Nxënësit rusë mësojnë se “nuk është e frikshme të vdesësh për atdhe”

    “Një njeri nuk mund të bëhet patriot vetëm përmes parullave”, thuhet në një tekst shkollor, që do të jetë i detyrueshëm për fëmijët e shkollimit të lartë në Rusi.

    “Në realitet, patriotët janë njerëz që përgatiten për të mbrojtur tokën amë me armë në duar”.

    “Edukimi patriotik” është frazë që është dëgjuar shpesh në Rusinë e presidentit Vladimir Putin prej të paktën vitit 2005.

    Mirëpo tani, pas nisjes së luftës së paprovokuar të Moskës në Ukrainë dhe përballjes së Rusisë me rezistencë të ashpër dhe me sanksione nga Perëndimi, autoritetet ruse janë duke vënë edhe më shumë theksin te “patriotizmi” në shkolla.

    Pas nisjes së vitit të ri shkollor më 1 shtator, Ministria ruse e Edukimit ka marrë vendim për mbajtjen e mësimeve të detyrueshme në baza javore, me titullin “Bisedat e rëndësishme”.

    Për të demonstruar sa të rëndësishme janë këto biseda për Kremlinin, vetë Putini ka nisur të prezantojë këtë iniciativë, duke zhvilluar një diskutim me fëmijë të një shkolle në enklavën perëndimore të Kaliningradit.

    Kjo ngjarje është transmetuar më pas edhe në shkollat e tjera të Rusisë.

    Ndonëse asnjë fëmijë nuk e ka pyetur Putinin për luftën në Ukrainë, ai e ka ngritur vetë këtë çështje, duke përsëritur narrativat e rreme të Kremlinit për të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” që ka nisur Moska kundër Ukrainës më 24 shkurt.

    “Të gjithë po thonë se Rusia është duke kryer një lloj agresioni sot”, ka thënë Putin.

    “Askush nuk e di, dhe nuk e kupton se, pas puçit të vitit 2014 në Ukrainë, banorët e rajoneve lindore, Donjeck dhe Luhansk, të paktën shumica prej tyre, si dhe ata të Krimesë, nuk kanë dashur të njohin rezultatet e puçit. Qëllimi ynë, misioni ynë është që ushtarët dhe milicitë në Donbas t’i japin fund luftës, t’i mbrojnë njerëzit dhe natyrisht, ta mbrojnë vetë Rusinë”.

    Ish-presidenti ukrainas i afërt me Moskën, Viktor Yanukovych, ishte larguar nga Ukraina më 2014, disa muaj pas protestave pro-Evropës dhe kundër korrupsionit.

    Këto protesta, të njohura si Maidan, kishin kulmuar me përleshje të dhunshme në Kiev.

    Këto zhvillime, autoritetet ruse i shohin si puç.

    Retrospektivë: Rruga e Ukrainës drejt pavarësisë më 1991
    FotogaleriRetrospektivë: Rruga e Ukrainës drejt pavarësisë më 1991

    Ndonëse e mohon se është agresore, Rusia ka nisur pushtimin masiv të Ukrainës në fund të muajit shkurt.

    Si rezultat, qindra mijëra trupa ruse janë nisur drejt Ukrainës dhe shumica prej tyre janë akuzuar për shënjestrim të civilëve dhe krime tjera të luftës.

    Pas bisedës, Putin, bashkë me fëmijët, e kanë kënduar bashkë himnin shtetëror.

    Prej muajit prill, shkollat ruse e kanë nisur çdo ditë mësimin me himn.

    Megjithatë, në vitin e ri shkollor, ceremonia do të jetë edhe më zyrtare dhe e institucionalizuar.

    Përgjatë verës, Qeveria ka ndarë 1 miliard rubla për të pajisur shkollat shtetërore me pajisjet e nevojshme, derisa në muajin qershor, Ministria e Edukimit ka publikuar një udhëzues për zbatim sa më të saktë të procedurave.

    Duke nisur nga 5 shtatori, “Bisedat e rëndësishme”, do të jenë të rregullta, në të gjitha nivelet e shkollave në Rusi, ndonëse përmbajtja do të ndryshojë varësisht prej grup-moshës.

    Planet për mësime janë publikuar edhe online.

    Ministria ka thënë se është duke përgatitur filma dhe materiale tjera për nxënësit.

    Fëmijët më të vegjël do të mësojnë për pasuritë natyrore të Rusisë derisa fëmijët në klasën e tretë dhe atë të katërt, do të mësojnë se secili duhet të mbrojë shtetin dhe të punojë për ta bërë atë më të fortë.

    Në planprogramin për këtë grup-moshë ka edhe mësime me titujt “Nuk është e frikshme të vdesësh për atdheun tënd”, “Duajeni tokën amë, shërbejini tokës amë”, dhe “Lumturia e tokës amë është më e vlefshme sesa jeta”.

    Disa nxënës në Rusi, në ditën e parë të shkollës.
    Disa nxënës në Rusi, në ditën e parë të shkollës.

    Çështja e luftës së Rusisë në Ukrainë do të diskutohet me nxënësit e klasës së pestë e tutje.

    Në këto ligjërata, nxënësit mësojnë se ushtarët që po luftojnë në Ukrainë janë duke treguar “shembuj të patriotizmit”, si dhe përsëritet gjuha e Kremlinit për “regjimin e Kievit” dhe supozimet se ai “ngacmon dhe nënçmon” popullsinë në Donbas.

    Disa pjesë të këtij rajoni lindor ukrainas tani kontrollohen nga Rusia.

    Në mesin e arsyetimeve tjera për luftë përmendet edhe “çarmatosja e Ukrainës” dhe “parandalimi i krijimit të bazave ushtarake të NATO-s” në Ukrainë, pavarësisht se aleanca perëndimore ka thënë se nuk ka pasur plane për diçka të tillë.

    Synimi i këtyre mësimeve është që të “krijohet mendësia e unitetit kulturor e historik për kombin rus dhe për rëndësinë e ruajtjes së unitetit, por edhe që të kultivohet dashuria për tokën amë, ashtu sikurse krenaria për kombin”.

    Në fund të mësimit, studentët duhet të shkruajnë se “çfarë do të donin dhe çfarë mund të bëjnë për shtetin”.

    Nxënësit më pas i vendosin ato letra në një pemë që njihet si “simbol tradicional i Rusisë”.

    Ksenya, mësuese në Moskë, e cila ka kërkuar të mos identifikohet me mbiemër, ka thënë se mësimet e reja i vendosin mësuesit në pozitë të palakmueshme, sepse Qeveria “po miraton vazhdimisht ligje të reja, të cilat duhet të ndiqen me shumë kujdes, në mënyrë që të shmanget ndonjë problem kur diskutohet për ‘operacionin special ushtarak’”.

    “Do të dëshiroja të mos diskutoj për çështjet politike në shkollë”, ka thënë ajo.

    “Ky është mendimi im. Si mund t’i përputh pikëpamjet e mia me ato të administratës së shkollës? Nuk e kam idenë si mund të bëj diçka të tillë”.

    Disa fëmijë duke marrë pjesë në një marsh të titulluar "Parada e fëmijëve", e cila mbahet për të shënuar fitoren e Rusisë ndaj Gjermaninë naziste.
    Disa fëmijë duke marrë pjesë në një marsh të titulluar “Parada e fëmijëve”, e cila mbahet për të shënuar fitoren e Rusisë ndaj Gjermaninë naziste.

    Një tjetër mësuese në Moskë, e cila ka specializuar për gjuhën dhe literaturën ruse, po ashtu ka thënë se “nëse mësuesit rrëshqasin nga plani i ‘Bisedave’, atëherë ata mund të jenë në pozita shumë të rrezikshme”.

    Teknikisht, prindërit mund të kërkojnë që fëmijët e tyre të mos jenë pjesë e “Bisedave të rëndësishme”, mirëpo mbetet të shihet nëse një e drejtë e tillë mund të shfrytëzohet.

    “Do ta shohim nëse mund të ndodhë diçka e tillë”, ka thënë Ksenya.

    “Ndoshta diçka e tillë do të marrë vëmendjen e administratës së shkollës”.

    Në fillim të vitit 2021, autoritetet ruse kanë marrë vendim për të krijuar një pozitë të re nëpër shkollat ruse, atë të “këshilltarit të drejtorit të shkollës”.

    Të punësuarit në këtë pozitë janë të angazhuar që të mbikëqyrin organizatat studentore, si dhe të zbatojnë “edukimin patriotik”.

    Atëbotë kritikët patën thënë se Qeveria është duke instaluar “komisarë politikë” në shkollat ruse.

    Kjo pozitë e re është pjesë e programit të ashtuquajtur Udhëzuesit e fëmijërisë, i cili udhëhiqet nga lëvizja e të rinjve me qasje pro-Putinit, Nashi.

    Vendimi për mbajtje të “Bisedave të rëndësishme” vjen pas shumë vitesh përpjekjeje për të shtyrë mësuesit që të mbajnë ligjërata të tilla, ka thënë ish-mësuesi i gjeografisë, Kyamran Manafly.

    Ai është përjashtuar nga puna për shkak të deklaratave të tij kundër luftës.

    “Kam qenë kujdestar klase dhe neve na janë dërguar mësime të tilla, filma dhe prezantime”, ka thënë Manafly.

    “Gjysma e mësuesve nuk i kanë përdorur këto materiale, sepse nxënësit nuk kanë qenë të interesuar. Pjesa tjera i ka lëshuar filmat, nxënësit i kanë shikuar dhe më pas janë larguar”.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, pas bisedës që ka zhvilluar me disa të rinj në Kaliningrad.
    Presidenti rus, Vladimir Putin, pas bisedës që ka zhvilluar me disa të rinj në Kaliningrad.

    Mësimet e reja mund të shënojnë vetëm fillimin e një strategjie të re për shkollat ruse, ka thënë, Sergei Chernyshev, historian dhe drejtor i një shkolle të mesme.

    “Zyrtarët në Ministrinë e Edukimit ëndërrojnë që të gjitha shkollat brenda shtetit të ligjërojnë të njëjtat mësime, të shfrytëzojnë materiale identike dhe që të gjithë nxënësve, nga Kamçatja deri në Kaliningrad, t’iu mësohen të njëjtat gjëra”, ka thënë Chernyshev.

    “Praktikisht, ata duan të shndërrojnë mësuesit në robotë”.

    Në muajin mars, Margarita Simonyan, kryeredaktore e rrjetit televiziv shtetëror, RT, është takuar me disa mësues, kanë treguar burimet e televizionit, Current Time.

    Ajo ka thënë se mësuesit kanë mendimet e tyre për Putinin dhe luftën në Ukrainë, mirëpo ata nuk duhet të harrojnë kurrë se po punojnë për shtetin dhe janë të obliguar të mbrojnë interesat e Qeverisë, kanë thënë mes tjerash burimet e televizionit.

    Në fund të takimit me nxënësit e Kaliningradit, Putin ka rikujtuar një bisedë që ka pretenduar ta ketë pasur në vitet 1990 me një agjent të shërbimit sovjetik të inteligjencës (KGB), me të cilin ka ndarë zyrën sa ka qenë pjesë e këtij institucioni.

    Putin ka thënë se e ka pyetur këtë burrë nëse po ndihet i ofenduar që po ndan zyrën me një punëtor të ri, pas 25 vjetëve të shërbimit si agjent sekret.

    “Toka amë më ka besuar në një mënyrë që rrallë mund t’i besohet dikujt”, ka thënë ky agjent, sipas Putinit.

    “Unë i jam dashur. Jam falënderues ndaj tokës amë dhe nuk pres asgjë si këmbim”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Greqia “ka marrë masa” për të siguruar furnizimet me energji në dimër

    Lajmi i rradhës

    Rusia, aktive në Ballkanin Perëndimor përmes lajmeve të rrejshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë