“Nuk lejohet noti” | Romët në Bullgari diskriminohen në pishina publike

    Për ta mposhtur të nxehtin, Arso Ganev e ka marrë familjen e tij dhe është nisur në një pishinë në vendlindjen e tij, Kistendil, në perëndim të Bullgarisë.

    Kur kanë arritur pasdite në hotelin me pishinë, të hapur për mysafirë dhe publikun, Ganev dhe vajza e tij i janë afruar një gruaje të re që ka punuar aty, për ta pyetur se në sa ora mbyllet vendi, me shpresën që do të mund të freskohen për pak.

    “Ajo më ka thënë se është e hapur deri në orën 20:00, që i binte se kemi mjaftueshëm kohë për ta shfrytëzuar pishinën. Mirëpo më vonë një grua më në moshë është inkuadruar dhe ka thënë se 50 mysafirë i kanë në hotel dhe nuk mund të na lënë brenda”, ka thënë Ganev.

    Ndonëse ata janë bllokuar, personat tjerë kanë hyrë në pishinë pa u penguar nga askush.

    Duke menduar se atë ditë ka pasur probleme në menaxhim, Ganev ka pyetur nëse mund të shkojnë aty një ditë tjetër, mirëpo shpejt e kanë kuptuar se është e kotë.

    Ai e ka kuptuar se bashkë me familjen do t’i ndalohet hyrja, pavarësisht se kur shkon.

    Ganev dyshon se krejt kjo lidhet vetëm pse janë romë.

    “Komuniteti i romëve është dorëzuar ndaj diskriminimeve. Ata thonë se bizneset private mund të vendosin vetë se kush mund të hyjë e kush jo. Unë nuk pajtohem. Mendoj se sapo të hapet një biznes, ai duhet të jetë i qasshëm për të gjitha grupet etnike”, ka thënë Ganev, këshilltar për edukim, në disa përgjigje për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë.

    Sikurse në secilin vend në Evropë, romët në Bullgari përballen me diskriminim.

    Nga rreth 700.000 sa janë – ndonëse shifra e saktë nuk dihet pasi shumica frikësohen të identifikohen hapur – shumica e romëve në Bullgari jetojnë me plot kufizime në shoqëri, dhe me raste, edhe në ambient armiqësor.

    Tani, kur pjesa më e madhe e Evropës përballet me temperatura rekorde, rastet e diskriminimit kundër romëve në pishina publike në Bullgari sa shkojnë e rriten, dhe për incidente të ngjashme është raportuar në disa qytete.

    Javën e kaluar, Ganev, në zemërim e sipër, e ka ndarë përvojën e tij përmes një postimi në rrjetet sociale.

    Shpejt kanë reaguar edhe romë tjerë, të cilët kanë treguar eksperienca të ngjashme.

    Ognyan Isaev, aktivist në organizatën joqeveritare, Besimi për Alternativa Sociale, që u ndihmon grupeve të cenueshme të dalin nga varfëria, ka thënë se raste të tilla të diskriminimit kundër romëve janë raportuar edhe në një pishinë lokale në Bankia, në një paralagje të Sofjes.

    Në një postim në Facebook, Isaev ka thënë se një çifti i është ndaluar hyrja në kompleksin Aquabankya, ndonëse të tjerëve u është mundësuar hyrja, duke e shtyrë Isaevin të mendojë se vendi ka qenë vetëm për “njerëzit e bardhë”.

    Radio Evropa e Lirë ka kërkuar koment nga Aquabankya për këtë çështje por nuk ka marrë përgjigje.

    Megjithatë, në disa postime në rrjetet sociale është kuptuar se çifti e ka takuar pronarin e pishinës dhe ai ka kërkuar falje.

    Pas incidentit në Bankia, Komisioni bullgar për Mbrojtje kundër Diskriminimit, ka thënë se është duke e hetuar rastin.

    Në disa komente për Radion Evropa e Lirë, Komisioni ka thënë se është duke e hetuar një incident të ngjashëm në një pishinë publike në Sliven, qytet më 120.000 banorë, rreth 300 kilometra në lindje të Sofjes.

    Vetëm më 2023, ky Komision ka hetuar dhe i ka konfirmuar disa raste të diskriminimit të tillë nëpër pishina në qytete të ndryshme të Bullgarisë.

    Në Velingrad, qytezë me rreth 22.000 banorë në jug të Bullgarisë, një pishinë e ka mohuar se nuk i ka pranuar romët në kompleks, duke thënë se situata s’ka pasur të bëjë me racizmin, por me numrin e madh të njerëzve.

    Më vonë, ajo e ka tërhequr deklaratën.

    Më 2021, një raportim i televizionit të pavarur bullgar Nova TV, e ka shpërfaqur diskriminimin që u është bërë romëve në një pishinë publike në Veliko Tarnovo, qytet historik me rreth 71.000 banorë, në qendër të Bullgarisë.

    Më herët gjatë vitit, Komisioni bullgar për Mbrojtje kundër Diskriminimit, ka ardhur në përfundim se pishina ka bërë diskriminim dhe i ka vënë gjobë pronarit.

    Në të njëjtin raport janë përmendur edhe tri raste të ngjashme, që kanë ndodhur nëpër pishina tjera në Bullgari.

    Sikurse Ganev, Danail Filipov, rom që jeton në Kisendil, po ashtu është përballur me diskriminim në një pishinë publike.

    Filipov ka thënë se ai me familjen dhe miqtë janë dëbuar më 2018 nga një pishinë, pasi pronarët u kanë thënë se brenda po organizohet një festë private.

    “I kam pyetur se pse ka rëndësi nëse është festa private, kur njerëzit afër nesh kanë mundur të hyjnë brenda”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Ai ka treguar se më pas është tensionuar situata mes Filipovit dhe pronarëve të pishinës. Kur policia është thirrur për të intervenuar, vetëm romët janë akuzuar

    Filipov ka folur edhe për pasojat e asaj përvoje.

    “Fëmijët e mi janë traumatizuar”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk është përballur me racizëm të tillë në pjesët tjera.

    “Ne jemi përballur me njerëz të ndryshëm, me qasje të ndryshme. Këtu në Kistendil po përballemi me një tjetër lloj të primitivizmit nga bashkëkombësit tanë bullgarë”, ka thënë ai.

    Me gjithë këtë situatë, është shumë i familjarizuar Ganev.

    Ai i ka treguar Radios Evropa e Lirë se i ka ndodhur edhe që të përjashtohet nga klubet e natës dhe restorantet në Kistendil.

    “Për shkak të këtyre situatave, për vite kam tentuar të mos dal prej lagjes, dhe në rastet kur dilja, kam shkuar në restorantet e afërta”, ka thënë Ganev.

    Daniela Mihailova, avokate që ka punuar në rastet e diskriminimit të romëve, ka thënë se bizneset në Bullgari e kanë sajuar një mënyrë për t’u mbrojtur nga akuzat për racizëm, kur romëve u ndalohet hyrja diku.

    “Shumë biznese kanë dalë me rregulla të brendshme për ta mbrojtur veten. Shembull, ata ofrojnë kartela për konsumatorë të rregullt, i rezervojnë disa ulëse… këto janë gjithmonë vetëm arsyetime për të dalë nga situata”, ka thënë Mihailova për Radion Evropa e Lirë.

    Për Filipovin dhe Ganevin, trajtimi i njerëzve në pishinë varet nga ngjyra e tyre e lëkurës.

    “Kur një grup i romëve tenton të hyjë, asnjëri nuk lejohet. Kur ata kthehen ndaras më vonë, vetëm ata me ngjyrë më të bardhë të lëkurës, lejohen brenda”, ka thënë ai.

    Luftimi i një racizmi të tillë në Bullgari është bërë edhe më i vështirë për shkak të mosgatishmërisë së shumë romëve për të folur hapur.

    “Njerëzit nuk duan të flasin, ata janë të frikësuar. Janë të frikësuar të bëjnë ankesa zyrtare”, ka thënë Dora Petkova, sociologe e fokusuar në çështje të integrimit.

    Sipas Petkovas, në atë frikë ka kontribuuar edhe mosveprimi i autoriteteve bullgare ndaj akteve të racizmit ndaj romëve.

    “Mendoj se ka tensione gjithandej në shoqëri – gjuhë të urrejtjes dhe akte me bazë urrejtjen. Siç edhe mund ta shohim, kemi edhe akte anti-semite dhe homofobike. Të gjitha bëhen publikisht dhe pa asnjë ndëshkim”, ka thënë Petkova.

    Megjithatë, ajo e ka përmendur se situata është përmirësuar pak, prej kur Bullgaria është anëtarësuar në Bashkimin Evropian më 2007.

    Një raport i publikuar së fundi nga Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Jotolerancës, ka treguar se “Bullgaria ka shënuar përparim prej vitit 2014 në luftim të jotolerancës, e ka luftuar antisemitizmin, e ka promovuar integrimin e romëve dhe i ka mbështetur refugjatët”.

    Megjithatë, në raport është përmendur se “urrejtja dhe paragjykimi ndaj komunitetit LGBT dhe romëve, është i vazhdueshëm dhe duhet të adresohet”.

    Avokatja Mihailova ka thënë se ka raste kur komuniteti rom është duke iu adresuar Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, me seli në Strasburg, në kërkim të drejtësisë.

    Në tetor të vitit 2022, kjo gjykatë e ka urdhëruar Bullgarinë t’iu paguajë kompensim 56 romëve, të cilët janë dëbuar më 2019 nga një fshat afër Plovdivit, për shkak të racizmit.

    Por, në përgjithësi Ganev beson se romët duhet mësojnë nga njëri-tjetri se si të mbrohen.

    “Po tentoj ta krijoj një refleks brenda komunitetit rom. Sepse nëse ne nuk i mbrojmë të drejtat tona, nuk do të mund të mbijetojmë”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Petrovska: Kryetari i komunës së Zhelinës të mos shet mend, gjysma e ndërtimeve të komunës janë pa leje / Sejdiu e konsideron deklaratën e ministres skandaloze dhe ofendim

    Lajmi i rradhës

    Italia rikthen artefaktet antike nga ShBA-ja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë