“UNIVERSITETI I TETOVËS NUK ËSHTË I ASKUJT, POPULLI E THEMELOI” / Kandidatët për rektor të UT-së premtojnë se do ta rritin cilësinë dhe transparencën e universitetit

    Forumi për Ndryshime në Arsim organizoi debat ndërmjet kandidatëve për rektor të Universitetit të Tetovës (UT). Bashkëbisedimit të Myqereme Rusi, Bashkim Ziberi dhe Dervish Alimi nuk iu bashkangjit kandidati Jusuf Zejneli, edhe pse kishte thirrje nga FNA. Debati u përqënduar në katër fusha: cilësia dhe qasja në arsim; digjitalizimi i universitetit / Transparenca dhe llogaridhënia; shkencë dhe bashkëpunimi ndërkombëtar i Universitetit; organizimi cilësor studentor. Të tre kandidatët u shprehën se prioritet do ta kenë cilësinë në shkencë, inovacione, infrastrukturën në universitet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, në rast se zgjidhen rektor të universitetit, raporton Nistori.

    Kandidati Bashkim Ziberi tha se ne nuk kemi problem tashmë më ofertat akademike, por me rritjen e cilësisë në universitet.

    “Një pikë kryesore të cilën ne do ta adresojmë është pikërisht transparenca kundrejt pjesëmarrësve të jetës universitare dhe veçanërisht transparenca ndaj studentëve, me qëllim që ata të jenë të informuar dhe të shërbyer siç duhet. Pjesa tjetër është rritja e cilësisë së shërbimit administrativ ndaj studentëve – digjitalizimi. Pjesa e tretë është cilësia te mësimdhënësit. Ne duhet të investojmë në avancim dhe profesionalizëm të vazhdueshëm edhe të stafit akademik. Ajo pjesa e LLL-së (Long Life Learning), duhet të jetë ajo motoja që do të na udhëheqë neve prej fillimit e deri në fund”, tha Ziberi.

    Kandidatja Myqereme Rusi tha se cilësia në arsim nuk është vetëm në universitete, por edhe në shkolla fillore dhe të mesme. Ky mos angazhim i kuadrove arsimore jep mesazhin e demotivimit dhe nuk japin aq sa duhet për të pasur një arsim cilësor.

    “Secili prej nesh në mënyrë vullnetare e zgjedh profesionin e mësuesit dhe pasi e kemi zgjedhur duhet t’i përkushtohemi. Studentë të dobët nuk ka. Ne duhet ta gjejmë mënyrën se si ta stimulojmë studentin për të ardhur deri te cilësia”, deklaroi Rusi.

    Sipas Rusit është e turpshme që studentët të shkojnë me skripta në fakultet dhe secili student duhet ta ketë bibliotekën personale me librat e studimeve që ka kryer.

    “Unë shoh studentët me disa fletushka dhe skripta që vijnë. Kjo gjë reflekton që jocilësi të punës akademiko-shkencore që e kemi ne ndaj studentëve”, deklaroi profesoresha Rusi, duke shtuar se universiteti mund të rangohet më mirë nëse ka punime kërkimore shkencore.

    Kandidati Dervish Alimi tha se bashkëpunimet ndërkombëtare nuk do të mungojnë, por duhet të insistohet edhe në vetë ndërtimin e kapacitetit të universitetit.

    “Ne duhet të mbështetemi se çka mund të bëjmë vet, prandaj insistoj që të bëhet instituti për kërkime shkencore, instituti te filologjiku që pastaj të jepen licenca për lektor”, shtoi Alimi.

    Të gjithë kandidatët u shprehën për transparencë dhe komunikim me median, pasi sipas Rusit, universiteti nuk është i askujt, por i të gjithë neve, sepse populli e themeloi atë. “Patjetër se do të ketë transparencë”, shtoi Rusi.

    Ndryshe, kjo garë vjen pas mbylljes së konkursit të dytë për rektor të UT, pasi konkursi i parë u anulua, si shkak i shumë shkeljeve ligjore për arsim të lartë dhe shkeljeve statutare të universitetit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mijatoviq për DW: Kurti është i përkushtuar për punë dhe drejtësi dhe vepron në këtë drejtim

    Lajmi i rradhës

    Nxirren të vdekur nga lumi Lepenc tre shtetasit e Kosovës (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë