VMRO-DPMNE vazhdon të promovojë ribrendimin e saj dhe sloganin e ri të partisë, megjithatë ende nuk zbardh detaje nga platforma e partisë. Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickovski në rrjetet sociale njoftoi se, VMRO-ja fillon me ndryshimin e ngjyrave të partisë.
Ngjyrat partiake e dini të gjithë mirë se janë e kuqe dhe e zezë. Ndërsa shtetëroret e kuqe dhe e verdhë. Këto tre ngjyra janë simbol i patriotizmit tonë dhe ata na bashkojnë të gjithëve. Këto janë ngjyrat e qarta të Maqedonisë dhe VMRO-së, por mes tyre ekzistojnë më shumë nuanca, të cilat përfshijnë më shumë kategori të njerëzve. Andaj të tre ngjyrat e patriotizmit rriten në tetë, të cilat po ashtu janë patriotike, vetëm me qëllim që të prezantojmë se mes nesh ndonjëherë mund të ketë dallime, por kur është në pyetje Maqedonia, të gjithë jemi një dhe të gjithë jemi në mbrojtje të atdheut – deklaroi Hristijan Mickovski, VMRO-DPMNE.
Ndaj ribrendimit dhe Sloganit të ri të VMRO-DPMNE-së reaguan partitë e tjera. Nga LSDM thonë se VMRO-DPMNE nuk ndryshon në esencë, pasi vazhdon politikën destruktive dhe bllokuese.
Me çfarëdo ngjyrash që të lyhen ata do të mbesin të njëjtit, parti e cila bllokon, frenon, parti e cila mbron krim, parti e cila punon kundër interesave të qytetarëve dhe të shtetit. Në mungesë të ideve dhe të konstruktivitetit vjedhin koncepte dhe slogane nga LSDM, duke u prezantuar me dyfytyrësi me politika të reja para qytetarëve. të Nderuar nuk ka as R nga politikat e reja të VMRO-DPMNE-së – u shpreh Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Nga BDI thonë se nuk i komentojnë çështjet e brendshme të partive politike, pasi është punë e tyre. Ndërsa nga opozita shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se veprimet e reja të VMRO-DPMNE-së nuk lënë shumë vend për të komentuar.
Është zgjedhje e tyre, nuk lë shumë vend për të komentuar. Jemi të prirë të komentojmë veprimet politike të partive politike të cilat prodhojnë efekte politike drejtë ndryshimit të politik bërjes institucionale ndryshe – njoftojnë nga ASH-AAA.
Nga Lëvizja BESA vlerësojnë se me rëndësi është që VMRO-DPMNE të ndryshojë mentalitetin politik, pasi siç theksojnë nëse VMRO nuk ndryshon mendësinë, ribrendimi nuk do të kishte asnjë domethënie. Në 31 vjetorin e themelimit, VMRO-DPMNE njoftoi edhe vendimin për të ribrenduar ngjyrat e partisë, por edhe sloganin e ri “Maqedoni për të gjithë njerëzit”. /Alsat/