Sot, tifo-grupi “Ballistët” kanë realizuar një marsh paqësor për nderë të viktimave të cilët vdiqën para katër ditëve nga zjarri në spitalin modular në Tetovë, njofton Nistori.
Marshi ishte i qetë dhe nuk kishte brohoritje, me të vetmin qëllim që të respektojnë 14 viktimat. Në shenjë respekti protestuesit për një minutë qëndruan në heshtje e të ulur. Marshuesit uruan që ngjarje tragjike si kjo të mos ndodhin më kurrë!
“Inshallah kjo është gjëja e fundit që i ka ndodhur Tetovës”, tha Idrizi.
Idrizi nga “Ballistët” tha se mesazhi i marshit është të kërkojnë përgjegjësi, por nuk komentuan për dorëheqjet e ministrave dhe drejtorëve të spitalit të Tetovës.
Por, qytetari Bekim Demiri për Nistori thotë se dorëheqja si akt moral nuk është e mjaftueshme dhe duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka gisht në këtë rast.
“Nuk mjafton, këtu duhet të ketë përgjegjësi. Çdokush që ka gisht në këtë punë, domethënë, çdo institucion që ndjehet se ka pas punë, ndikim në këtë situatë, jo për ta shkaktu, se nuk paragjykojmë, por çdo institucion duhet të merr përsipër fajin, aty ku ndjehet se është fajtor”, shprehet Demiri.
Homazh në nderim të viktimave u paralajmërua edhe për në orën 18:00, në formë të një tubimi qytetar ku ndodhi tragjedia. /Nistori/