OBJEKTET E NDËRTUARA PA LEJE | Zgjidhja te konfiskimi!

    Objektet e ndërtuara në mënyrë ilegale në tokë shtetërore sipas kryetarit të Komunës Qendër Goran Gerasimovski, duhet të konfiskohen, dhe pikërisht për këtë çështje ai dorëzoi në BNJVL iniciativën e tij. Sipas tij, në vend që të harxhohen të ardhura nga buxheti për rrënimin e objekteve pa leje, më e thjeshtë është të bëhet konfiskimi i tyre i cili do të pengojë zgjerimin e mëtutjeshëm të objekteve të ndërtuara pa leje. Gjatë të martës (4 prill), ai idenë e tij e mbështeti me dokumente, duke dorëzuar në BNJVL iniciativën e tij për konfiskimin e ndërtimeve pa leje e cila u përgatit intensivisht gjatë periudhës së kaluar.

    “Në vend që të harxhojmë para nga buxheti për rrënim, ndryshimet e propozuara ligjore që po i inicioj, u mundësojnë komunave që para organeve kompetente të iniciojnë procedurë për konfiskimin e objekteve të ndërtuara pa leje”, shkroi Gerasimovski në rrjetin e tij social Facebook.

    Ideja është që pas konfiskimit, komunat t’i shfrytëzojnë objektet për nevojat e qytetarëve e që sipas tij, ky ndryshim do të ishte një hap i madh përpara në drejtim të parandalimit të ndërtimeve pa leje në të ardhmen. Një nismë e tillë po bëhet në kohën kur pothuajse çdo ditë, qytetarët po ngrenë alarmin për disa ndërtime të reja që po lulëzojnë në shpatet e Vodnos dhe në pjesët më atraktive të qytetit, ku pavarësisht apelit që të ndërpritet invazioni ndërtimor, eskavatorët vazhdojnë të gërmojnë. Ai gjithashtu tha se beson se është koha që të bëhen ndryshime të mëdha me qëllim mbrojtjen nga dhuna urbane.

    “Komuna Qendër ka disa ndërtime të mëdha në territorin e saj rrënimi i të cilave kushton qindra mijëra euro, por që komuna nuk i ka ato mjete”, potencoi ai.

    Në periudhën e kaluar, në fokus të qytetarëve ishte trualli pranë sallës Universale, dhe shembja e rrugës për shkak të së cilës u ndalua ndërtimi. Është konstatuar se investitori nuk ka mbrojtur objektet përreth dhe ndaj tij janë shqiptuar gjoba. Ka edhe ndërtime tjera pa leje si për shembull, në rrugën “Plasticarska”, ndërtimi i të cilave është ndërprerë, por po kërkohet për atë se kush është investitori. Për këtë objekt është nënshkruar kërkesa për rrënim, por nga komuna kërkojnë konfiskim. Fundjava apo ditët e festave janë ditët që sipas autoriteteve, kryhen më shumë aktivitete të paligjshme, dhe pikërisht për këtë arsye inspektorët dalin më shpesh në terren. Vetëm për rrënimin e një objekti në Vodno, nevojiten 5 milionë denarë, edhe atë vetëm për paaftësim dhe jo për heqje të plotë të objektit.

    “Me dinamit do të shemben muret mbajtëse të ndërtimeve pa leje, por do të mbetet një imazh i shëmtuar. Heqja e vetëm një objekti kushton shumë”, tha Gerasimovski. Prandaj komuna është në kërkim të mënyrës për ndryshimin e ligjit, pasi për momentin nuk kanë mundësi ligjore për konfiskim. Shpresat janë që iniciativa të miratohet unanimisht që të kërkohen ndryshime ligjore me qëllim që objektet e tilla të konfiskohen nga shteti dhe të përdoren për një qëllim tjetër nga i cili do të përfitojnë qytetarët. Pritjet janë që kjo nismë të kursejë buxhetin e komunës, por edhe të ofrojë objekte të reja që mund të ripërdoren për qëllime të ndryshme. Edhe pse situata më alarmante paraqitet në kryeqytet, si dhe në Strugë dhe Ohër të cilat janë nën monitorimin e UNESCO-s, të gjitha komunat kanë problem me ndërtimet pa leje. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dibranët më shumë i parapëlqejnë banesat se sa shtëpitë

    Lajmi i rradhës

    NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Për cilin model do të përcaktohet Maqedonia e Veriut?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë