Sipas të dhënave statistikore në Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, nga një janari e deri më 30 qershor janë regjistruar 25 raste të denoncuara të mashtrimeve edhe atë në Tetovë 17 dhe 8 në Gostivar, ndërsa në gjykatën kompetente janë dorëzuar gjithsej 32 kallëzime penale, respektivisht në Gjykatën Themelore të Tetovës 15 dhe në Gjykatën Themelore në Gostivar17, kundër 28 autorëve të njohur dhe 4 të panjohur për veprat penale “mashtrim” dhe “mashtrim kompjuterik” të cilat kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe. Nga policia njoftojnë se ka edhe kallëzime të dorëzuara që kanë ndodhur në fund të vitit 2024.
“Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar 2024, vërejmë një rënie të lehtë të këtyre veprave në zonën e mbuluar nga SPB Tetovë. Sipas nenit 247 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kushdo që vepron në kundërshtim me këtë nen, në varësi të vlerës së dëmit të shkaktuar, do të dënohet me burgim nga 3 muaj deri në 10 vjet”, deklaroi zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Edhe gjatë këtij viti, lloji dhe mënyra e kryerjes së mashtrimeve është e ngjashme me vitin e kaluar, siç janë mashtrimet kompjuterike, mashtrimet përmes rrjeteve sociale, mashtrimet bankare, mashtrimet në blerje-shitje dhe lloje të tjera mashtrimesh.
“Vlen të përmendet se këtë vit nuk janë regjistruar mashtrime me organizime të rreme festash dhe seminareve. Sektori për Krim Kibernetik këshillon qytetarët të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm gjatë komunikimit me persona të panjohur që ofrojnë këshilla financiare për fitime përmes internetit. Asnjëherë mos instaloni aplikacione për qasje në distancë me kërkesë të të panjohurve dhe kini kujdes nga thirrjet nga numra telefoni të panjohur ose të dyshimtë. Në rast dyshimi për mashtrim, menjëherë kontaktoni bankën tuaj dhe denonconi rastin në Ministrinë e Punëve të Brendshme” tha zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Ndonëse shënojnë rënie për nga shifrat, megjithatë mashtrime të ndryshme raportohen në policinë e Tetovës. Në këtë drejtim, banorët e rajonit të Pollogut, assesi të çlirohen nga mashtruesit e shumtë që operojnë në rrjetet sociale. Por, me kalimin e kohës dhe ndryshimeve të mëdha teknologjike, kanë ndryshuar edhe format e operimit të mashtruesve. Pre e këtyre mashtrimeve më shumë janë qytetarët që nuk kanë njohuri për rrjetet sociale dhe teknologjinë. Ndonëse në të kaluarën, mashtruesit vepronin në rrugë, tash ata veprojnë prapa kompjuterëve ose celularëve. /Koha/






