Opozita shqiptare akuzon BDI-në për deponinë në Nikushtak

    Deponia në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës për më shumë se dy dekada po rrezikon shëndetin e banorëve të fshatrave Nikushtak, Orllancë dhe Grushinë, ndërsa për shkak se vazhdimisht digjet dhe lëshon tym, shpesh rrezikon edhe jetën e udhëtarëve që e frekuentojnë këtë rrugë. Rasti i fundit ishte disa ditë më parë, ku në këtë pikë ndodhi një aksident trafiku. Nga partia Alternativa sot kërkuan nga Qeveria dhe pushteti lokal që urgjentisht dhe pa asnjë shtyrje të ndërmarrin masa dhe ta dislokojnë këtë deponi.

    “Alternativa i bën thirrje kësaj qeverie, por edhe pushtetit lokal, që qeveriset nga bashkëpartiakë të partisë në pushtet, që urgjentisht dhe pa asnjë shtyrje të ndërmarrin masa dhe ta dislokojnë këtë deponi, në mënyrë që – duke e pastruar këtë ndyrësirë – ta pastrojnë sado pak edhe fytyrën e tyre para qytetarëve të Komunës së Likovës. Në të kundërtën, për çdo pasojë që do të vijojë nga prania e kësaj deponie në këtë zonë, fajin do ta kenë ata dhe vetëm ata”, deklaroi nënkryetarja dhe deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini.

    Ajo potencoi se sa më shumë që BDI-ja premton gjelbërim, aq më shumë shtohen deponitë e egra në vendbanimet shqiptare, gjë që, siç tha, na bind se ata nuk e kanë mendjen te ajri i pastër, por vetëm te tenderët e ndytë.

    Si deputete e kësaj zone, por edhe si nënkryetare e Alternativës, jam sot këtu që të shpreh indinjatën e thellë ndaj indiferencës së kësaj qeverie, ku bën pjesë edhe partia shqiptare BDI, e cila e kaloi një fushatë duke trumpetuar me flamur të gjelbër, ndërsa gjelbërimin e bëri nocion të panjohur për shqiptarët. Për fat të keq, jo më pak faj kanë edhe autoritetet e Komunës së Likovës, që para dy viteve premtuan ndërtimin e një muri rrethues në këtë deponi, por – siç e shihni – ende nuk ka asgjë prej këtij projekti, edhe pse as kjo nuk do ta zgjidhte problemin. E kur jemi të premtimet, nuk ka kaluar fushatë që BDI-ja nuk ka ardhur në zonën tonë të premtojë ndërtimin e një deponie rajonale për menaxhim me mbeturina, ndërsa kanë kaluar 23 vjet dhe le që nuk ka asgjë nga ai premtim, por kjo gjendje ka ardhur vetëm duke u përkeqësuar. Kujtojmë këtu se megjithatë zgjedhjet janë së shpejti dhe qytetarët e Komunës së Likovës duhet ta mbajnë mend se kush i ka lënë për 23 vjet rresht në këtë gjendje, duke u përgjigjur më së miri me votën e tyre. Lajmi i mirë në këtë fatkeqësi është se koha e tyre për të na e nxirë jetën po skadon dhe ka mbetur edhe pak deri në ndryshimin e shumëpritur që po afrohet”, theksoi deputetja Sadiki Shaini.

    Më 31 gusht të vitit 2023, pika e rendit të ditës në Këshillin e Komunës së Likovës për zhvendosjen e deponisë së egër në Nikushtak mes Komunës së Likovës dhe asaj të Haraçinës, është prolonguar pas një debati mes këshilltarëve komunal dhe përfaqësueses së Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ana Karanfillova Mazneva.

    Lajmi Paraprak

    NUK MUND TË ABUZOHET ME TERAPITË E PACIENTËVE | Oda e mjekëve kërkon që të përgjigjen fajtorët për rastin në Onkologji

    Lajmi i rradhës

    Ajvari dhe turshia, këtë dimër mund të mungojnë në tryezat e qytetarëve të RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë