NUK KA PËRFSHIRJE TË TË RINJVE AS TE ÇËSHTJET SOCIALE

    Në vendin tonë të rinjtë që sapo i kanë mbushur 18 vjet dhe për herë të parë kanë mundësi të votojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe ato parlamentare që pritet të mbahen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, shumë pak i njohin udhëheqësit politikë, por edhe nuk shprehin gatishmëri për t’u përfshirë as edhe në debate politike. Ata thonë se nuk kanë njohuri as për politikat që promovojnë partitë e caktuara politike të vendit. Nga ana tjetër politika është prezente në çdo hapësirë dhe institucion në vendin tonë dhe doemos të rinjtë dëgjojnë se çfarë po ndodhë me ngjarjet në vend, mirëpo sipas komunikologut dhe aktivistit Abedin Ismaili “injoranca politike” prodhon politikanë të papërgjegjshëm, prandaj të rinjtë gabojnë shumë dhe rëndë kur injorojnë ngjarjet politike. Sipas Ismailit politikanët keqpërdorin të rinjtë duke i shfrytëzuar vetëm për ndezje koftorësh në shtabe gjatë dimrit apo furnizim me ujë të ftohtë gjatë verës.

    Ai për gazetën KOHA se ky mos-interesim ndaj politikës nuk vjen vetvetiu, por është si pasojë e mos interesimit të politikës për të rinjtë.

    “Zgjedhjet në vendin tonë më shumë nxjerrin në pah probleme sesa zgjidhin. Në fakt, njëri prej problemeve kryesore që vihet në dukje kur afrohen zgjedhjet është pikërisht indiferenca dhe mungesa e interesimit të të rinjve për politikën. ‘Injoranca politike’ prodhon politikanë të papërgjegjshëm, prandaj të rinjtë gabojnë shumë dhe rëndë kur injorojnë ngjarjet politike në vend. Por, ky mos interesim për politikën nga të rinjtë nuk vjen vetvetiu, por është si pasojë e mos interesimit të politikës për të rinjtë, madje edhe më keq se kaq, politikanët keqpërdorin të rinjtë duke i shfrytëzuar vetëm për ndezje koftorësh në shtabe gjatë dimrit apo furnizim me ujë të ftohtë gjatë verës”, tha Ismaili.

    Të rinjtë mbi moshën 18 vjeçare, atëherë kur kanë mundësi të votojnë, theksojnë se shpesh vota imponohet prej familjarëve, e kjo u bën që të mos kenë interes për udhëheqësit politik. Ata ndihen të pa sigurt në lidhje me fuqinë dhe çështjet që ngrisin. Edhe studentja Qendresa Iljazi, që në vitin e ardhshëm ka të drejtë të votoj në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale theksoi për gazetën KOHA se vota e saj vendoset nga familjarët, sepse ajo nuk i njeh subjektet politike në përgjithësi. “Po, do të votoj, mirëpo nuk e di se cilët do jenë kandidatët, vota ime varet se kë do të votojnë prindërit e mi. Ata gjithmonë na mësojnë të qëndrojmë larg politikës, sepse nuk na sjell diçka të mirë në të ardhmen, është më mirë të merremi me sfera tjera. Edhe nëse përfshihemi, nuk jemi të fuqishëm për ndryshime politike dhe sociale, sepse nuk dëgjohemi”, tha studentja Iljazi.

    ÇFARË DUHET BËRË?

    Profesorët e universiteteve theksojnë se mosinteresimi i të rinjve për çështjet politike dhe fushat tjera të veprimit paraqesin një situatë shqetësuese, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit tonë por edhe në konceptin e demokracisë që mundohemi për gati tre dekada ta sjellim në binaret e duhura.

    Për këtë Deniz Memedi, ligjërues në Universitetin Nënë Tereza dhe program koordinator ne Institutin Maqedonas për Media, tha për gazetën KOHA se ndër arsyet e mosinteresimit politik janë edhe zhgënjimi politik, mungesa e besimit në institucione dhe ndjenja e të qenit i padëgjuar, të cilët mund të kontribuojnë në këtë apati politike. Për më tepër, Memedi theksoi se dinamika e globalizimit e ndikuar nga teknologjia në të cilën jetojmë shpesh konkurron për vëmendjen e tyre, duke e bërë sfiduese angazhimin tradicional politik.

    “Është thelbësore që institucionet dhe organizatat të ndërmarrin hapa pro-aktivë për të përfshirë sa më shumë të rinj në sferën politike dhe më të gjerë shoqërore. Disa nga masat që mund të ndihmojnë në adresimin e kësaj sfide janë inkurajimi i të menduarit kritik, zhvillimi i politikave që adresojnë drejtpërdrejt shqetësimet dhe aspiratat e të rinjve, angazhimi i zërave të rinjë në procesin e politikbërjes, përdorimi i teknologjive dhe platformave te mediave sociale për t’u lidhur me votuesit e rinj si dhe mediat rinore”, deklaroi Memedi

    Ai shtoi se është përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe arsimore dhe sektorit civil që të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të përfshirë të rinjtë në procesin e vendimmarrjes dhe për të adresuar shqetësimet e tyre. “Në përgjithësi mundë të thuhet se apatia e të rinjve në vendin tonë nga politika dhe fushat tjera si sociale, ekonomike apo kulturore është një sfidë që kërkon vëmendje të menjëhershme. Është përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe arsimore dhe sektorit civil që të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të përfshirë të rinjtë në procesin e vendimmarrjes dhe për të adresuar shqetësimet e tyre. Duke vepruar kështu, do të mund të nxisim një demokraci më gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse për të mirën e të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga mosha e tyre”, shtoi Memedi.

    NUK KA PËRFSHIRJE TË RINJVE AS TE ÇËSHTJET SOCIALE

    Për sa i përket problematikave sociale që na rrethojnë shihet qartë se përsëri të rinjtë nuk angazhohen të shprehin mendime, e jo më të inkuadrohen. Sipas Ismailit mos-përfshirja në politik i bën të verbër edhe shurdhër ndaj problemeve sociale. “Mos interesimi për politikën të rinjtë me automatizëm i bën të verbër edhe shurdhër ndaj problemeve sociale me të cilat rrethohen çdo ditë. Prandaj, përmes mediave dhe edukimit të posaçëm në shkolla e universitete të rinjve duhet t’i “imponohet” interesimi për politikbërjen të paktën në vendin e tyre”, u shpreh ai.

    Ndër të tjera, në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave nga regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut që u realizua në tetor të vitit 2021, më shumë se një e treta e popullsisë në vend është nën moshën 30-vjeçare.

    Lajmi Paraprak

    Opozita shqiptare pyet Grubin: a po i bëni presion drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajramit që të mos japë dorëheqje!

    Lajmi i rradhës

    Ministria e Kulturës e RMV rrit buxhetin për agjencinë e filmit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë