Një vit shkollor shkel e shko!

    Viti shkollor për rreth 255 mijë nxënës filloi pa prezencën e masave anti-kovid por me këmbë të mbarë sa i përket kritikave fillimisht për reformimin e tij e më pas edhe për tekstet skandaloze të cilat shkruheshin në ato pak libra të dorëzuara nga MASH, pasi që në fillim të shtatorit në mënyrë indirekte MASH bëri me dije se për këtë vit nxënësit nuk do kenë materiale shkollore, pasi që në nisje nga atje thanë se kanë shtypur materiale të cilat do të vlenin vetëm për tremujorin e parë, duke siguruar njëkohësisht se nuk ka vend për shqetësim dhe se në asnjë mënyrë mungesa e librave nuk rrezikon procesin arsimor.

    Me gjithë mundin për të qetësuar opinionin, punonjësit e arsimit shpreheshin se kjo ka edhe një kosto shtesë. Sipas deklaratës së asaj kohe të Xheladin Muratit, profesor në Fakultetin Pedagogjik, çdo vend i zhvilluar i Evropës tekstet mësimore i boton në qershor dhe jo në shtator. Nga ana tjetër ishin prindërit të cilët edhe pse me çmime në tavan nuk kursenin asgjë në mënyrë që të siguronin çdo lloj materiale shkollor për fëmijët, ndërsa shpreheshin të shqetësuar edhe për mungesën e librave.

    Fundi i tetorit, fillimi nëntorit, dhe kështu në çdo fillim e fund muaji premtoheshin dorëzime të librave në shkolla derisa doli ministri i Arsimit Jeton Shaqiri dhe tha se MASH nuk ka mjete të mjaftueshme për të siguruar shtypjen e librave shkollore. Sikur të mos mjaftonte problemi me mungesë të librave e teksteve skandaloze.

    Më 26 tetor 2022 në shkollat e Maqedonisë së Veriut filluan të vijnë edhe alarme për mjete eksplozive të vendosura. Me këto probleme përfundoi gjysmë-vjetori i parë për t’i lënë hapësirë aludimeve se si do fillojë gjysmë-vjetori i dytë. Do jetë me prezencë fizike apo mësimi do të zhvillohet online, derisa MASH nuk e konfirmoi se mësimi përsëri do të fillojë me prezencë fizike dhe me rrymë të subvencionuar nga qeveria.

    Më 23 janar ashtu edhe siç ishte paraparë filloi gjysmë-vjetori i dytë por jo me më pak probleme, pasi problemet kësaj here dolën edhe me gabimet dhe politizimin e teksteve shkollore. Në librin e gjuhës shqipe për klasat e 5 si shembull për shkurtesat e emrave shkruhej edhe BDI-ja. Përsëri ishte vet Shaqiri ai që kërkoi që personat të cilët lejojnë gabime të tilla në përmbajtjen e teksteve shkollore të sanksionohen me ligj. Duket se derisa po merreshin me problemet e shkollave fillore e të mesme, MASH harroi të bëjë pagesën për bursat dhe shujtën studentore. Në mars studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme u bashkuan për të protestuar për siç thuhet kërkesat e tyre. Studentët kërkonin rritje të shujtës studentore si dhe të drejtat e tyre, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme kërkonin shkurtimin e materialit të maturës shtetërore, e cila më pas do të ishte e dyshimtë edhe nëse do të mbahej pasi një muaj para datës së mbajtjes së këtij provimi Qendra e Provimeve Shtetërore u fut në grevë për shkak që siç thanë nga atje “refuzimit të Ministrisë së Financave për të pranuar kërkesën për ndryshimin dhe plotësimin e marrëveshjes kolektive, me qëllim mbrojtjen e të drejtave ekonomike sociale të anëtarëve të saj”.

    Pavarësisht grevës së këtij institucioni, ministri Shaqiri deklaronte se matura shtetërore do të mbahet në datat e parapara me ligj. Ai tha se i mbështet kërkesat e punonjësve të Qendrës për Provime Shtetërore por që provimet do të mbahen me 27 maj siç edhe ishin caktuar, madje në njëfarë forme edhe kërcënoi se do të dërgoheshin punonjës nga MASH që të përfundojnë punët e mbetura.

    Ndërsa e fundit ishte rasti i ndodhur në Beograd ai që ngriti alarmin për nevojën e masave konkrete ndaj bullizmit, dhunës dhe diskriminimit në shkollat e vendit. Shifrat nga 25% deri 30% të dala nga një hulumtim i OJQ-ve për dhunën në mes të bashkëmoshatarëve ishin marramendëse. Masakrat e ndodhura në Beograd, shifrat e larta të rasteve jo të raportuara për dhunën ishin shkak që ministri Shaqiri mblodhi ekspertë e sociologë për të vendosur se çfarë masa të ndërmerren në mënyrë që të parandalohet një ngjarje e tillë. U përfol për bllokim të rrjetit social Tik-Tok, rritje të sigurisë në shkolla, por që në vend të masave më rigoroze MASH në fund doli me vetëm 10 rekomandime se si të veprojnë shkollat për të parandaluar një skenë të tillë monstruoze. Si për përmbyllje të gjithë këtij “suksesi” të arsimit në Maqedoninë e Veriut ishte edhe lajmi se nxënësit e klasave të katërta në Maqedoninë e Veriut nuk dinë lexim. Rezultat ky i dalë nga një studim ndërkombëtar për vlerësimin e aftësive të nxënësve sa i përket leximit dhe përvetësimit të materialit të lexuar. /Koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Simptomat më pak të njohura që tregojnë se keni probleme me zorrët

    Lajmi i rradhës

    Nga dita e sotme, produktet bazë me çmime të “shkrira”, nuk priten shtrenjtime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë