Nxënësit u kthehen bankave, mbeten në fuqi protokollet shëndetësore

    Nxënësit u rikthyen në mësim, pas një muaj pushim, 8 ditë prej të cilave ishin pushim shtesë për shkak të numrit të lartë të infektimeve me Covid-19.

    Edhe në gjysmëvjetorin e dytë të shkollës protokollet shëndetësore mbeten në fuqi, sikurse mbajtja e maskës, dezinfektimi i duarve dhe matja e temperaturës.

    Në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Shkup nuk kishte paralajmërime për nxënës të prekur me Covid-19. Në izolim ishin dy punonjës teknik.

    “Nxënës kemi mjaft, thuajse të gjithë kanë ardhur, çdo ditë merret evidenca e nxënësve sa janë të rregullt, sa mungojnë. Sa i përket të punësuarve, të gjithë janë negativë, të gjithë janë prezent në punë, kemi vetëm dy të personelit teknik të cilët dje më lajmëruan se janë në izolim”, tha Faik Xhoni, drejtor i sh.f “Kongresi i Manastirit”.

    Rikthimi në shkollë me prezencë fizike u mirëprit edhe nga nxënësit pavarësisht mbajtjes së detyrueshme të maskave.

    “Jemi të lumtur që kemi filluar me prezencë fizike. U takuam, mbajtëm orën e matematikës, filluam me mësime të reja”, tha një nxënëse.

    “A dëshironi të jeni me maska ose pa to? Më mirë me maska, të mbrohemi se ka lloje të ndryshme të virusit. A ishin të gjithë nxënësit në klasë? Po, të gjithë”, u shpreh një nxënës.

    Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri kërkoi të respektohen masat që viti shkollor të përmbyllet me prezencë fizike.

    “Me respektimin e protokolleve të mundohemi të ruajmë shëndetin dhe në të njejtën kohë që këtë vit shkollor ta përfundojmë me prezencë fizike sepse të gjithë i dimë përfitimet të cilat i kemi nga mësimi me prezencë fizike”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

    Bankave të shkollës iu rikthyen mbi 250 mijë nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm, ndërsa reshjet e dëborës zbukuruan ditën e parë të mësimit. Nxënësit pushimin e gjatë e shfrytëzuan pikërisht për të luajtur në borë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Vazhdon prerja ilegale e drunjve, sekuestrohet traktori

    Lajmi i rradhës

    Kovid protokolle të reja në Gjermani dhe Spanjë për shtetasit e RMV-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë