Një vit shkollor sa për sy e faqe

    Gazetar | Emir Hamzai

    Mësuesit dhe profesorët kanë shprehur shqetësime për mësimin online gjatë vitit shkollor 2020/21. Përveç problemeve teknike dhe pajisjeve, ata thonë se ky vit është regjistruar si vit jo i suksesshëm për arsimin dhe mbarëvajtjen mësimore. Ata kanë ndarë shumë përvoja të këqija me mësimin online, cilësinë e arsimit, notimin, rezultatet e dobëta dhe komunikimin me nxënësit.

    Arsimtari i matematikës, Xhemaludin Zulbeari nga shkolla fillore “Ibrahim Tema” për Nistori shprehet se mësimi online nuk ka mundësuar vlerësimin e të arriturave të nxënësve dhe se ky model nga ana tjetër ka mundësuar që nxënësit të mos angazhohen në orët e rregullta mësimore.

    “Problem serioz përveç pajisjeve teknologjike, ka qenë mos angazhimi i nxënësve në orët e rregullta mësimore, përkrahja e dobët e prindërve, motivimi i nxënësve, vlerësimi i të arriturave të nxënësve. Kur jemi te vlerësimi i nxënësve mund të themi se ka qenë sfidë shumë e vështirë si rezultat i mospranisë fizike, po ashtu mos serioziteti i duhur nga ana e nxënësve dhe prindërve, vlerësim i cili solli deri te një notim formal apo thënë ndryshe shënim numrash”, deklaron Zulbeari.

    Zylbeari shpreson që viti i ardhshëm shkollor të fillojë me prezencë fizike dhe si vështirësi e sheh risocializimin e nxënësve, motivimin si dhe pjesëmarrjen në mësim dhe në aktivitetet jashtëmësimore.

    Profesori i Gjuhës shqipe në Gjimnazin e Tetovës, Hashim Baftiari thotë se ky vit shkollor filloi me një muaj vonesë dhe me anomali nga më të ndryshmet si bie fjala: tekstet shkollore copë-copë dhe me lëshime të paimagjinueshme; një pjesë e tyre përkthime rreth dhjetë fish nën çmimin stanadard të përkthimit. Vetëm në një fragment të librit Gjuha shqipe dhe letërsia gjenden mbi 400 gabime të natyrave të ndryshme.

    Baftiari nuk shpreson se viti i ardhshëm shkollor do të ndryshojë shumë nga ky vit.

    “Në vitin e ardhshëm shkollor nuk presim shumë, duke parë gjendejn e përgjithshme dhe vullnetin e përgjithshëm. Populli thotë: Më ka djegë kunglli në tepsi, i fryj te ara. Pushteti nëse e ka prioritet arsimin duhet t’i qaset me seriozitetin më të madh atij, me investime, me korrigjimet e teksteve, me rritjen e mirëqenies së punëtorëve të arsimit dhe të gjitha këto të bëhen urgjentisht, para se të jetë tepër vonë për të rregulluar diçka”, deklaron Baftiari.

    Të njëjtin shqetësim e ndan për Nistori edhe mësuesja e Gjuhës shqipe, Samira Idrizi, e cila thekson se mësimi online ka qenë një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sektori i arsimit në këtë vit shkollor.

    “Do të kisha thënë se problem më i theksuar ka qenë interneti, si te mësimdhënësit, por edhe te nxënësit. Gjithashtu jemi ballafaquar edhe me probleme të natyrave të tjera, ku dukshëm kanë ndikuar te vlerësimi i nxënësve dhe mos të them edhe në psikikën e tyre! Nuk ëshë e njëjtë nëse nuk e ke mësimdhënësin përballë vetes, dërrasën e zezë që është mjeti bazë, pastaj shumicën e rasteve nxënësit i dërgonin detyrat në Word. Hutia më e madhe që krijoheshte te nxënësit ishte kur duheshte t’i vlerësojmë nëpërmjet testimit, edhe pse ishin në shtëpi, tek ata mbizotëronte një shqetësim i madh, sepse kishin frikë nëse dështonte rrjeti i internetit dhe nuk do ta kryenin testin. Do të kisha thënë se kaluam një vit me shumë sakrifica!”, shprehet Idrizi.

    Idrizi më tej shton se viti i ri shkollor domosdoshmërisht duhet të jetë me prani fizike, me libra si dhe nxënësit të mësojnë pranë bankave shkollore.

    Ministrja e Arsimit dhe Shkenës, Milla Carovska sot nëpërmjet një video-fjalimi tha se ky vit shkollor përfundoi me sukses dhe ishte sfidë ku MASH në mënyrën më të mirë, por kryetari i UNSHM-së, Blendi Hodai ka kundërshtuar një gjë të tillë duke thënë se sukses në kuptimin e mbarimit të vitit shkollor, ndoshta edhe mund të quhej, por nga aspekti cilësor është dështim par exellance.

    “Nga dita e parë, dështoi platforma kombëtare për mësim nga distanca. Shumica e nxënësve, në hulumtime të ndryshme janë deklaruar se shumë bashkëmoshatarë të tyre kanë hyrë për së pari herë në orë diku në muajin Nëntor. Probleme teknike me rrjetin; interaktiviteti gjatë orës ka qenë shumë i ulur për të mos vazhduar me radhë. Përfaqësuesit e MASH, duket se jetojnë në një realitet krejt ndryshe nga ajo e nxënësve e mësimdhënësve. Ky vit ndoshta ka qenë më shumë eksperimental, në kuptimin e asaj që gjithçka është bërë kuturu, pa plan dhe strategji”, deklaron Hodai për Nistori.

    Përndryshe, sot ishte dita e fundit e shkollës për vitin shkollor 2020/21 për nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit nga këndvështrimi Mid’hat Frashërit

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për kontroll të përbashkët kufitar dhe doganor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë