OKB-ja thotë se po shtohen dëshmitë për krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë

    Kombet e Bashkuara thanë se veprimet ruse në Ukrainë, që kanë përfshirë ekzekutim të civilëve, po shtojnë krimet e luftës.

    “Forcat e armatosura ruse po granatojnë dhe bombardojnë zonat e populluara, pa dallim, duke vrarë civilë dhe shkatërruar spital, shkolla dhe infrastrukturë tjetër civile, veprime që mund të përbëjnë krime të luftës”, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut (UNHCR).

    Në qytetin e Buçës, afër Kievit, misioni i UNHCR-së ka dokumentuar se janë vrarë mbi 50 civilë, tha Shamdasani.

    Varreza masive dhe qindra civilë të vrarë janë zbuluar në Buça dhe në qytete e tjera përreth Kievit, pasi forcat ruse janë tërhequr nga ajo zonë tri javë më parë.

    Zyrtarët rusë kanë mohuar se ushtarët e tyre kanë vrarë civilë dhe kanë akuzuar Ukrainën se ka inskenuar këto mizori.

    Shefja e UNHCR-së, Michelle Bachelet, tha më 22 prill se “gjatë këtyre tetë javëve, që prej fillimit të luftës, ligji humanitar ndërkombëtar jo vetëm se është injoruar, por duket se është flakur tutje”.

    Misioni i OKB-së po ashtu “ka dokumentuar atë që duket të jetë përdorim i armëve me efekte diskriminuese, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe duke dëmtuar objektet civile nga forcat e armatosura ukrainase në lindje të vendit”, tha ajo.

    Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt e deri në mesnatën e 20 prillit, misioni i OKB-së ka dokumentuar dhe verifikuar vrasjen e 2,345 civilëve dhe 2,919 të plagosur, tha ajo.

    “Ne e dimë se numri real është më i lartë, kur tmerret e shkaktuara në zonat ku ka luftime intensive, siç është Mariupoli, do të dalin në dritë”, tha Bachelet. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Përdorimi i gjuhës shqipe | Ende nuk ka zbatim të ligjit

    Lajmi i rradhës

    Vlerat e klorofilit në organizëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë