Nga misri i zi te fasulet rozë: misioni për të shpëtuar farërat e varieteteve vendase të RMV-së

    Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Domate qershi të verdha në formë dardhe, që përdoren për përgatitjen e ëmbëlsirës tradicionale slatko; misër kokoshkash me kokrra të zeza; fasule me ngjyrë rozë intensive; bishtaja që rriten deri në një metër gjatësi; si dhe shalqinj e fasule që nuk gjenden askund tjetër, por kultivohen vetëm në disa fshatra të Maqedonisë, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Kjo është pasuria bujqësore, ende pak e njohur dhe mjaft e veçantë, e vendit tonë, e ruajtur në farat e varieteteve të vjetra lokale. Ajo ka mbijetuar falë misionit që profesoresha Mirjana Jankulovska, nga Fakulteti i Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit, nisi rreth 15 vjet më parë së bashku me disa kolegë nga Departamenti i Gjenetikës dhe Mbarështimit.

    Qëllimi që i vunë vetes ishte të vizitonin çdo fshat të Maqedonisë për të mbledhur dhe ruajtur farat e kultivuara në këtë territor, përpara se ato të zhdukeshin përgjithmonë. Fshatrat po zbrazen, ndërsa gjithnjë e më pak njerëz kultivojnë ushqimin e tyre.

    Megjithatë, pasuria e diversitetit bimor që gjetën ua tejkaloi çdo pritshmëri.

    Jankulovska kujton me entuziazëm habinë që ndjeu kur pa për herë të parë një grua duke shitur në një treg lokal misër të zi për kokoshka – një varietet që ishte ruajtur për dekada dhe mbillej çdo vit nga familja e saj.

    Një nga zbulimet që i mahniti më shumë ishte një lloj shalqiri, të cilin banorët vendas e quanin škoravki ose badatki. Fruti ishte jashtëzakonisht i ëmbël, ndërsa farat ishin të grumbulluara fort në qendër të tij, një tipar shumë i pazakontë.

    “Kërkuam në të gjithë literaturën shkencore, por deri më sot nuk kemi gjetur një ekzemplar tjetër të tillë”, thotë profesoresha.

    Në malet mbi Strumicë, në fshatin Dorlombas, ku arritën me shumë vështirësi përgjatë një rruge të paasfaltuar, zbuluan një varietet të vjetër vendas të domateve qershi të verdha, në formë dardhe, të cilat banorët i përdornin për përgatitjen e slatko-s.

    Për shkak të izolimit të fshatit nga qyteti, banorët ishin të detyruar të prodhonin vetë ushqimin e tyre, duke ruajtur kështu një pasuri të jashtëzakonshme të varieteteve lokale.

    “Ata nuk kishin pothuajse asgjë dhe të gjitha farat u kishin mbetur trashëgim nga gjyshet dhe stërgjyshet”, kujton Jankulovska.

    Diversitetin më të madh e gjetën te fasulet, specat, kungujt, shalqinjtë, pjeprat, misri dhe domatet.

    Gjatë një ekspedite tjetër, morën fara lulëkuqeje që ishin ruajtur në një kavanoz për më shumë se 20 vjet.

    Kur i mbollën, mbinë vetëm disa bimë, sepse fuqia mbirëse e farave ishte dobësuar me kalimin e kohës. Megjithatë, edhe një bimë e vetme ishte e mjaftueshme për të nisur një cikël të ri të riprodhimit të farave.

    “Ndonjëherë njerëzit nuk kanë mundësi të na japin më shumë, ndaj marrim vetëm tre ose pesë kokrra”, thotë profesoresha.

    Si rezultat i punës së Jankulovskës dhe dy ose tre kolegëve të saj, deri më sot janë mbledhur rreth 10 mijë mostra farash nga 80 lloje bimësh, të siguruara në më shumë se 600 fshatra nga të gjitha komunat e vendit, të cilat i kanë vizituar personalisht.

    Dhe e gjithë kjo është arritur falë përkushtimit personal, me shumë sakrifica dhe pothuajse pa asnjë mbështetje nga shteti.

    Një garë e heshtur me zhdukjen e farërave

    Ruajtja e farërave të varieteteve të vjetra vendase nënkupton edhe ruajtjen e biodiversitetit bimor, i cili po zhduket gradualisht si pasojë e bujqësisë konvencionale dhe faktit se shumica e njerëzve sot ushqimin e blejnë në dyqane, në vend që ta prodhojnë vetë.

    Nga ana tjetër, pikërisht ky diversitet kulturash rrit mundësinë për të gjetur bimë që përshtaten më mirë me tokat e varfra, u rezistojnë thatësirave, dëmtuesve dhe sëmundjeve.

    Për Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO), ruajtja e diversitetit bimor përbën “garancinë e mbijetesës së sistemit tonë ushqimor”.

    Ky material gjenetik mund të jetë vendimtar në kushtet e ndryshimeve klimatike, pasi këto bimë janë përshtatur për dekada e madje shekuj me klimën ku janë kultivuar dhe kanë arritur të mbijetojnë.

    “Ndoshta një farë duket e parëndësishme, por pa të nuk do të mund të mbijetonim; do të vdisnim nga uria. Nëse humbasim këto varietete, nëse humbasim këtë farë, nuk ka më kthim prapa”, paralajmëron Jankulovska.

    Megjithatë, humbja e varieteteve po ndodh para syve të tyre. Nëse 15 vjet më parë, kur nisën këtë mision me shumë entuziazëm, gjenin një pasuri të madhe farërash, gjatë pesë viteve të fundit situata është bërë dukshëm më e vështirë.

    Fillimisht, falë ritmit me të cilin punonin dhe mbështetjes së pjesshme nga projekte ndërkombëtare, ata besonin se brenda pak vitesh do të arrinin të vizitonin të gjitha fshatrat dhe të mblidhnin gjithçka që mund të shpëtohej. Megjithatë, ky plan u ngadalësua ndjeshëm kur kuptuan se ishin lënë pothuajse të vetëm në këtë mision.

    Ekspeditat nëpër fshatra, mijëra kilometrat e përshkuar dhe takimet me banorët që ende kultivonin varietete vendase përbënin vetëm një pjesë të punës, e cila ishte gjithmonë e paparashikueshme.

    Në fillim, banorët i prisnin me mosbesim. Më pas, sapo kuptonin qëllimin e tyre, jo vetëm që u jepnin farat që kishin ruajtur, por edhe i udhëzonin se në cilat shtëpi të tjera mund të gjenin varietete të rralla ose në cilin fshat duhej të vazhdonin kërkimet.

    Nga disa ekspedita ktheheshin me automjetet plot me fruta, të cilat duhej t’i pastronin gjatë dy ose tri ditëve në vijim për të nxjerrë farat.

    Shpesh kjo nënkuptonte të kalonin net të tëra zgjuar në fakultet, duke nxjerrë farat nga pjeprat, shalqinjtë, domatet dhe kulturat e tjera, përpara se frutat të fillonin të kalbeshin.

    Një nga zbulimet që i befasoi më shumë ishte ai i të ashtuquajturve “patëllxhanë të bardhë”, farat e të cilëve i siguruan gjatë një prej ekspeditave.

    Në pamje të parë, bëhej fjalë për një patëllxhan me ngjyrë të gjelbër, jo vjollcë, por banorët vendas e quanin “patëllxhan i bardhë”. Kur e mbollën në parcelat eksperimentale të fakultetit, u rrit një bimë e mbuluar me gjemba, të cilat gjendeshin jo vetëm në kërcell e në gjethe, por edhe në lule.

    “Më vonë kuptuam se bëhej fjalë për një nga format më të hershme të patëllxhanit, sepse në procesin e përmirësimit gjenetik, mbarështuesit janë përpjekur pikërisht të eliminojnë tipare të tilla të padëshiruara”, shpjegon Jankulovska.

    Për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për një varietet unik dhe nëse ekzistonin kopje të tjera, duhej të kryheshin analiza molekulare, të cilat kushtonin shumë dhe, në shumicën e rasteve, financoheshin nga vetë studiuesit.

    Ata u mahnitën veçanërisht edhe nga larmia e fasuleve, për të cilat arritën të krijonin një koleksion me mbi 2.200 ekzemplarë.

    Në këtë koleksion, fasulet e bardha, që zakonisht gjenden në treg, përbëjnë vetëm një pjesë të vogël.

    Ka fasule jeshile, të zeza, kafe, bezhë, vjollcë, me forma, përmasa dhe motive të ndryshme, madje edhe fasule me një ngjyrë rozë të ndezur, të cilat sot gjenden shumë rrallë edhe në fshatra.

    Për të studiuar karakteristikat e tyre, dy vjet më parë ata mbollën rreth 400 varietete fasulesh në një parcelë eksperimentale prej një hektari.

    Nga maji deri në dhjetor, disa gra nga departamenti punuan në fushë çdo ditë, duke nisur nga ora katër e mëngjesit e deri në perëndim të diellit. Pikërisht gjatë këtij eksperimenti u përballën me një tjetër zbulim të papritur.

    Normalisht, fasulet kanë gjethe treshe, të ngjashme me ato të tërfilit. Megjithatë, nga farat e mbledhura mbinë edhe bimë me katër, pesë, madje edhe më shumë gjethe.

    “Është hera e parë që një dukuri e tillë dokumentohet në botë”, thotë Jankulovska.

    Në koleksionin botëror të fasuleve, i cili ruhet në Kolumbi, ekzemplari i vetëm i llojit Phaseolus dumosus i gjetur jashtë Amerikës së Jugut e ka origjinën nga Maqedonia.

    Pas botimit të monografisë kushtuar fasuleve të Maqedonisë, ekipi planifikon të botojë vepra të ngjashme edhe për specat dhe domatet.

    Megjithatë, ende ka fshatra që nuk janë vizituar. Synimi i tyre është të arrijnë edhe atje, për të parë nëse ekzistojnë ende fara që mund të shpëtohen.

    Megjithatë, ata tashmë janë pajtuar me faktin se nuk do të mund të shpëtojnë gjithçka që kishin planifikuar.

    Deri më sot, kanë dërguar më shumë se 5.000 ekzemplarë në banka të huaja të farërave gjenetike, ku janë të bindur se do të ruhen përgjithmonë, duke e ruajtur edhe origjinën e tyre maqedonase.

    Brenda vendit, farat ruhen në Bankën Gjenetike të Institutit Bujqësor, e cila disponon 721 ekzemplarë nga 43 specie botanike.

    Një pjesë e materialit ruhet gjithashtu në Fakultetin e Bujqësisë në Shtip dhe në Institutin e Duhanit në Prilep.

    Megjithatë, këto koleksione janë shumë më të vogla sesa materiali që ka mbledhur ekipi i Jankulovskës.

    “Nëse nuk i mbledhim, nuk i studiojmë, nuk i ruajmë dhe nuk i përdorim vetë varietetet tona vendase, askush nuk do të ketë nevojë të na i vjedhë. Do t’i humbasim vetë, për shkak të neglizhencës sonë”, thotë Jankulovska.

    Ajo pranon se, ndër vite, ka dëgjuar premtime dhe ka marrë vlerësime nga institucione e kompani të ndryshme, por gjithçka ka mbetur vetëm në fjalë.

    Sipas saj, është e pakuptueshme që, në një kohë kur flitet vazhdimisht për ruajtjen e identitetit maqedonas, anashkalohet një element që është pjesë e pandashme e atij identiteti.

    “Çdo farë mbart kujtesën e së kaluarës, recetat tradicionale, dijet lokale dhe mënyrën e jetesës së njerëzve që kanë jetuar në ato zona rurale”, thekson Jankulovska.

    Kur e takuam për herë të parë në Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit, ajo dhe një koleg po transportonin nëpër shkallë një duzinë thasësh me substrat për rritjen e fidanëve.

    Secili prej tyre peshonte rreth njëqind kilogramë.

    Ishte mesditë, në kulmin e verës, dhe korridoret e fakultetit ishin pothuajse bosh.

    “Jemi mësuar me këtë. Nuk ka kush të na ndihmojë dhe duhet t’ia dalim vetë”, tha Jankulovska me një buzëqeshje të lehtë, ndërsa vendoste në dysheme thasët e rëndë.

    Farat e RMV në akullin e Arktikut

    Një nga synimet e fundit që ekipi i ka vënë vetes është ruajtja e një pjese të këtij koleksioni të pasur në akullin e përhershëm të Arktikut, në Norvegji.

    Atje ndodhet Depoja Globale e Farërave në Svalbard, ku ruhen mostra farërash nga pothuajse të gjitha vendet e botës. Ajo shërben si një rezervë sigurie për rastet e fatkeqësive globale, qoftë luftëra, katastrofa natyrore apo pasojat e ndryshimeve klimatike.

    Pikërisht falë kësaj depoje u bë i mundur restaurimi i koleksionit të farërave të Sirisë, pasi banka e saj e gjeneve u shkatërrua gjatë luftës.

    “Ne duam të krijojmë një koleksion sigurie, një lloj police sigurimi për farërat tona. Nëse një ditë përballemi me ndonjë fatkeqësi dhe humbasim koleksionin që kemi, do të kemi mundësi t’i rikthejmë ato nga Svalbardi”, shpjegon Jankulovska.

    Megjithatë, dërgimi i farërave në Svalbard nuk është një proces i thjeshtë.

    Për secilin varietet kërkohet një sasi minimale farash, të cilën ekipi nuk e disponon ende. Për këtë arsye, do të duhet të hyjnë në një proces shumëvjeçar të shumëzimit dhe ripërtëritjes së materialit faror.

    “Problemi ynë nuk është mungesa e aktivitetit, por mungesa e një sistemi. Ne kemi farat, koleksionet, dijen dhe ekspertët. Ajo që na mungon është një vullnet politik i qëndrueshëm, financimi afatgjatë dhe koordinimi në nivel kombëtar. Pasuria ekziston, por e ardhmja e saj ende nuk është e siguruar”, paralajmëron Jankulovska.

    Lajmi Paraprak

    Tetova përballë zgjedhjeve të parakohshme? Votimi i së hënës mund të shpërndajë Këshillin

    Lajmi i rradhës

    Komuna e Strugës dështon ta zgjidhë problemin e qenve endacakë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë