Petrovska: Kryetari i komunës së Zhelinës të mos shet mend, gjysma e ndërtimeve të komunës janë pa leje / Sejdiu e konsideron deklaratën e ministres skandaloze dhe ofendim

    Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu të mos shet mend dhe të veprojë me iniciativën e cila është e shkruar qartë dhe e lexueshme, ku citohen dispozitat e Ligjit për monumentet dhe memorialet, ka shkruar ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, në Facebook, përcjell Nistori.

    “Në kushtet kur gjysma e ndërtimeve të komunës janë ndërtime pa leje, ai nuk është shumë i zoti të më japë këshilla ligjore. Më vjen mirë që e inkurajova kryetarin e Butelit pas dy vitesh mandati që të fillojë të mendojë për një monument të tillë dhe e inkurajoj që të veprojë me iniciativën e Ministrisë së Mbrojtjes, në vend që të bëjë populizëm nga kjo temë. Këto ditë jam përmbajtur të mos komentoj çdo gjë që është thënë për iniciativat përkujtimore dhe nuk kam dashur të përfshihem në debate thuajse politike për respektin e sinqertë që kam për veteranët e rënë dhe familjet e tyre. Në të tre lokacionet do të ketë monumente për të cilat unë kam paraqitur iniciativë dhe këtë do ta bëjë Ministria e Mbrojtjes. Dorëzimi i iniciativave është vetëm fillimi e jo fundi i procedurës”, shkruan Petrovska në postimin e saj në Facebook.

    Ndërkaq, i pari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu ka reaguar ndaj ministres Petrovska, kështu duke e quajtur deklaratën e saj skandaloze dhe ofenduese për komunën e Zhelinës.

    “Vërtetë nuk kisha pritur një deklaratë kaq amatore nga një ministër. Me këtë deklaratë dëmtohet rëndë imazhi i të gjithë Ministrisë së Mbrojtjes, që besoj se ky institucion ka shumë njerëz të mirë brenda të cilët nuk ndajnë të njëjtin mendim si ministresha. Ministreshë Petrovska, ne nuk do t’ju drejtohemi juve me një qasje sikur ju duke akuzuar, mosrespektuar e ofenduar një komunë të tërë, vetëm pse kemi thënë të respektohet ligji, sepse ne jemi mësuar të respektojmë e bashkëjetojmë me të tjerët. Ministreshë Petrovska, ju mesiguri nuk keni njohuri për komunën e Zhelinës më shumë se “karpallëku”. Ne këtu kemi shqiptarë e maqedonas, me të cilët bashkëjetojmë e bashkëpunojmë për zhvillimin e vendit ku jetojmë”, shkruan Sejdiu.

    Ai ndër të tjera kërkon nga ministrja për kërkim falje publike banorëve të komunës së Zhelinës për akuzat dhe ofendimet, pasi kjo nuk është as etike, as institucionale. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    RECESIONI I GJATË SJELL DËM! Varësia e madhe nga ekonomia gjermane

    Lajmi i rradhës

    “Nuk lejohet noti” | Romët në Bullgari diskriminohen në pishina publike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë