Anila Stefani prej më shumë se 25 vitesh ka punuar si rrobaqepëse, por 15 vite më parë kuptoi që ajo ishte e zonja edhe si një artizane që qëndis me dorë rrobat popullorë të zonës së Myzeqesë.
“Idenë për ndërtimin e këtyre kostumeve popullore me lindi nga një projekt mësimor që kishin vajzat në festat e nëntorit dhe ato të abetares. Dhe këtu lindi dëshira, në fillim imitim pastaj kaluam në origjinalitet.”– shprehet Anila Stefani.
Që të arrish të ruash traditën e kostumografisë, Anila thotë se duhet shumë durim dhe dashuri për historinë.
“Që të punosh një kostum popullor myzeqar arrin të paktën 30-45 ditë pune. Përparëset janë punuar me dorë, gjithashtu edhe shamia e kokës, jeleku dhe rrëket e ginës me shtiza. ”
Edhe pse të rinjtë nuk duan të qëndisin me dorë, veshjen e të kaluarës, janë po vetë ata që në ditën më të rëndësishme te jetës së tyre kërkojnë që të veshin rrobat që tregojnë origjinën.
“Më shumë kanë filluar tani emigrantët të cilët duan të ruajnë traditën, pasi në aktivitet e tyre që bëjnë për festat e flamurit, apo dhe ditën e dasmës e duan një kostum të tillë. “
Çdo ditë Anila qëndis fustane dhe jelekë, duke ruajtur me besnikëri motivet dhe ngjyrat origjinale myzeqare, të cilat i stampon me molinetë e përzgjedhura me kujdes.. /TCh/