Nxënësit në Luboten mësojnë në klasa me lagështi, objekti afër rrënimit

    Rreth 400 nxënës të shkollës fillore “Liman Kaba” të fshatit Luboten të komunës së Butelit rrezikojnë shëndetin e tyre për shkak të mungesës së kushteve në shkollë. Siç thonë mësimdhënësit, shkolla e ndërtuar 80 vite më parë është drejt shkatërrimit dhe thuajse nuk plotëson asnjë kusht për realizim të mirëfilltë të procesit mësimor.

    “Më problematike janë kushtet e dy klasave që mbajnë mësim në bodrum, ka lagështi. Lagështia është një problem që mund të shkaktojë edhe sëmundje te nxënësit. Është një problem i kamotshëm, thuajse mbi 20 ose 30 vjeçarë, numri i nxënësve është rritur..Ajo është si problem për një mësues, sidomos nxënësit që do të mësojnë në ato kushte ku as frymëmarrja nuk është e rregullt”, u shpreh Islam Zendeli, mësimdhënës.

    “Kabinete ne nuk kemi të asnjë lënde. Kushtet ne i krijojmë vet. Interneti është i dobët, nganjëherë është mirë nganjëherë i dobët. Smart tabelat ndonjëherë punojnë ndonjëherë jo. Te të gjitha klasat nuk kemi sepse unë lëviz nga një klasë në klasë tjetër, këto janë kushtet. Siç e shoh unë, ndoshta do të pensionohem me këto probleme se tashmë 20 vjet nuk ka ndonjë ndryshim”, deklaroi Gylere Idrizi, mësimdhënëse.

    Pedagogu Senat Saliu tha se më të prekur në këtë rast janë nxënësit e klasës së parë. Gjithashtu, sipas Saliut, mungesa e sallës sportive po shkakton ngecje në zhvillimin e fëmijëve.

    “Nxënësit gjashtë vjeçarë detyrohen që gjatë tërë vitit të vijnë në shkollë në orën 7 të mëngjesit për arsye të mungesës së një objekti për të ndjekur mësimin. Gjatë rrugës, për arsye se kemi një distancë diku 2 kilometra deri në fund të fshatit nxënësi ballafaqohet me shumë rreziqe gjatë rrugëtimit për në shkollë, si qentë endacak. Pa sallë sportive edhe zhvillimi i tyre fizik është me ngecje”, tha Senat Saliu, pedagog.

    “Problemi i shkollës është te dokumentacioni i shkollës. Shkolla jonë nuk ka fletë pronësie prandaj ka ngecur çdo gjë mbrapa te shkolla jonë. Duhet Ministria e Arsimit bashkë me komunën të reagojnë dhe ta zgjidhin këtë problem. Nuk është problem prej sot por vite e vite”, theksoi Ajfer Dibrani, drejtore e sh.f “Liman Kaba” fsh Luboten.

    Nga Komuna e Butelit thanë se tashmë kanë përpiluar projektin për ndërtim shtesë në shkollën e Lubotenit. Mirëpo, siç sqarojnë nga komuna, çështja tashmë 2 vjet ka ngecur në Ministrinë e Financave, në Drejtorinë për çështje pronësore dhe juridike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ruajtja e traditës shqiptare / Artizania që qëndis me dorë kostumet popullore

    Lajmi i rradhës

    Reshjet e shiut, shkakton probleme te kulturat bujqësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë