Nxirren të vdekur nga lumi Lepenc tre shtetasit e Kosovës (Video)

    Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar se nga lumi Lepenc është nxjerrë vetura e familjes nga Kosova, ku brenda saj kanë qenë edhe trupat të cilët deri më tash kanë rezultuar të zhdukur.

    “Njoftojmë opinionin e gjerë se pas një pune intensive ekipet e kërkim-shpëtimit nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë arritur ta lokalizojnë veturën në lumin Lepenc ku pas shumë përpjekjeve është arritur nxerrja e veturës, me trupat e pajetë në të”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

    Ambasada e Kosovës në Shkup shpreh ngushëllimet e saja të thella për këtë tragjedi.

    Ambasada poashtu ka shprehur falënderim për të gjitha institucionet e përfshira në këtë rast.

    Ndryshe, pas rreth 30 orë kërkimesh policia ka gjetur tre trupat e pajetë, të cilët pas një aksidenti në trafik dje, përfunduan në lumin Lepenc. Viktimat i përkasin familjes së njëjtë, një çift burrë e grua dhe djali i tyre i mitur.

    “Nga ana e shërbimeve të policisë dhe njësisë speciale “Tigrat”. është gjetur edhe makina “BMW” me të cilin ata ishin transportuar”, thonë nga policia maqedonase.

    Drejtuesi i makinës tjetër me targa të Shkupit, të përfshirë në këtë aksident është arrestuar sot, kanë njoftuar nga Prokuroria.

    Në veturën me targa të Kosovës ishin katër persona dhe njëri prej tyre ka arritur të dalë prej saj, ndërsa të tjerët së bashku me mjetin ranë në lumin Lepenc.

    Personi është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori” në Shkup dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, ka bërë të ditur policia maqedonase.

    Autoritetet maqedonase më herët gjatë 18 qershorit njoftuan se kanë ndaluar shoferin e automjetit me targa të Shkupit, që u aksidentua me makinën me targa të Kosovës.

    “Sektori i punëve të brendshme në Shkup po vazhdon hetimet lidhur me incidentin në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë dhe me urdhër të prokurorit publik, drejtues i automjetit Volkswagen Turan, me inicialet B.B. është ndaluar për hetime të mëtejme”, thuhet njoftimin e MPB-së.

    Në momentin e aksidentit, sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.

    Në operacionin e nxjerrjes së makinës kanë marrë pjesë edhe ekipe të kërkim-shpëtimit nga Kosova.

    Në vendin e ngjarjes dolën edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    Lajmi Paraprak

    “UNIVERSITETI I TETOVËS NUK ËSHTË I ASKUJT, POPULLI E THEMELOI” / Kandidatët për rektor të UT-së premtojnë se do ta rritin cilësinë dhe transparencën e universitetit

    Lajmi i rradhës

    Çfarë është yndyra e barkut? – Shkaqet e formimit dhe dëmet në shëndet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë