetë në gjendje të identifikojë bullizmin, kërcënimet dhe ndryshimet shqetësuese në sjelljen e nxënësve, ndërsa institucionet duhet të krijojnë mekanizma funksionalë për raportimin dhe trajtimin e rasteve.

    Nevoja për vëmendje më të madhe reflektohet edhe në statistikat institucionale. Sipas të dhënave të përmbledhura nga UNICEF-i, numri i fëmijëve viktima të dhunës të regjistruar nga autoritetet arsimore është rritur nga 104 në vitin 2017 në 741 në vitin 2023.

    Megjithatë, UNICEF-i paralajmëron se ky ndryshim nuk duhet interpretuar automatikisht si dëshmi se dhuna është rritur në të njëjtën masë. Në numrat e regjistruar mund të kenë ndikuar edhe ndryshimet në sistemin e raportimit, evidentimit dhe mbledhjes së të dhënave. Pikërisht këtu, sipas Rushanit, merr rëndësi parandalimi. Institucionet nuk duhet të aktivizohen vetëm pasi një konflikt ka përfunduar me pasoja të rënda. Mekanizmat duhet të funksionojnë shumë më herët, kur paraqiten shenjat e para të bullizmit, kërcënimeve apo konflikteve të përsëritura. “Duhet të kalojmë nga kultura e reagimit në kulturën e parandalimit”, është mesazhi i Rushanit. Kjo, sipas tij, kërkon profesionistë funksionalë në shkolla, edukim socio-emocional, mekanizma të sigurt për raportimin e dhunës dhe bashkëpunim më të mirë mes familjes, shkollës dhe institucioneve.

    Një mesazh të drejtpërdrejtë Rushani ua drejton edhe vetë fëmijëve dhe adoleshentëve: forca nuk duhet të ngatërrohet me dhunën. “Të jesh i fortë nuk do të thotë ta bësh tjetrin të ketë frikë. Do të thotë të dish të kontrollosh zemërimin, të largohesh nga një konflikt që po përshkallëzohet dhe të kërkosh ndihmë kur ndihesh i kërcënuar”, thekson ai.

    Rasti i 13-vjeçarit nuk duhet të mbetet vetëm një lajm që zbehet me kalimin e ditëve. Statistikat tregojnë se bullizmi në shkollë, dhuna në familje dhe bullizmi online prekin një pjesë të konsiderueshme të fëmijëve. Pas secilës shifër, megjithatë, qëndron një fëmijë dhe një përvojë që shpesh mund të mos jetë treguar askund. Parandalimi nis shumë përpara incidentit të rëndë: me komunikimin në familje, me mësuesin që vëren ndryshimin e sjelljes së një nxënësi, me bashkëmoshatarin që nuk hesht përballë bullizmit dhe me institucionet që reagojnë para se konflikti të dalë jashtë kontrollit. Sepse respekti nuk është dobësi, kërkimi i ndihmës nuk është turp dhe shmangia e dhunës nuk është frikë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Onkologjia në Shkup nën presion për shkak të numrit të madh të pacientëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë