Opozita është e bindur se suksesi i zgjedhjeve lokale do t’i sigurojë së shpejti edhe pushtetin qendror

    Opozita është e bindur se suksesi i zgjedhjeve lokale do t’i sigurojë së shpejti edhe vendin në pushtetin qendror. Sipas VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, pushteti aktual, nëse humb komunat më të mëdha, nuk ka më legjitimitet. Këto qëndrime eksponentët politik i bënë të ditura në emisionin “360 gradë” në Alsat.

    “Urimet e para për fitoren në 22 komuna dhe në pesë komuna në Shkup nga ana e opozitës së udhëhequr nga VMRO-DPMNE erdhën pikërisht nga deputetët e partive më të vogla. Nëse trendi I fitoreve të këtilla nga ana e opozitës së drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja bashkë me koalicionin Aleanca dhe Alternativa vazhdon dhe reflektohet edhe në rrethin e dytë zgjedhor, atëherë sipas meje, kjo do të pasqyrohet edhe në legjitimitetin e vetë Qeverisë”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

    “Rezultati i zgjedhjeve lokale jo vetëm që do të ketë ndikim por vlerësoj se vetëm e ka determinuar gjendjen e qeverisjes aktuale në Maqedoninë e Veriut. Nëse i humb qytetet më të mëdha, të determinohet jeta politike. Atëherë shtrohet pyetja se kë e përfaqëson kjo Qeveri. Andaj unë mund të them se çështja e shumicës së re parlamentare, çështja e qeverisë së re është çështje ditësh dhe opinioni do të jetë shumë shpejt i njoftuar”, theksoi Elmi Aziri, ASH-AAA

    Për pushtetin janë “përralla” pretendimet e opozitës. Ata thonë se shumica parlamentare e ka dëshmuar që është e sigurt dhe e qëndrueshme.

    “Unë e kuptoj se është e nevojshme të motivojnë anëtarësinë e tyre të dalin të votojnë sepse VMRO-DPMNE-ja nuk ka marrë më shumë vota se në vitin 2017, madje diku ka edhe më pak mbështetje. Por nuk është mirë të mos flitet e vërteta. Këta janë përralla për motivim. Ne u sigurojmë se shumica është e sigurt dhe mundet vetëm të rritet në periudhën e ardhshme sepse kemi program, kemi prioritet e dimë se çfarë duhet të bëhet në periudhën e ardhshme. Qytetarët janë të lodhur nga krizat politike”, deklaroi Bojan Mariçiq, LSDM.

    “Besoni se Ali Ahmeti po të merrte 49 mijë vota do t’i vinte turp të bisedonte për shumicë të re ose për qeverisje për shkak se nuk e ka mandatin, nuk e ka legjitimitetin e popullit. Si duket riciklimi vazhdon mbi idenë se mund të manipuloni mbi vullnetin e popullit. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Tre vjet të kësaj qeverie do të përputhen me mandatin e plotë të komunave. Qytetarët nuk do t’i lënë komunat e tyre opozitë”, theksoi Bujar Osmani, BDI.

    Jashtë studios së Alsat, Lëvizja Besa deklaroi se ajo nuk do të bëhet pjesë e një shumice të re në të cilën do të jetë edhe “E Majta”.

    “Shumicën e re parlamentare e vendosin qytetarët përmes zgjedhjeve parlamentare. unë e them tash për herë të parë se shumicë të re parlamentare, me vota që varen nga një parti siç është “Levica” (E Majta) e cila ka në programin e saj taksativisht qasje anti-amerikane, anti-shqiptare. Nuk mund të hyjmë të bisedojmë dhe nuk mund të lejojmë që një qeverisje e tillë të varet nga një parti politike e cila është destruktive dhe e dimë se në çfarë kahje do ta shpjerë shtetin”, deklaroi Arjanit Hoxha, BESA. Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale është më 31 tetor.

    Lajmi Paraprak

    Për herë të parë në Shkup “Java e filmit shqiptar”

    Lajmi i rradhës

    Lëvizja Besa: Nuk do të jemi pjesë e shumicës së re parlamentare me një parti siç është “Levica”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë