Të rinj aktivistë të trevave shqiptare në Mal të Zi janë bërë bashkë për një kauzë: t’i shpëtojnë asimilimit të shqiptarëve në trevat malazeze, duke hequr nga mbiemrat e tyre dy prapashtesat me prejardhje sllave – viq dhe – iq.
“Për vetëm 30 minuta angazhim fëmijët, nipat, stërnipat… dhe i gjithë fisi juaj nuk do të ketë më – viq sot e 1000 vjet!” shkruhet në faqen zyrtare të nismëtarëve.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, tregon për Albanian Post se ideja e kësaj nisme ka nisur para shumë kohësh, pasi “i shqetëson jashtë mase ky fenomen deformues i identitetit kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi, duke i përafruar ato me prapashtesat e mbiemrave të shumicës sllavofone këtu dhe ish-Jugosllavi”.
Ndërgjegjësim dhe informim janë dy pikat kyçe të ëeb-faqes së krijuar për “pastrimin” nga mbiemrat shqiptarë të prapashtesave me origjinë sllave.
“Mbi të gjitha”, thotë Nika “tani ligji e mundëson fare thjesht një gjë të tillë”.
Më tej, ai i cilëson nismëtarët e “-iq dhe -viq” si “patriotë shqiptarë që kanë trashëguar vetëdijen e lartë dhe guximin, nga të parët e tyre, që në kohët e Jugosllavisë”, përcjell Albinfo.ch.
Pse pikërisht tani?
Në kohët e mëparshme, shpjegon më tej ai, nuk ishte aspak e lehtë ndryshimi i mbiemrit, pasi duheshin muaj të tërë procedurash burokratike dhe pyetje të shumta nga organet përgjegjëse për arsyet e heqjes së këtyre dy prapashtesave.
“Por që nga viti 2009, me ndryshimin e ligjit për procedurat e ndryshimit dhe plotësimit të identitetit, tani pothuajse thjesht fare, mund të korrigjohet mbiemri”.
Si mund të “pastrohen” nga mbiemri këto dy prapashtesa?
“Mjafton të aplikosh për një akt të tillë dhe të paguash tarifat e caktuara me ligje për ndryshim”, thotë kreu i Këshillit.
Ky lajm i ka gëzuar shumë shqiptarët patriotë të Malit të Zi, ndonëse për të dhënat e numrit të personave që kanë ndryshuar mbiemrin “duhet të presim fundit e vitit kalendarik”.