O’Brien: Ka një parti që propozon zgjidhje dhe një tjetër që premton se do të gjejë zgjidhje si të ecet përpara

    Konsideroj se një parti propozon një rrugë përpara, tjetëra premton të gjejë mënyrë për të ecur përpara, tha James O’Brien, ndihmës sekretari i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike të Shteteve të Bashkuara, sot në Shkup në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.

    Në konferencën e përbashkët për shtyp me nikoqirin e takimit, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, O’Brien u pyet nëse janë të sakta informacionet se faktori ndërkombëtar po i bën presion partive shqiptare që të nënshkruajnë një non-paper që i obligon të mos bëjnë koalicion me ndonjë parti që në gjashtë muajt e ardhshëm pas zgjedhjeve nuk do të zbatojë ndryshimet kushtetuese.

    “Unë nuk di asgjë për këtë  Ne besojmë se u takon qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të vendosin për rrugën përpara. Unë besoj se një parti propozon një rrugë përpara dhe pranon kritikat. Një parti tjetër premton se do të gjejë një mënyrë për të ecur përpara dhe mendoj se është e drejtë që qytetarët e shtetit ta pyesin atë parti për këtë non-paper dhe ata të vendosin mes vizionit që dinë dhe asaj që jepet si premtim”, tha O’Brien.

    Më herët në konferencën për shtyp, ai tha se “populli i këtij vendi do të ketë një zgjedhje të qartë në muajt në vijim, mes vizionit për të ecur drejt Evropës dhe diçka krejtësisht tjetër”. Ai thotë se u takon qytetarëve të vendosin dhe nga këndvështrimi i SHBA-së, ata duan ta shohin vendin sa më shpejt të jetë e mundur pjesë e Evropës.

    I pyetur për listën e zezë amerikane të qytetarëve të Maqedonisë, ai tha se “një listë është listë, ajo gjithmonë evoluon”, dhe se qëllimi i tyre është të shohin ndryshim në sjelljen e individëve në listë dhe atyre që lidhen me ta.

    “Është një mjet i një strategjie më të madhe. Ajo që ne duam të shohim është që njerëzit të mësohen të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të luftuar korrupsionin dhe të ruajnë atë angazhim kur të formohet qeveria e re,” tha O’Brien.

    Ndryshe, vendet nga Ballkani Perëndimor kanë njoftuar bashkëpunim dhe reforma për të përdorur paratë e siguruara nga Plani i Rritjes i Komisionit Evropian. Liderët nga rajoni, në fillim të takimit, folën për ekonomitë dhe bashkëpunimin rajonal, por jo për çështje politike.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevskit tha se planin e rritjes së BE-së e sheh si një lehtësues që hap portat për tregun e vetëm evropian dhe për qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Ky kuadër i strukturuar, i përforcuar nga mbështetja financiare bëhet çelësi i integrimit të pandërprerë, shtoi Kovaçevski,

    Plani sipas kryeministrit, inkurajon miratimin e rregulloreve dhe standardeve evropiane, duke promovuar integrimin si në rajon ashtu edhe në BE.

    Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimin Evropian.

    Sipas planit të përgatitur me qëllimin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të mbështetur reformat dhe investimet që do stimulojnë rritjen ekonomike, do të krijohet një fond i ri i Reformës dhe Rritjes prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

    Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.

    Me këtë burim, do të synohet përputhshmëria e Ballkanit Perëndimor me Tregun e Vetëm dhe rritja e integrimit ekonomik.

    Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.

    Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

    Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

    Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

    Lajmi Paraprak

    Kurti: nuk jemi duke marrë pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Në shumë shkolla të RMV problemet mbetën të pazgjidhura

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë